LIVE: Situatë e rëndë në Gaza, kërkohen vendime të vështira – Blinken vjen me një thirrje për luftën Izrael-Hamas

Azia

LIVE: Situatë e rëndë në Gaza, kërkohen vendime të vështira – Blinken vjen me një thirrje për luftën Izrael-Hamas

Nga: BOTA SOT Më: 17 janar 2024 Në ora: 06:34 Përditësuar në ora: 19:30 më 17.01.2024
Pamje nga lufta në Gaza

Ilaçet për pengjet e Hamasit dhe banorët palestinezë arrijnë në Gazë ndërkohë që lufta vazhdon

Ilaçet për pengjet e rrëmbyera nga Hamasi u nisën drejt Gazës të mërkurën pas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Katari dhe Franca ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Marrëveshja është e para mes dyja palëve që nga nëntori, kur marrëveshja për armëpushim një javor u shkel.

Marrëveshja për ilaçet u arrit ndërkohë që konflikti, i cili kaloi 100 ditëshin, nuk jep shenja se është afër përfundimit dhe po nxit tensione nëpër tërë Lindjen e Mesme. Sulme dhe kundërpërgjigjet ndaj tyre gjatë ditëve të fundit, janë shtrirë nga pjesa veriore e Irakut e deri në Detin e Kuq, nga pjesa jugore e Libanit deri në Pakistan.

Ilaçet arritën në Egjipt dhe po transportohen drejt kufirit me Gazën përmes kalimit kufitar në Rafah. Një zyrtar i lartë i grupit militant Hamas tha se për çdo pako për pengjet, do të ketë 1,000 pako për palestinezët. Marrëveshja përfshin edhe dërgimin e ndihmës humanitare banorëve të Rripit të Gazës.

Militantët palestinezë ende po rezistojnë përgjatë Gazës përballë një prej fushatave ushtarake që ka shkaktuar shkallën më të lartë të të vrarëve në dekadat e fundit. Rreth 85 për qind e 2.3 milionë banorëve të Rripit të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe sipas Kombeve të Bashkuara një e katërta e popullatës po vuan nga uria.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin në mënyrë që grupi të mos ketë më aftësi për të përsëritur sulme si ai 7 tetorit, që nxiti luftën. Militantët e Hamasit arritën të çajnë mburojën e kufirit dhe sulmuan disa vendbanime, duke vrarë 1,200 persona, shumica e të cilëve civilë, dhe duke rrëmbyer 250 persona.

Izraeli po ashtu ka premtuar se do të kthejë në shtëpi mbi 100 pengje që ende po mbahen në Gazë. Hamasi ka liruar shumicën e grave dhe fëmijëve që po mbaheshin peng në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Hamasi ka deklaruar se nuk do të lirojë pengje të tjera përderisa të mos ketë një armëpushim të përhershëm, kusht ky që Izraeli dhe aleati i saj kryesor Shtetet e Bashkuara, e përjashtojnë si mundësi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari tha të martën se marrëveshja nënkupton se "ilaçet, së bashku me ndihmat e tjera humanitare, do t'u dërgohen civilëve në Rripin e Gazës, në zonat më të prekura dhe më të pambrojtura, në këmbim të dërgimit të ilaçeve të nevojshme për pengjet izraelite në Gazë”.

Ai nuk dha detaje mbi sasinë dhe llojin e ndihmës që do t'u dërgohej civilëve.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se dy avionë të Forcave Ajrore të Katarit do të uleshin të mërkurën në Egjipt me ilaçe të blera në Francë bazuar në një listë izraelite.

Sipas zyrtarëve francezë negociatat kishin vazhduar për javë të tëra dhe ideja fillestare kishte ardhur nga familjet e disa prej pengjeve izraelite.

Secilit prej 45 pengjeve do t'u dërgohen pako specifike mjekësore për disa muaj, të cilat janë siguruar nga Franca. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq do të koordinojë shpërndarjen e ndihmës në terren./VOA

Blinken: Rruga drejt një shteti palestinez, e nevojshme për sigurinë e Izraelit

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përsëriti të mërkurën nevojën për gjetjen e një rruge që do të çonte drejt krijimit të një shteti palestinez. Duke folur në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davosit, sekretari Blinken tha se pa një shtet palestinez, Izraeli nuk do të ketë kurrë siguri të vërtetë

Sekretari Blinken tha se një shtet palestinez është i nevojshëm për qendrueshmërinë afatgjatë të rajonit. 

"Duhet të jetë një qeverisje, një strukturë qeverisjeje, që të ketë autoritetin t’i ofrojë popullit palestinez atë që dëshiron, që plotëson nevojat e tij”, tha zoti Blinken.

Por ai theksoi se që një qeverisje e tillë të jetë efektive, duhet të krijohen kushtet e duhura.

“Me fjalë të tjera, me mbështetjen, me ndihmën e Izraelit, jo me kundërshtimin e tij aktiv, sepse edhe autoriteti më efektiv do të ketë vështirësi nëse përballet me kundërshtimin aktiv të një qeverie izraelite."

Zoti Blinken e pranoi se për të arritur në atë pikë, kërkohen vendime të vështira dhe një mentalitet i hapur drejt kësaj perspektive.

Por ai shton se një bashkërendim mes vendeve arabe dhe Izraelit në rajon, është i nevojshëm për të izoluar Iranin, të cilin kryediplomati amerikan e quajti "shqetësimin më të madh në aspektin e sigurisë".

Një gjë e tillë tha ai, është e nevojshme gjithashtu për të shmangur vuajtjet si të izraelitëve dhe palestinezëve. Ai tha se jetët e të dyja palëve janë njësoj të vlefshme.

“Ajo që po shohim çdo ditë në Gazë, është e tmerrshme dhe vuajtjet që shohim mes burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm më trishtojnë pa masë”, tha ai.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu drejton një qeveri të krahut të djathtë që është kundër shtetit palestinez. Ai ka thënë se lufta do të jetë e gjatë, duke theksuar se ajo drejtohet ndaj “një boshti të së keqes”, të udhëhequr nga Irani dhe tre grupet që mbështesin atë në rajon: Hamasi, Hezbollahu dhe Houthi./VOA

Izraeli kryen sulme vdekjeprurëse ajrore në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite tha se ka vrarë një militant të lartë palestinez përmes një sulmi ajror në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Ahmed Abdullah Abu Shalal, i cili sipas ushtrisë izraelite ishte përgjegjës për infrastrukturën dhe kishte planifikuar disa sulme kundër izraelitëve në Jerusalem, ishte në mesin e katër të vrarëve gjatë sulmit të kryer mëngjesin e së mërkurës në kampin e refugjatëve Balata, në qytetin Nablus.

Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha se forcat izraelite kanë parandaluar mjekët që të shkojnë në vendin e ngjarjes. Kjo organizatë tha përmes rrjeteve sociale se “të shtënat me armë zjarri iu drejtuan ekipeve tona”.

Ushtria izraelite pretendoi se Abu Shalal dhe celula e tij planifikonin të kryenin një sulm dhe kishin marrë fonde dhe udhëzime nga “ burimet iraniane”. Ushtria nuk ofroi dëshmi për këto pretendime.

Dhuna ka shpërthyer në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Mbi 350 palestinezë janë vrarë në tre muajt e fundit, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, shumica gjatë bastisjeve izraelite dhe protestave të dhunshme.

Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në Bregun Perëndimor, por vrasjet e shënjestruara janë kryesisht të rralla në këtë territor.

Izraeli po riarmatoset, zbulohet shifra marramendëse - ja sa do të shpenzojë për mbrojtjen

Qeveria emergjente e Izraelit ka miratuar një amendament buxhetor për vitin 2024, i cili shton 55 miliardë shekelë, pra 15 miliardë dollarë, në shpenzimet e mbrojtjes. Paketa e miratuar dje përfshin gjithashtu fonde për dëmshpërblimin e të prekurve drejtpërdrejt ose tërthorazi nga operacionet kundër Hamasit në Rripin e Gazës, si dhe fonde shtesë për shëndetin, policinë, mirëqenien dhe arsimin.

"Ne kemi ndryshuar prioritetet tona , në mënyrë që çdo rezervist, çdo luftëtar dhe familjet e tyre të dinë se ka një qeveri që i mbështet dhe që kujdeset për ta," tha Ministri i Financave Bezalel Smotrich.

Vendimi u mor pas më shumë se 24 orësh debati, me momente tensioni si largimi i dhomës "me zemërim" nga kreu i Arsimit Yoav Kisch, një anëtar i partisë Likud të Netanyahut.  

Në total, në vitin 2024 Izraeli do të shpenzojë 582 miliardë shekelë (rreth 154 miliardë dollarë), 70 më shumë se sa pritej, me një deficit të barabartë me 6.6% të PBB-së. Vitin e kaluar qeveria e Tel Avivit miratoi një buxhet për 2023-2024, por shpërthimi i luftës tronditi situatën dhe i detyroi autoritetet të rishikojnë ndarjen e fondeve për sektorë të ndryshëm.

Ministrat e Partisë së Unitetit Kombëtar të udhëhequr nga Benny Gantz votuan kundër amendamentit pasi kërkesat e tyre për ngrirjen e pagave të deputetëve dhe zvogëlimin e ministrive u refuzuan. Formacioni centrist shprehu gjithashtu zhgënjimin e tij që të ashtuquajturat “fondet e koalicionit” nuk u pakësuan më shumë. Në veçanti, një marrëveshje midis Benjanim Netanyahu, Smotrich dhe partive të tjera fetare parashikonte ndarjen e 8 miliardë shekelave për fraksionet ultra-ortodokse që përbëjnë shumicën e qeverisë. Prej tyre, vetëm 2.5 u shkurtuan.

Ministria e Shëndetësisë: Më shumë se 10 mijë e 600 fëmijë janë vrarë në Gaza

Të paktën 10 mijë e 600 fëmijë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, tha të martën Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.

“Numri i vdekjeve të palestinezëve nga agresioni i vazhdueshëm izraelit ka tejkaluar 24,285, nga të cilët 75% janë fëmijë, gra dhe të moshuar. (+10,600 fëmijë, 7,200 gra dhe 1,049 të moshuar)”, tha ministria.

Ajo gjithashtu tha se të paktën 158 persona u vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit dhe 320 të tjerë u plagosën.

CNN nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur numrin e ministrisë për shkak të kufizimeve në raportimin nga një zonë lufte.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë të dielën se më shumë se 9 mijë nga të vdekurit ishin luftëtarë të Hamasit. CNN nuk mund ta konfirmojë as këtë shifër.

Lufta e përgjakshme në Gaza, udhëheqësi malajzian kritikon Perëndimin: Po mbyllni sytë ndaj mizorive të Izraelit

Kryeministri i Malajzisë Anwar Ibrahim kritikoi të martën vendet perëndimore për heshtjen e tyre të vazhdueshme në lidhje me situatën në Rripin e Gazës dhe tha se Izraeli po kryen “masakrën e pamëshirshme” të palestinezëve .

Ibrahim tha se Izraeli ka vrarë më shumë se 24,100 jetë të pafajshme pa u ndëshkuar në vetëm 100 ditë. “Kjo valë e fundit e masakrës brutale të palestinezëve të pafajshëm është thjesht një zgjatje e një shtypjeje dhe tiranie prej shtatë dekadash, duke manifestuar urrejtjen, neverinë dhe antagonizmin e regjimit izraelit ndaj popullit palestinez,” shkroi ai në një postim në platformën X.

Ibrahimi kritikoi gjithashtu vendet perëndimore për heshtje duke thënë se “Për të mbyllur një sy ndaj mizorive të kryera nga Izraeli, duke u bërë efektivisht bashkëpunëtorë në aktet tinëzare të krimeve kundër njerëzimit”.

Sakaq vlerësoi masën e Afrikës së Jugut për ta çuar Izraelin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) dhe tha se Malajzia e mbështet plotësisht.

Arrihet marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit, do të lejohen ndihma për civilët dhe pengjet në Gaza

Izraeli dhe Hamasi, të cilët janë në luftë në Rripin e Gazës, arritën sot një marrëveshje për të lejuar ndihma humanitare për palestinezët si edhe ilaçe për pengjet izraelite.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme njoftoi sot arritjen e suksesit të ndërmjetësimit, të kryer së bashku nga Katari dhe Franca për “arritjen e një marrëveshjeje midis Izraelit dhe Hamasit.

E cila parashikon që ilaçet dhe ndihmat humanitare do t’u ofrohen civilëve në Gaza në këmbim të dërgimit të barnave të nevojshme për pengjet izraelite.

Ilaçet dhe një ngarkesë me ndihma humanitare do të largohen nga Doha nesër, të mërkurën, për në qytetin egjiptian Aris për të filluar dërgimin e tyre në Rripin e Gazës, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed al-Ansari.

Gaza, 350 mijë pacientë nuk marrin trajtime mjekësore për shkak të luftës

Të paktën 350,000 pacientë në Gaza me sëmundje kronike nuk po marrin mjekimet e tyre për shkak të luftës së vazhdueshme izraelite.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, Ashraf al-Qudra, u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare të ndihmës që të ofrojnë urgjentisht medikamente, shkruan Al Jazeera.

Al-Qudra njoftoi më parë shterimin e gazit të oksidit të azotit të anestezisë në dhomat e operacionit, së bashku me mungesa të rënda të furnizimeve të tjera thelbësore mjekësore.

Organizatat palestineze dhe ndërkombëtare të shëndetësisë dhe të drejtave të njeriut paralajmërojnë për kolapsin total të sistemit të lëkundur të kujdesit shëndetësor në Gaza për shkak të luftës së vazhdueshme.

Izraeli: Faza “intensive” e luftës në Gaza do të përfundojë së shpejti

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se “faza intensive” e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gazën veriore dhe jugore do të përfundojë së shpejti.

Ushtria izraelite po punon për të eliminuar terroristët në Gazën veriore, tha Gallant, duke shtuar: “Ne do ta arrijmë këtë nëpërmjet sulmeve ajrore dhe operacioneve speciale “.

Pas sulmeve të 7 tetorit, Gallant tha se plani fillestar ishte që “faza intensive” e fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza të zgjaste afërsisht tre muaj. Por, ai paralajmëroi se ushtria izraelite i përshtat operacionet e saj “në përputhje me realitetin në terren” dhe inteligjencën e vendit.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë njoftuar se një nga divizionet e saj të ushtrisë ishte larguar nga Rripi i Gazës të hënën mbrëma. IDF tha se divizioni i saj i 36-të, i cili përfshin automjete të blinduara, inxhinierike dhe këmbësorie, u tërhoq nga Rripi i Gazës pas 80 ditësh.

Brigada operoi në zonat e Zeitun, Shati, Shejaiya, Rimal dhe kampet qendrore, shtoi ushtria izraelite. IDF nuk iu përgjigj pyetjeve të CNN nëse tërheqja ishte e përkohshme, ose se çfarë fshihej pas tërheqjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat