LIVE: Nuk kanë të ndalur, rebelët Houthi sulmojnë një anije amerikane – kjo është porosia nga SHBA dhe Britania ndaj Hamasit!

Azia

LIVE: Nuk kanë të ndalur, rebelët Houthi sulmojnë një anije amerikane – kjo është porosia nga SHBA dhe Britania ndaj Hamasit!

Nga: Bota sot Më: 22 janar 2024 Në ora: 06:26 Përditësuar në ora: 20:33 më 22.01.2024
Foto ilustrim

Rebelët Houthi sulmojnë një anije amerikane në Gjirin e Adenit

Rebelët Houthi të Jemenit ka thënë se forcat e tyre kryen një sulm kundër një anijeje mallrash ushtarake amerikane, Ocean Jazz, në Gjirin e Adenit.

Deklarata e zëdhënësit ushtarak Houthi, Yahya Sarea, u raportua nga Reuters.

“Forcat e armatosura të Jemenit vazhdojnë të kundërpërgjigjen ndaj çdo agresioni amerikan apo britanik ndaj vendit tonë.

Duke vënë në shënjestër të gjitha burimet e kërcënimit në Detin e Kuq dhe atë Arab.”, tha ai.

Frikë rreth fatit të pengjeve në Gaza, Hamasi reagon pasi Netanyahu refuzoi marrëveshjen: Asnjë shans për rikthimin e tyre!

Perspektiva e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi tashmë duket edhe më larg pasi një zyrtar i Hamasit tha se refuzimi i kushteve të tyre nga Benjamin Netanyahu do të thoshte se nuk kishte “asnjë shans” për kthimin e tyre.

Netanyahu më herët ka hedhur poshtë kushtet e grupit militant për t’i dhënë fund luftës, të cilat ai tha se përfshinin lënien në pushtet të Hamasit dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza.

Sami Abu Zuhri, i tha Reuters se refuzimi i kryeministrit izraelit për t’i dhënë fund ofensivës ushtarake në Gaza “do të thotë se nuk ka asnjë shans për kthimin e pengjeve izraelitë”, të cilët besohet se janë rreth 130.

Netanyahu po përballet me presion në rritje për të siguruar lirimin e pengjeve, por tha në një deklaratë se kërkesat e Hamasit përfshijnë “tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza , lirimin e të gjithë vrasësve dhe përdhunuesve dhe lënien e Hamasit të paprekur”.

“Unë hedh poshtë plotësisht kushtet e dorëzimit të monstrave të Hamasit”, theksoi ai.

Të dielën në mbrëmje, anëtarët e familjeve të pengjeve filluan një protestë jashtë shtëpisë së Netanyahut në Jerusalem.

Tensione në rritje në Lindje të Mesme pas sulmeve në Siri dhe Irak

Me luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në prapavijë, një kombinim sulmesh rajonale dhe deklaratash kundërthënëse, sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias gjatë fundjavës shtuan tensionet në gjendjen tashmë të tendosur në Lindje të Mesme.

Tensionet në Lindje të Mesme po rriten pas sulmit në kryeqytetin sirian Damask që vrau pesë komandantë të Gardës Revolucionare Iraniane të shtunën. Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi fajësoi Izraelin dhe u zotua me hakmarrje. Shteti hebraik nuk mori përgjegjësi për sulmin dhe po vazhdon të përqëndoret në goditjen e objektivave të Hamasit në Gazë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të grupit militant në tetor që shkaktoi 1,200 të vdekur. Rreth 240 pengje gjithashtu u rrëmbyen nga Hamasi.

Që kur filloi lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, trupa ushtarake të Shteteve të Bashkuara, aleatit kryesor të Izraelit, në Lindje të Mesme janë sulmuar gjithashtu dhjetëra herë. Të shtunën baza ushtarake ajrore amerikane Al-Asad në Irak ishte shënjestër e një sulmi.

“Ishte një sulm shumë serioz me predha me rreze të gjatë veprimi që kërcënojnë forcat amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë dëshmuar në të kaluarën se kur këto sulme ndodhin në Irak dhe Siri, që do të kundërpërgjigjemi në momentin që e vlerësojmë të nevojshme për të parandaluar situata të tilla dhe për t’i mbajtur këto grupe që vazhdojnë të na sulmojnë përgjegjëse,” deklaron zëvendës-këshilltari për siguri kombëtare, Jon Finer për televizionin amerikan ABC.

Ndërkohë që zyrtarët shëndetësorë në Gazë që raportojnë se mbi 25,000 njerëz janë vrarë deri më tani në luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë trysninë ndaj Izraelit për të mbrojtur civilët dhe për të lejuar depërtimin e një sasie të shtuar të ndihmës humanitare.

“Gjatë ditëve të fundit, ata kanë njoftuar se do të lejojnë miellin të shkarkohet në portin izraelit Ashdod dhe pastaj të dërgohet në Gazë. Këta janë hapa të vegjël, por të rëndësishëm, por njëkohësisht të pamjaftueshëm,” shtoi zoti Finer.

Të përballur me mungesë të ushqimit, vullnetarët po u shpërndajnë bukë palestinezëve të zhvendosur në Rafah. Megjithatë, gjendja mbetet e paqëndrueshme, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres gjatë takimit të nivelit të lartë të “Vendeve të Paangazhuara” në Kampala të Ugandës.

“Njerëzit po vdesin jo vetëm nga bombat dhe plumbat, por nga mungesa e ushqimit dhe ujit të pastër, spitaleve pa energji elektike dhe ilaçe dhe udhëtimeve të lodhshme nëpër vende që po tkurren gjithnjë e më shumë për t’iu ikur luftimeve. Kësaj gjendje duhet t’i jepet fund," deklaroi ai.

Por pavarësisht trysnisë së brendshme nga familjarët e pengjeve izraelite për të arritur një marrëveshje me Hamasin, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në rrjete sociale të shtunën u zotua sërish të shkatërrojë Hamasin dhe theksoi nevojën për të mbajtur një kontroll sigurie mbi Gazën pas përfundimit të luftës.

“Shteti i Izraelit duhet të ketë kontroll sigurie mbi të gjithë territorin që shtrihet në perëndim të lumit Jordan. Ky është kusht i domosdoshëm dhe nëse bie ndesh me idenë e sovranitetit palestinez, çfarë të bëjmë?”, tha zoti Netanyahu.

Komentet e tij hodhën dyshime ndaj zgjidhjes për krijimin e dy shteteve me palestinezët që Uashingtoni dhe palë të tjera, e kanë mbështetur me vite, si një zgjidhje përfundimtare për konfliktin./VOA

SHBA-ja dhe Britania me sanksione të reja kundër figurave kyçe të Hamasit

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë njoftuar për sanksione të reja ndaj figurave të Xhihadit Islamik Palestinez dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Ky është vendimi i tyre i fundit i koordinuar sa i përket ngrirjes së aseteve dhe vendosjes së ndalesave për udhëtim, që kanë më shënjestër luftëtarët e grupeve rajonale.

Pesë “figura kyçe” dhe një entitet, që thuhet se janë të përfshirë në udhëheqjen dhe financimin e rrjeteve të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez, janë sanksionuar, tha Qeveria britanike.

Masat “do të ndihmojnë në ndërprerjen e fondeve që mbështesin këto grupe terroriste, përfshirë nga Irani”, u tha në njoftim.

Shtetet perëndimore kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Hamasit dhe aleatëve të tij që kur ky grup palestinez kreu sulmin e paprecedent ndaj Izraelit më 7 tetor.

Luftëtarët e Hamasit vranë 1.200 persona, shumica civilë, dhe morën afër 250 pengje. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë mbi 25.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi.

“Këto sanksione dërgojnë mesazh të qartë te Hamasi se Britania dhe partnerët tanë janë të përkushtuar që të sigurohemi që nuk do të ketë vende për t’u fshehur këto aktivitete financuese për terroristët”, tha sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, përmes një deklarate.

Britania dhe SHBA-ja kanë njoftuar për disa runde sanksionesh të koordinuara që nga fundi i vitit të kaluar. Sanksionet kanë shënjestruar Hamasin dhe Iranin, që mbështet këtë grup radikal palestinez.

Në mesin e të sanksionuarve është edhe Zuheir Shamlakh, që sipas Londrës, që nga viti 2019, ai ka reputacionin si “këmbyesi kryesor i parave” për Hamasin.

Sipas Britanisë, ai është figura kyçe që ka zhvendosur operacionet e grupit në kriptovaluta dhe kishte shfrytëzuar monedhat digjitale dhe sistemet jozyrtare të transferimit të parave “për të dërguar shuma të mëdha parash nga Irani te Hamasi”, para 7 tetorit, tha Londra.

Po ashtu është sanksionuar Ahmed Sharif Abdallah Odeh që dyshohet se është operatori kyç i rrjetit financiar të Hamasit dhe Ismail Barhoum, anëtar i byrosë politike në Gaza.

Hassan Al-Wardian, që thuhet se është lider i Hamasit në Bregun e pushtuar Perëndimor, dhe Jamil Yusuf Ahmad Aliyan, zyrtar i lartë i Xhihadit Islamik Palestinez në Gazë, sipas Britanisë, janë në listën e sanksioneve./REL

Çfarë mund të arrijnë anijet luftarake të BE në Detin e Kuq?

Në një kohë që SHBA bashkë me Britaninë e Madhe u kundërpërgjigjën ndaj raketave të milicëve jemenitë Huthi në Detin e Kuq, ende BE është në kërkim të reagimit ndaj krizës së re, që është e lidhur me konfliktin në Rripin e Gazës, por i kalon kufijtë e Izraelit dhe zonave palestineze.

BE kërkon të krijojë një mision të marinës për të mbrojtur anijet - dhe interesat tregtare europiane, në Detin e Kuq, me shumë rëndësi strategjike për BE. Por përpjekja për të kërcënuar milicët rebelë Huthi mund të çojë në një shkallëzim të rrezikshëm të situatës në Detin e Kuq. Prandaj ekspertët paralajmërojnë BE për veprime të kujdesshme.

Pse do të ndërhyjë BE në Detin e Kuq?

Prej javësh, rebelët Huthi që kontrollojnë pjesë të mëdha në perëndim dhe veri të Jemenit, sulmojnë anijet tregtare në Detin e Kuq. Itinerari detare si ngushtica në Detin e Kuq që lidh Detin Arabik me Mesdheun përmes Kanalit të Suezit. është nga të frekuentuarit në botë. Rebelët Huthi, grup terrorist i lidhur me Iranin, i filluan sulmet ndaj anijeve pas ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës. Izraeli u kundërpërgjigj pas sulmeve terroriste të Hamasit militant islamist më 7 tetor në jug të Izraelit. Sulmet e Huthi, bëhen në shenjë solidariteti me palestinezët e bombarduar nga Izraeli, deklaruan rebelët dhe drejtohen kundër anijeve që kanë lidhje të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta me Izraelin.

BE ashtu si shumë fuqi të tjera i dënon si ilegale sulmet ndaj anijeve tregtare. Rreth 40% e tregtisë europiane me Azinë dhe Lindjen e Mesme kalon nëpër këto ujëra. Tani shumë anije duhet të devijojnë rrugëtimin nga Kepi i Shpresës së Mirë, me të gjitha pasojat që sjell ky devijim në vonesa dhe kosto.

Misioni i planifikuar i BE, për të cilin një ujdi e plotë pritet në javët e ardhshme, do të ishte i pavarur nga Operacioni Prosperity Guardian i SHBA. Misioni i BE do të përbëhet nga 20 vende. Ndërsa misioni i SHBA që filloi në dhjetor solli përçarje brenda BE. Në një kohë që Holanda, Greqia dhe Danimarka iu bashkuan misionit amerikan, Franca, Italia dhe Spanja e refuzuan pjesëmarrjen.

Çfarë planifikon BE?

Javët e fundit është debatuar mjaft për reagimet e mundshme të BE në lidhje me zhvillimet në Detin e Kuq.  Parimisht bëhet fjalë për dërgimin e luftanijeve për patrullim në rajon. Disa media kanë raportuar për një dokument të brendshëm të BE, se Shërbimi i Jashtëm i BE ka propozuar dërgimin e tre anijeve. Kurse një burim diplomatik që do të mbetet anonim i tha DW, se opcioni më i favorizuar është zgjerimi i Agenor, një operacioni aktual të BE nën lidershipin francez, që mbikqyr ngushticën detare në afërsi të Hormuzit. Tetë vende e mbështesin këtë mision, që është pjesë e një misioni më të zgjeruar për mbrojtjen e rrugës detare të Hormuzit me emrin EMASoH (European Maritime Awarness in the Strait of Hormuz). Ky mision kërkon të ulë tensionet dhe "të kontribuojë në sigurimin e trafikut detar", sipas njoftimit në faqen e internetit të misionit.

Të mërkurën, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani duket sikur e konfirmoi këtë plan, duke thënë se do të ishte më e lehtë të zgjerohej operacioni Agenor. "Jam i bindur që vetë Shërbimi i Jashtëm Europian e sheh me mirëbesim këtë hipotezë", citohet Tajani nga agjencia Reuters. Në të njëjtën ditë, ministrja holandeze e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren deklaroi se me gjasë Holanda do të vendoste në dispozicion një fregatë për një mision të tillë të BE. "Ne po e verifikojmë ende, por do të flasim edhe me Dhomën e Ulët të Parlamentit", tha Ollongren në bisedë me BNR. Misioni duhet të jetë gati deri më 19 shkurt dhe shumë shpejt pas kësaj të jetë në veprim, raportoi Reuters duke iu referuar burimeve të saj. Hapi tjetër është takimi i ministrave të Jashtëm të BE këtë të hënë.

Pse është kaq i diskutueshëm një mision i tillë i BE?

BE priti gjatë derisa reagoi në lidhje me zhvillimet në Detin e Kuq. Disa shtete, veçanërisht Spanja, nuk pranuan ofertat e SHBA, për t'u kundërpërgjigjur së bashku ndaj rebelëve Huthi. Tek shumë vende anëtare të BE ka një frikë të madhe, se situata në një rajon kaq shumë të destabilizuar, mund të shkallëzojë në mënyrë të rrezikshme. BE reagoi me rezerva pas sulmeve të SHBA dhe Britanisë së Madhe ndaj pozicioneve të rebelëve Huthi të premten e kaluar. Holanda ofroi vetëm ndihmë praktike, kurse Gjermania dhe Danimarka vetëm mbështetje me shkrim. Spanja e qeverisur nga e majta, bëri të ditur, se nuk do të marrë pjesë në një mision në Detin e Kuq.

Nathalie Tocci, drejtuese e Institutit italian për Çështjet Ndërkombëtare, IAI është e mendimit se për BE situata bëhet më e komplikuar pas kundërpërgjigjes ushtarake të SHBA e Britanisë së Madhe ndaj rebelëve Huthi. Dërgimi i anijeve jo vetëm ka potencial të lartë shkallëzimi, ato duhet të edhe të godasin. "Bëhet fjalë për anije luftarake që duhet të jenë të gatshme të qëllojnë. Këto nuk duhet të jenë patjetër sulme ndaj tokës jemenite, por për çdo rast sulme ndaj çdo gjëje që afrohet", thekson Tocci. Kjo është diçka komplet tjetër, krahasuar me misionin vëzhgues të BE, Agenor.

Cilat janë rreziqet?

Për Tocci, rreziqet janë të natyrës praktike. BE rrezikon imazhin e saj. Nga njëra ekziston rreziku, që një anije e BE të sulmohet, dhe situata shkallëzohet papritur. Nga ana tjetër BE rrezikon që misioni i saj të mos ketë rezultatin e duhur duke e bërë BE të duket e dobët. "Le ta shohim kështu: Prej 10 vitesh Jemeni bombardohet pa mëshirë nga sauditët", thotë Tocci, duke iu referur koalicionit të drejtuar nga Arabia Saudite që lufton nga viti 2015 kundër Huthit. "A ka çuar kjo në dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Huthit? Jo, nuk ka çuar", thekson Tocci dhe vazhdon të pyesë. "Pse besojmë ne se një mision marine defensiv, dhe jo ofensiv, do të ketë ndonjë efekt kërcënues?" Tocci është e mendimit, se BE reagon nga nevoja, se "duhet bërë diçka", në vend që të pyesë, se çfarë mund të arrijë vërtet.

Camille Lohn, analiste në European Council on Foreign Relations (ECFR) Këshillin Europian për Marrëdhëniet e Jashtme mendon ndryshe. Për të nuk ka rrugë tjetër. BE duhet të gjejë një përgjigje ndaj "rreziqeve të sigurisë për rrugët detare, që po shohim tani, sepse këto kanë efekt të drejtpërdrejtë në sigurinë ekonomike dhe interesat e saj ekonomike", thekson Lohns. Kjo sidomos, kur BE nuk qëndroi e bashkuar pas SHBA në këtë rast.

Tocci dhe Lohns janë të mendimit, se origjina e krizës aktuale në Detin e Kuq gjendet në Rripin e Gazës. Të dyja ekspertet shprehin keqardhjen që BE nuk ka një përgjigje unike për këtë krizë. Besueshmëria e BE në arenën ndërkombëtare është ulur, sidomos në rajonet që simpatizojnë me palestinezët. Prandaj është e nevojshme që të reagohet ndaj situatës në Jemen dhe mungesës së përgjithshme të stabilitetit në të gjithë Detin e Kuq, thekson Lohns me vështrim nga e ardhmja. Kjo kërkon përgjigje diplomatike, që është më shumë se "një përgjigje ushtarake, siç po ndodh tani"./DW

Sulmet e Houthi në Detin e Kuq po kërcënojnë ekonominë e Europës

Europa është kthyer në ballë të tensioneve të fundit gjeopolitike, një zhvillim që kërcënon të zgjerojë hendekun ekonomik të Kontinentit të Vjetër me SHBA- në.

Sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve në Detin e Kuq kanë bindur shumë gjigantë të anijeve që të zgjedhin rrugën më të sigurt, por më të gjatë dhe më të shtrenjtë në Afrikë, nëpërmjet Kepit të Shpresës së Mirë.

Megjithatë, devijimet kanë rritur kostot e transportit dhe kanë rritur shqetësimet për një krizë të re të zinxhirit të furnizimit, pasi shumë fabrika kanë pezulluar funksionimin për mungesë të pjesëve thelbësore.

Kriza e re mund të shkaktoj137 një asimetri në rritje midis Europës dhe SHBA-së. Si një prodhues i madh energjie, SHBA-ja doli më e fortë nga zinxhiri i ngjarjeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.

Dhe ndërsa disa nga importet e saj kalojnë përmes Kanalit të Suezit, pjesa e tyre është relativisht e vogël dhe Paqësori ofron një rrugë alternative për ngarkesat nga Azia.

Për momentin, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit janë modeste në krahasim me atë në fillim të 2020 dhe 2021, dhe ndikimi i tyre ekonomik duket tani për tani proporcionalisht më i vogël.

Edhe bizneset kanë mësuar nga pasojat e pandemisë dhe kanë rezerva më të mëdha sigurie.

Shefi i IKEA Jesper Brodin tha se konflikti në  Detin e  Kuq kishte zgjatur rrugët e transportit me rreth 10 ditë ose më shumë, por klientët e saj nuk u prekën.

“Dallimi i madh tani është se ne jemi rikuperuar nga pandemia. Kjo do të thotë se stoqet tona në magazinë janë në gjendje të mirë”, tha ai në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Në të njëjtën mënyrë, zinxhiri shumëkombësh Pepco theksoi se konflikti në Detin e Kuq ka pasur një efekt të kufizuar në disponueshmërinë e produkteve të tij, por situata mund të ndryshojë nëse kriza zvarritet pafundësisht, duke çuar në tarifa më të larta të mallrave dhe vonesa në kontejnerët për sa i përket periudhës së dorëzimit.

Në vazhdën e një pandemie globale dhe luftës më të madhe të Europës në tetë dekada, përshkallëzimi i konfliktit që filloi me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit është një kujtesë se perspektiva për ekonominë globale po formësohet gjithnjë e më shumë nga zhvillimet që aktorët nuk mund të parashikojnë politikën ekonomike. Anijet që udhëtojnë nëpër Detin e Kuq bartin rreth 40% të mallrave të tregtuara midis Europës dhe Azisë.

Houthit fillimisht pretenduan se kishin në shënjestër anijet izraelite ose ato që shkonin në portet e tyre, por në praktikë sulmet e tyre ishin pa dallim.

Kjo bëri që më shumë operatorë të devijojnë trafikun e tyre rreth Kepit të Shpresës së Mirë. Kriza në një nga korsitë më të ngarkuara të anijeve në botë ekspozon cenueshmërinë e ekonomisë së Kinës që varet nga eksporti.

Duke folur në takimin vjetor të fuqive në Davos, kryeministri kinez Li Qiang theksoi nevojën për të mbajtur zinxhirët e furnizimit global “të qëndrueshëm” pa përmendur në mënyrë specifike Detin e Kuq.

Por disa kompani, si BDI Furniture me bazë në SHBA, tani po mbështeten më shumë në fabrikat në vende si Turqia dhe Vietnami për të zbutur ndikimin e ndërprerjeve, mes lëvizjeve të fundit nga vendet perëndimore për të reduktuar varësinë e tyre nga Pekini mes tensioneve gjeopolitike.

Për Kinën tani është rreziku që firmat e tjera të ndjekin shembullin dhe të rivlerësojnë strategjinë e tyre, duke zgjedhur të importojnë prodhimin më afër shtëpisë.

Ndërprerjet e mëtejshme në Detin e Kuq do të shtojnë presionin ndaj një ekonomie kineze që tashmë po lufton me krizën e pronave, kërkesën e dobët të konsumatorit, zvogëlimin e popullsisë.

Një trazirë e zgjatur do të prishë planet evropiane për të ulur normat e interesit

Sulmet Houthi në Detin e Kuq kanë ndërprerë transportin detar në Kanalin e Suezit, rruga më e shpejtë detare midis Azisë dhe Europës, përmes së cilës kalon 12% e trafikut të kontejnerëve në botë.

Për ekonominë europiane, tashmë në një recesion të butë ndërsa përpiqet të zbusë inflacionin e lartë, një trazirë e zgjatur do të përbënte një rrezik të ri, duke prishur planet e bankierëve për të ulur normat e interesit.

Në terma makroekonomikë, pasojat variojnë nga të vogla në të papërfillshme. Ministria e financave e Gjermanisë theksoi këtë javë se ndikimi i vetëm i dukshëm deri më tani ka qenë vonesat e lehta në kohën e dorëzimit, me shefin e Bankës së Anglisë, Andreë Bailey, duke thënë se kriza “nuk ka pasur efektin që kishim frikë”.

Trazirat e reja gjeopolitike nuk janë shfaqur ende në treguesit kryesorë ekonomikë të Europës, por situate mund të ndryshojë.

Ndikimi i krizës në Europë do të varet kryesisht nga shtrirja dhe kohëzgjatja e ndërprerjes në rrugët tregtare detare.

Ekonomistët në Allianz Trade vlerësojnë se një dyfishim i kostove të mallrave për më shumë se tre muaj mund të rrisë inflacionin e eurozonës me tre të katërtat he të ulë rritjen ekonomike me gati 1%.

Me ekonominë e Eurozonës tashmë të dobësuar, kjo mund të çojë në një tkurrje brenda vitit 2024.

Situata në Detin e Kuq “duhet parë me shumë vëmendje” sepse mund të rrisë çmimet e energjisë dhe inflacionin, tha komisioneri i ekonomisë për BE-në, Paolo Gentiloni në fillim të javës.

Megjithatë, ka disa arsye pse trazirat në ekonominë e Europës mund të jenë më pak të rënda këtë herë. Një nga më kryesoret është se bizneset kanë përjetuar një sërë ndërprerjesh të zinxhirit të furnizimit vitet e fundit dhe tani janë më të përgatitura.

Përveç nivelit më të madh të gatishmërisë, mjedisi ekonomik është gjithashtu më ndryshe se gjatë pandemisë, një ngjarje që ka prekur zinxhirët e furnizimit në mbarë botën.

Kriza aktuale është kryesisht lokale, furnitorët kanë më shumë alternativa dhe shumë biznese tani mbajnë inventarë më të mëdhenj.

A munden politikanët europianë të injorojnë krizën e Detit të Kuq?

Natyrisht jo, sepse sa më gjatë të vazhdojnë trazirat, aq më shumë ka të ngjarë të ndikojë në tablonë më të gjerë ekonomike.

Bazuar në një vlerësim të FMN-së për ndikimin e rritjes së tarifave të mallrave, Oxford Economics tha se rritja e tarifave të transportit me kontejnerë do të rrishte me 0.6% inflacionin gjatë një viti.

BQE pret që inflacioni i Eurozonës të ulet nga 5.4% në 2023 në 2.7% këtë vit.

Netanyahu: Me mua në pushtet nuk do të ketë kurrë Palestinë

Izraeli nuk do të lejojë krijimin e një shteti të Palestinës. Këtë e konfirmoi vetë kryeministri Benjamin Netanyahu, duke pretenduar se kjo do të përbënte një sfidë ekzistenciale për shtetin hebre.

“Gaza duhet të çmilitarizohet dhe të vihet nën kontrollin e plotë të Izraelit. Nuk do të bëj kompromise me sigurinë. Këmbëngulja ime është ajo që ka penguar, me kalimin e viteve, krijimin e një shteti palestinez që do të përbënte një rrezik ekzistencial për Izraelin. 

Për sa kohë të jem kryeministër, do të vazhdoj të insistoj fuqishëm për këtë”, tha Benjamin Netanjahu, Kryeministër i Izraelit.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Netanyahu pritet që të përballet me një mocion votëbesimi në Knesset, parlamentin izraelit. Ai akuzohet nga disa deputetë se ka dështuar në lirimin e pengjeve të marrë nga Hamas në Gaza, më 7 tetor. Lidhur me këtë, qindra protestues u mblodhën jashtë godinës së parlamentit për të protestuar

A është gati Izraeli të shkëputet nga SHBA?

Netanyahu njoftoi se u kishte thënë diplomatëve amerikanë se ishte kundër krijimit të një shteti palestinez pas luftës së tanishme në Gaza. Kryeministri izraelit tha se “në çdo marrëveshje të ardhshme, Izraelit i duhet kontrolli i sigurisë mbi të gjithë territorin në perëndim të lumit Jordan.

Kjo bie ndesh me idenë e sovranitetit palestinez”. Ai shtoi se amerikanët ishin të vetëdijshëm për pikëpamjen e tij dhe se “kryeministri duhet të jetë i aftë t’u thotë jo miqve tanë”.

Kjo është drejtpërdrejt në kundërshtim me shumë nga deklaratat e tij të mëparshme publike për këtë çështje.

Në vitin 2009, gjatë një fjalimi në Universitetin Bar-Ilan, Netanyahu foli për dëshirën e tij për të parë “dy kombe të lira”, në vitin 2013, në të njëjtin universitet, ai foli për një shtet të çmilitarizuar palestinez.

Në vitin 2015, Netanyahu u tha Kombeve të Bashkuara se ai mbështeste “vizionin e dy shteteve për dy popuj”, dhe në një fjalim tjetër në OKB vitin e ardhshëm ai pretendoi se “nuk kishte hequr dorë nga paqja” dhe mbeti “i përkushtuar ndaj një vizioni” të paqes të bazuar në dy shtete për dy popuj”.

Si kritikët ashtu edhe mbështetësit e Netanyahut iu përgjigjën me skepticizëm këtyre deklaratave, jo më pak sepse, me përjashtim të fjalimeve të Bar-Ilan, ato zakonisht bëheshin në anglisht për një audiencë jashtë shtetit dhe nuk synonin të dëgjoheshin ose besoheshin nga baza e tij politike vendase.

E majta izraelite supozoi se ai po gënjen dhe e kuptoi se nuk mund të kishte “zgjidhje me dy shtete” me Bibin si kryeministër; E djathta gjithashtu i cilësoi këto si fjalë të pakuptimta dhe nuk u shqetësua se ai në të vërtetë donte të thoshte atë që tha.

Në të gjithë spektrin politik, u supozua botërisht se ai po e bënte këtë për të qetësuar amerikanët.

Kjo i shton një rëndësi shtesë komenteve: që Netanyahu po shpreh hapur kundërshtimin e tij ndaj një shteti palestinez dhe duke shtuar qartë se ai e ka informuar SHBA-në për këtë, duke treguar se ai nuk është më i interesuar të ruajë fasadën e tij të mëparshme.

Edhe pse në Perëndim nuk raportohet pothuajse, për disa dekada tani e djathta izraelite ka argumentuar se vendi duhet të largohet haptazi nga politika e SHBA-së dhe të çlirohet nga ndikimi amerikan, edhe nëse kjo do të thotë të rrezikojë ndihmën ushtarake prej 3.3 miliardë dollarësh që Izraeli merr çdo vit nga SHBA.

Kjo ndjenjë është zgjeruar me rëndësinë në rritje të lëvizjes së kolonëve në politikën e krahut të djathtë në Izrael, shumë prej të cilëve janë fundamentalistë fetarë dhe literalistë të shkrimeve të shenjta, të cilët argumentojnë se nuk kanë nevojë për SHBA-në pasi Zoti është në anën e tyre.

Sipas Perëndimit, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuar në një pikë ose se i pari është një partner i vogël në një projekt më të gjerë imperialist amerikan.

Por kjo injoron argumentin e gjatë të së djathtës izraelite që ata mund ta përballojnë pa ndihmën e SHBA-së si ushtarakisht ashtu edhe ekonomikisht, dhe se kjo do t’u japë atyre një liri më të madhe për të vepruar si të duan në lidhje me palestinezët.

Në vitin 1982, kryeministri i atëhershëm i Izraelit Menachem Begin i tha një senatori të ri të quajtur Joe Biden: “Mos na kërcënoni se do t’jua ndërpresim ndihmën.

Nuk do të funksionojë. Unë nuk jam një çifut që jetoj me frikë. Unë jam një hebre krenar me 3700 vjet histori të qytetëruar.” Ai vazhdoi: “Ne do t’i qëndrojmë parimeve tona. Ne do t’i mbrojmë. Dhe, kur të jetë e nevojshme, ne do të vdesim përsëri për ta, me ose pa ndihmën tuaj.”

Sot, duket sikur Netanyahu është i përgatitur të përmbushë premtimet ose kërcënimet të një prej paraardhësve të tij si udhëheqës i Likud.

Nëse ai është në gjendje ta bëjë, kjo sugjeron një të ardhme shumë më të errët për rajonin dhe popullin palestinez, një të ardhme në të cilën Izraeli operon me edhe më pak shqetësime për presionin diplomatik ose opinionin ndërkombëtar, dhe pa asnjë shqetësim për përçmimin amerikan.

Megjithatë ditët e Netanyahut janë të numëruara. Ai e di se nuk do të rizgjidhet më dhe objektivi i tij kryesor është të mbajë koalicionin e tij të bashkuar, të shmangë zgjedhjet dhe të qëndrojë në pushtet.

Prandaj, deklarata e djeshme duhet parë në këtë këndvështrim: më shumë si një hapje politike ndaj partnerëve të koalicionit të krahut të djathtë si Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich sesa një parashikim i politikës izraelite gjatë viteve të ardhshme.

Sado e pashpresë të duket tani, ekziston mundësia e krijimit të një shteti palestinez.

Vetëm jo me Bibin në krye. /Nga David Swift, Unherd

Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të takohen me homologët izraelit dhe palestinez

Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet që sot të zhvillojnë një takim të veçantë me homologët e tyre izraelit dhe palestinez mbi perspektivat për një paqe të qëndrueshme.

Ky takim vjen pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar thirrjet për një zgjidhje me dy shtete.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka akuzuar Izraelin për “krijimin” dhe “financimin” e Hamasit, gjë që sipas tij dërgon në zvogëlimin e mundësive për krijimin e një shteti palestinez, shkruan The Guardian.

Gjithashtu, ai ka këmbëngulur se e vetmja mënyrë që të arrihet një paqe e qëndrueshme në rajon është që një zgjidhje me dy shtete “të imponohet nga jashtë”.

27 ministrat e BE-së së pari do të takohen me ministrin e jashtëm izraelit, Israel Katz, përpara se të bisedojnë veçmas me kryediplomatin e Autoritetit Palestinez, Riyad-al-Maliki.

Katz dhe Maliki nuk pritet të takohen me njëri-tjetrin.

Bisedime me ministrat evropianë do të zhvillojnë edhe ministrat e jashtëm të Egjiptit, Jordanisë, dhe Arabisë Saudite.

Zyrtarët e BE-së gjithnjë e më shumë po bëjnë thirrje për përfundim të luftës në Gazë, për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit, duke e vendosur Autoritetin Palestinez në krye të territorit. 

Sulmi izraelit vrau një luftëtar të Hezbollahut, thuhet se komandanti i shpëtoi vdekjes

Një sulm izraelit vrau një luftëtar të Hezbollahut të dielën në Libanin jugor, tha një burim i afërt me grupin për Agence France-Presse.

Sipas një zyrtari libanez të sigurisë, goditja në makinë në Libanin jugor “vrau një anëtar i ekipit mbrojtës të Hezbollahut”.

Ai shtoi se komandanti i lartë që ai mbronte “i shpëtoi vdekjes”, raporton CNN.

Zyrtari i sigurisë gjithashtu tha se komandanti i Hezbollahut ishte në një automjet me tre persona të tjerë pas makinës që u godit.

Një tjetër burim i afërt me Hezbollahun konfirmoi se një luftëtar i Hezbollahut ishte vrarë, por mohoi që një zyrtar i nivelit të lartë të kishte qenë objektivi i sulmit. Burimi shtoi se nga goditja ka lënduar edhe një civile e cila ndodhej në zonën e sulmit.

Sipas AFP, media shtetërore e Libanit raportoi një vdekje në një sulm izraelit me dron në Kafra, një fshat afër kufirit.

“Sulmi që synoi një makinë në Kafra vrau një person ndërsa të tjerët pësuan lëndime mesatare dhe të lehta”, tha Agjencia Kombëtare e Lajmeve (NNA).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat