A do të fillojë luftën Koreja e Veriut këtë vit?

Azia

A do të fillojë luftën Koreja e Veriut këtë vit?

Më: 22 janar 2024 Në ora: 13:42
Koreja e Veriut teston armë nën ujë

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un e mbylli vitin 2023 me një fjalim të zjarrtë politik drejtuar udhëheqjes së Partisë Komuniste. Ai hodhi poshtë mundësinë e ribashkimit paqësor me Korenë e Jugut. Ai e përshkroi marrëdhënien midis dy Koreve si "midis dy vendeve armiqësore dhe dy palëve ndërluftuese", raportoi KCNA.

Kim bëri thirrje për një zgjerim "eksponencial" të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut dhe një rritje të testimit të raketave balistike. Ai premtoi se do të lëshojë tre satelitë të rinj për spiunim. Në fjalimin e tij, Kim akuzoi Korenë e Jugut dheShtetet e Bashkuara të Amerikës për "lëvizje të pamatura" në përgatitje për një "pushtim" dhe paralajmëroi se "lufta në Gadishullin Korean mund të shpërthejë në çdo kohë".

Koreja e Veriut testoi ​​një numër rekord raketash në vitin 2023, duke përfshirë atë që pretendoi në dhjetor se ishte një raketë balistike ndërkontinentale me aftësi bërthamore që mund të godiste objektivat kudo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fund të vitit të kaluar, ajo testoi edhe një raketë që lëshoi ​​një satelit spiun në orbitë. Koreja e Veriut njoftoi se kishte lëshuar me sukses një raketë balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi të dielën (14 janar).

Image
Kim Jong Un gjatë një fjalimi në TVFotografi: Ahn Young-joon/AP Photo/picture alliance

Koreja e Jugut kumtoi më 6 janar se Koreja e Veriut kishte gjuajtur të paktën 60 predha artilerie në ujërat pranë ishullit të Koresë së Jugut të Jeonpyeong, afër kufirit midis dy Koreve.

Përveç kësaj, satelitët amerikanë kanë zbuluar modernizimin dhe zgjerimin e një kompleksi kimik të Koresë së Veriut pranë qytetit Manpo, i lidhur me prodhimin e kimikateve të përdorura për karburantin e raketave dhe reagentët për armët bërthamore. Në dhjetor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) raportoi se një reaktor i dytë bërthamor në Yongbyon ishte funksional dhe mund të përdoret për të prodhuar ngarkesa armësh.

Situata më e rrezikshme se më parë

"38 North", një faqe interneti e drejtuar nga instituti Stimson me qendër në Uashington, paralajmëroi se lëvizjet e fundit të Kim mund të shkojnë përtej propagandave të zakonshme.

Robert Karlin, ish-kreu i Divizionit të Azisë Verilindore të Departamentit të Shtetit, dhe Siegfried Hecker, profesor i studimeve të mospërhapjes bërthamore në Institutin Middlebury për Studime Ndërkombëtare në Monterey, paralajmërojnë se situata e sigurisë në Gadishullin Korean është "më e rrezikshme se kurrë më parë, që nga qeshori i vitit 1950”, kur shpërtheu Lufta Koreane. "Kjo mund të tingëllojë tepër dramatike, por ne besojmë se, ashtu si gjyshi i tij në vitin 1950, Kim Jong Un mori një vendim strategjik për të shkuar në luftë”, thuhet në artikull.

"Ne nuk e dimë se kur apo si Kim planifikon të tërheqë këmbëzën, por rreziku është tashmë më i madh se paralajmërimet rutinë në Uashington, Seul dhe Tokio për ‘provokimet' e Phenianit”, thonë ata. "Tema e përgatitjes për luftë në mediat e Koresë së Veriut nuk është shfaqur që nga fillimi i vitit të kaluar vetëm si një zhurmë tipike”, përfunduan ata në faqen e internetit.

Çfarë ka ndryshuar?

Analistët thonë se paralajmërimi i tyre është bazuar tek braktisja e regjimit të Koresë së Veriut nga qëllimi i tij i kahershëm për "normalizimin" e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Pheniani tani mund të besojë se një normalizim i tillë është i pamundur.

Image
Televizionet në Korenë e Veriut i kushtojnë shumë vëmendje armatimeveFotografi: Jung Yeon-je/AFP

Është "vendimtare” të kuptojmë se "sa i vërtetë ka qenë qëllimi kryesor për përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara për të tre Kim-ët që kanë udhëhequr Korenë e Veriut”, thuhet në artikull. "Heqja e plotë e këtij qëllimi ka ndryshuar thellësisht peizazhin strategjik brenda dhe përreth Koresë”, shtuan analistët.

Dështimi i samitit në Hanoi 2019 midis Kim dhe ish-presidentit amerikan, Donald Trump ishte një "humbje traumatike e fytyrës për Kim". Bisedimet u përqëndruan në mundësinë e lehtësimit të sanksioneve në këmbim të premtimit të Koresë së Veriut për të mbyllur programin e saj të armëve, por asnjëra prej tyre nuk funksionoi.

Pesë vjet më vonë, Koreja e Veriut beson se "ka ardhur koha për të sfiduar status quo-në", thonë analistët. Veriu po zhvillon lidhje me Rusinë duke mbështetur luftën e Moskës në Ukrainë me raketa artilerie. Në të njëjtën kohë, Pheniani beson se Shtetet e Bashkuara janë në "tërheqje globale".

"Racionaliteti" i Koresë së Veriut

Megjithatë, analistë të tjerë janë skeptikë ndaj pretendimit se Koreja e Veriut po përgatitet të nisë një luftë. "Thirrjet për t'u armatosur për luftë nuk janë të rralla në Korenë e Veriut”, tha Garen Maloy, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Daito Bunka në Tokio dhe një specialist në çështjet ushtarake. "Ne nuk duhet të jemi të vetëkënaqur dhe të themi se kjo është e kotë, por as të imagjinojmë se kjo do të thotë luftë”, tha ai për DW.

Sipas tij, është shqetësuese që "çdo shenjë dobësie perëndimore" në Lindjen e Mesme, në Ukrainë apo gjetkë, mund t'i lërë përshtypjen Kim-it "se kjo është një mundësi unike për t'u futur në luftë."

Rio Hinata-Yamaguchi, asistent profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Tokios, beson se momenti aktual nuk është në favor të Koresë së Veriut nëse dëshiron të hyjë në një aventurë lufte. "Veriu ka bërë përparim në raportet me Kinën dhe Rusinë si aleatë dhe nuk shoh asnjë arsye pse ata do të dëshironin të luftonin në këtë pikë”, tha ai për DW.

"Koreja e Veriut mund të bazohet tek mbështetja e Moskës dhe Pekinit, por nuk u beson aq sa duhet për të qenë i sigurt se do t'i vijnë në ndihmë në rast lufte”, shtoi ai. Ai beson se lidershipi i Koresë së Veriut nuk është budalla dhe se Kim dhe motra e tij (Kim Yo Jong) po përdorin fjalët si levë strategjike, duke sugjeruar veprime që sinjalizojnë luftë por që nuk synojnë të shkojnë aq larg.

Image
Donald Trump dhe Kim Jong Un, takim i 27 shkurtit 2019Fotografi: Evan Vucci/AP Photo/picture alliance

"Megjithatë, shqetësimi im i madh nuk është aq shumë një sulm i mundshëm i planifikuar ndaj Koresë së Jugut apo Japonisë, por kërcënimet me armë që mund të çojnë në keqkuptime dhe konflikte të paqëllimshme”.

Megjithatë, Karlin dhe Hecker këmbëngulin se bota duhet të marrë në konsideratë seriozisht skenarin e rastit më të keq dhe se Koreja e Veriut "mund të planifikojë të sillet në një mënyrë që kundërshton plotësisht llogaritjet tona". Kjo përfshin "argumentin rutinë tani që Kim Jong Un nuk do të guxonte" të niste një sulm ndaj Koresë së Jugut ose pozicioneve ushtarake të SHBA-së, sepse ai "e di" se Uashingtoni dhe Seuli do të "shkatërronin regjimin e tij nëse do ta bënte këtë".

Nga ana tjetër, Malloy tha se narrativa e Koresë së Veriut që nuk ka alternativa veç luftës – sepse nuk ka arritur marrëveshje me SHBA-në – "kapërcen shumë boshllëqe në logjikë”. "Kim nuk është një i çmendur, ai është një aktor shumë racional”, tha Malloy, duke vënë në dukje se diktatori i Koresë së Veriut përfiton nga një aleancë më e ngushtë me Rusinë. Sipas tij, regjimi i Kim aktualisht nuk tregon shenja të mosmarrëveshjeve serioze apo të ndonjë kolapsi të brendshëm./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat