LIVE: Houthi vjen me thirrjen e fortë ndaj amerikanëve dhe britanikëve; OKB reagon e shqetësuar për Gazën

Azia

LIVE: Houthi vjen me thirrjen e fortë ndaj amerikanëve dhe britanikëve; OKB reagon e shqetësuar për Gazën

Nga: Bota sot Më: 23 janar 2024 Në ora: 06:43 Përditësuar në ora: 21:12 më 23.01.2024
Khan Yunis, qytet në Rripin jugor të Gazës

Houthi u kërkon punonjësve të ndihmës britanike dhe amerikane të largohen nga Jemeni

Punonjësve të ndihmës britanike dhe amerikane u është kërkuar të largohen nga Jemeni nga autoritetet Houthi në vend, raporton Skynews duke iu referuar një letre të parë.

Në letrën drejtuar koordinatorit të Kombeve të Bashkuara të vendit, ministria e punëve të jashtme e kontrolluar nga Houthi kërkon që punonjësit e ndihmës me shtetësi amerikane dhe britanike të largohen brenda 30 ditëve.

Kjo pason grupin e dytë të sulmeve ajrore të përbashkëta të Mbretërisë së Bashkuar dhe ShBA-së kundër forcave Houthi, që synojnë ndalimin e bastisjeve ndaj anijeve në Detin e Kuq.

Letra gjithashtu u bën thirrje agjencive të ndihmës që të mos rekrutojnë asnjë punonjës me shtetësi të dyfishtë nga Mbretëria e Bashkuar dhe ShBA-ja në 30 ditët e ardhshme.

Shefi i OKB-së: 100 ditët e fundit, katastrofike për civilët palestinezë në Gaza

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka shprehur shqetësimet e tij në këshill mbi situatën në Gaza.

Në një fjalim ai ka thënë se 100 ditët e fundit kanë qenë zemërthyese dhe katastrofike për civilët palestinezë në Gaza.

“Unë do të vazhdoj në kapacitetin tim të kufizuar të ndjek të gjitha përpjekjet për të punuar për lirimin e tyre [të robërve izraelitë]”, ka thënë Guterres.

“100 ditët e fundit kanë qenë zemërthyese dhe katastrofike për civilët palestinezë në Gaza. Ditët e fundit, ofensiva ushtarake është intensifikuar në Khan Younis me shumë viktima të tjera”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka thënë se e gjithë popullsia e Gazës po përjeton shkatërrim në një shkallë dhe shpejtësi të paprecedentë në historinë e fundit.

“Tragjikisht, 153 kolegë tanë janë vrarë, një burim pikëllimi pa fund për të gjithë ne”, është shprehur Guterres.

Të paktën 40 të vrarë në Khan Younis që nga mëngjesi i sotëm

Burimet mjekësore i thonë Al Jazeera se trupat e të paktën 40 palestinezëve janë dërguar në spitalet në dhe rreth qytetit jugor të Rripit të Gazës.

Ata thanë gjithashtu se sulmet e vazhdueshme izraelite në qytet kanë penguar ekipet mjekësore të hyjnë për të nxjerrë trupat e dhjetëra të vdekurve të tjerë.

Khan Yunis është një qytet në Rripin jugor të Gazës.

Sipas Byrosë Qendrore Palestineze të Statistikave, Khan Yunis kishte një popullsi prej 205,125 në 2017.

Sulmet amerikano-britanike, Houthi: Nuk do të mbeten pa ndëshkuar

Sulmet kundër Houthi, të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar në Jemen, nuk do të mbeten “të pandëshkuara”, paralajmëruan rebelët jemenas në njoftimin e tyre të sotëm, duke thënë se gjatë natës janë kryer 18 bastisje kundër pozicioneve të tyre.

“Këto sulme nuk do të mbeten pa përgjigje dhe pa u ndëshkuar,” tha zëdhënësi ushtarak Houthi, Yahya Shari në një postim në rrjetin social X, duke sqaruar se sulmet u kryen kundër provincave Sana’a, Hodeidah, Taez dhe Al-Bayda.

Ndërkohë në Londër, Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, paralajmëroi sot, pas sulmeve të reja ajrore nga Londra dhe Uashingtoni kundër rebelëve jemenas, se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të “zvogëlojë aftësinë” e Houthi për të kryer sulme në Detin e Kuq.

“Ajo që ne kemi bërë përsëri është të dërgojmë mesazhin më të qartë se ne do të vazhdojmë të zvogëlojmë aftësinë e Houthi për të kryer sulme,” tha ministri.

Lufta sprovon zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez

Disa muaj luftime vdekjeprurëse në mes të Izraelit dhe Hamasit i kanë rritur dilemat ndërmjet liderëve izraelitë dhe atyre palestinezë për të ardhmen, duke e testuar kredibilitetin e një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin.

Ndërmjetësuesit me dekada kanë insistuar se palestinezët dhe izraelitët mund të jetojnë afër njëri-tjetrit në dy shtete të ndara sovrane.

Mirëpo, lufta Izrael-Hamas, e nisur më 7 tetor 2023, i ka çuar diskutimet për zgjidhje potenciale afër një pike thyerjeje.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përsëritur javën e kaluar kundërshtimet për një sovranitet palestinez, duke i zemëruar aleatët e huaj, të cilët insistojnë në të drejtën e palestinezëve për shtetësi.

Nga erdhi ideja?

Koncepti për dy shtete ka lindur në vitet 1930, dhe është mbështetur prej migrantëve hebrenj, të cilët janë vendosur në atë që njihej si Palestinë e udhëhequr prej britanikëve.

Më 1947, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar një propozim për shtete të ndara hebreje dhe arabe, duke e hapur rrugën për krijim të Izraelit në vitin pasues.

Kush e ka kundërshtuar?

Disa liderë palestinezë dhe arabë e kanë kundërshtuar shtetin hebre, në atë që e kanë konsideruar tokë arabe.

Plani i OKB-së për ndarje dhe krijim të Izraelit ka nxitur më pas luftën arabo-izraelite më 1948-1949.

Izraeli ka dalë më i fuqishëm pas konfliktit, duke marrë më shumë territor, ndërsa shteti palestinez është zhdukur ende pa lindur, dhe palestinezët janë përballur me zhvendosje masive.

Më 1964, Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) është formuar me qëllim të krijimit të një shteti palestinez mbi gjithë territorin e Palestinës së dikurshme.

Një luftë arabo-izraelite më 1967 ka përfunduar me Izraelin që ka marrë nën kontroll tokat palestineze, Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës.

Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe Qeveria pasuese izraelite i ka inkurajuar izraelitët që të ndërtojnë vendbanime në territoret palestineze.

Sipas ligjit ndërkombëtar, këto territore palestineze janë të pushtuara, dhe vendbanimet izraelite në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor janë ilegale.

A ka qenë paqja ndonjëherë afër?

Shpresat për paqe janë rritur në fillim të viteve ’90 me Akordet e Oslos, të arritura pas bisedimeve sekrete izraelito-palestineze në kryeqytetin norvegjez.

Ato kanë krijuar një shkallë të kufizuar të vetëqeverisjes për palestinezët dhe kanë pasur qëllim marrjen e disa masave të përkohshme që do të çonin në shtetësi palestineze, mirëpo bisedimet më vonë kanë ngecur.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë përpjekjet e fundit serioze më 2013, ka thënë Xavier Guignard nga Instiuti Noria me bazë në Paris.

“Politikisht, ne kemi parë zero përpjekje qysh atëherë”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve AFP.

Liderë të huaj kanë paralajmëruar që zgjerimi i vendbanimeve izraelite mund të kërcënojë krijimin e një shteti palestinez në të ardhmen.

Çfarë thonë liderët?

Autoriteteti Palestinez, që ka dalë prej PLO-së dhe e njeh Izraelin, mbështeti formalisht zgjidhjen me dy shtete.

Presidenti palestinez, Mahmud Abbas, ka bërë thirrje në shtator për një konferencë ndërkombëtare për këtë çështje, duke thënë se “mund të jetë shansi i fundit për të realizuar zgjidhjen e dy shtete”.

Më 2017, Hamasi e ka pranuar në parim, për herë të parë, shtetin palestinez me kufijtë para luftës së vitit 1967, duke mos e njohur Izraelin.

Netanyahu e ka kundërshtuar vazhdimisht shtetësinë palestineze gjatë karrierës së tij politike, derisa Guignard ka thënë se rritja e fraksioneve nacionaliste në politikën izraelite ka ndikuar në rritje të kundërshtimeve ndaj asaj ideje.

Çfarë mendojnë njerëzit?

Sondazhet e opinionit publik kanë treguar që zgjidhja me dy shtete ka pësuar rënie dramatike të mbështetjes në të dyja anët.

Një sondazh i Institutit Pew me izraelitët hebrenj, para nisjes së luftës aktuale Izrael – Hamas, ka treguar që mbështetja ka rënë prej 46 për qind më 2013, në 32 për qind vitin e kaluar.

Njësondazh i Gallupit, po ashtu para luftës, ka gjetur se mbështetja e palestinezëve në Gazë dhe Bregun Perëndimor, ka rënë prej 59 për qind më 2012, në 24 për qind vitin e kaluar.

Disa grupe palestineze kanë preferuar për kohë të gjatë idenë e një shteti të vetëm me të drejta të barabarta për të gjithë.

Çfarë ka ndryshuar gjatë luftës në Gazë?

Në skenën botërore, lufta Izrael-Hamas ka gjeneruar momentum të ri, pasi liderët kanë bërë thirrje publike për zgjidhje të konfliktit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë javën e kaluar se është “e papranueshme” që t’iu mohohet palestinezëve e drejta për shtetësi.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka përsëritur vazhdimisht kërkesën për dy shtete, dhe javën e kaluar ka thënë se ekzistojnë “një mori llojesh të zgjidhjeve me dy shtete”, si referencë për çmilitarizim të shtetit palestinez.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Abbasi është pajtuar për reforma që potencialisht të bashkohen Gaza e udhëhequr prej Hamasit me Bregun Perëndimor të pushtuar prej Izraelit, nën Autoritetin Palestinez.

Ministri i Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan, ka thënë javën e kaluar në Riad se nuk do të marrë pjesë në bisedimet për njohje të Izraelit pa një armëpushim në Gazë dhe pa krijim të shtetit palestinez.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, e përkrah me dy duart zgjidhen me dy shtete dhe i ka kritikuar së fundi liderët izraelitë.

“Çfarë zgjidhjesh tjera keni në mendje? Që t’i detyroni të gjithë palestinezët që të largohen? T’i vrisni ata?”, ka pyetur Borrell të hënën.

Ish-shefi i Hamasit, Khaled Meshaal, e ka konsideruar zgjidhjen me dy shtete si “ide të vjetër” të çuar përpara prej Perëndimit.

Netanyahu ka insistuar që Izraeli duhet të ketë “kontrollin e sigurisë mbi gjithë territorin prej perëndimit të lumit Jordania”, zonë që përfshin të gjitha territoret palestineze.

Me pozicione të tilla kaq të ndara, analistët si Guignard kanë pak shpresa për një zgjidhje me dy shtete në të ardhmen.

Netanyahu: Do të luftojmë derisa të fitojmë

Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa të fitojë, tha Benjamin Netanyahu pasi forcat e tij shënuan ditën e tyre më vdekjeprurëse që nga shpërthimi i konfliktit në Gaza.

Gjithsej 24 ushtarë u vranë në dy incidente në enklavën e rrethuar, sipas ushtrisë izraelite.

“Dje përjetuam një nga ditët më të vështira që nga shpërthimi i luftës. Në emër të heronjve tanë, ne nuk do të ndalemi derisa të fitojmë”, tha ai.

Ai tha se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kishin hapur një hetim për incidentin.

Dhjetëra të vrarë gjatë luftimeve mes forcave të Izraelit dhe Hamasit

Forcat izraelite kanë vazhduar me sulme ajrore dhe ofensivë tokësore në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, ku raportohet për dhjetëra viktima. Ndërkohë, mediumet e ndryshme kanë njoftuar se Izraeli ka përgatitur një propozim të ri për armëpushim dymujor, në këmbim të lirimit të të gjitha pengjeve që mbahen nga Hamasi.

Forcat Izraelite kanë vazhduar me sulme ajrore dhe operacione tokësore në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës. Por, raportet e ndryshme thonë se pjesa më e madhe dhunës është përqendruar në Khan Younes ku, sipas raporteve, po zhvillohen përleshjet më të ashpra mes Forcave Mbrojtëse të Izraelit dhe luftëtarëve të Hamasit që nga fillimi i këtij viti.

Sipas njoftimeve, forcat izraelite bastisën edhe spitalin Al Khair në Khan Younes ku arrestuan disa anëtarë të stafit mjekësor. Burimet e ndryshme thonë se, si pasojë e luftimeve në Khan Younes, janë konfirmuar së paku 68 viktima por besohet se ky numër mund të jetë edhe më i madh pasi që përleshjet në lagje të ndryshme të qytetit ende vazhdojnë.

Edhe pse Tel Avivi nuk ka komentuar rreth bastisjes në spitalin Al Khair, më herët Izraeli bëri të ditur se pjesa më e madhe e udhëheqësisë së Hamasit është përqendruar në Khan Younes dhe shtuan se forcat Izraelite do t’i intensifikojnë operacionet në këtë qytet dhe rrethinat e tij.

Ndërkohë, mediumet e ndryshme kanë raportuar se autoritetet izraelite kanë përgatitur një propozim të ri për armëpushim me Hamasin. Sipas njoftimeve, propozimi parasheh një armëpushim dy mujor por, me kusht që Hamasi i liron të gjitha pengjet që ende mbahen në Rripin e Gazës. Raportet gjithashtu thonë se propozimi parasheh kthimin e përshkallëzuar të banorëve të zhvendosur të Gazës dhe garancionin se pas dy muajve, kur Izraeli të rinisë operacionet, ato do të zhvillohen me intensitet dhe fushëveprim shumë më të vogël. Deri më tani nuk ka komente nga Hamasi rreth këtyre raporteve.

OKB: Civilët palestinezë në Gaza kanë nevojë për më shumë ndihmë për të mbijetuar

Pothuajse e gjithë popullata e Rripit të Gazës përballet me një krizë humanitare, thonë organizatat e ndihmës. Miliona njerëz janë zhvendosur që nga 7 tetori dhe ata po përpiqen të qëndrojnë të ngrohtë ndërsa temperaturat e dimrit dhe shirat kanë filluar.

Më pak se një javë në luftën Izrael-Gaza, Kombet e Bashkuara i bënë thirrje botës duke i kërkuar afro 300 milionë dollarë ndihmë për të ndihmuar palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor, përfshirë Jeruzalemin Lindor. Brenda një muaji, shifra pothuajse u katërfishua pasi i gjithë Rripi i Gazës u zhyt në një katastrofë humanitare

Tre muaj pas luftës, donatorët ndërkombëtarë, kryesisht qeveritë, kanë siguruar pak më shumë se gjysmën e fondeve të kërkuara përmes planit të OKB-së, sipas të dhënave nga Shërbimi i Ndjekjes Financiar i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

Shifrat tregojnë se vetëm katër të pestat e fondeve emergjente të nevojshme për të garantuar sigurinë ushqimore dhe afërsisht një e katërta e asaj që nevojitet për strehim, ujë dhe kanalizime janë siguruar.

Edhe para luftës së Izraelit me Hamasin në Gaza, enklava ka qenë ndër përfituesit kryesorë në botë të ndihmës për frymë për vite me radhë. Para luftës, katër në pesë njerëz vareshin nga ndihma ndërkombëtare dhe deri në 1.84 milionë njerëz ishin të pasigurt ushqimor, sipas Programit Botëror të Ushqimit.

SHBA dhe Britania kryejnë sulme të reja ndaj grupit Houthi në Jemen

Shtetet e Bashkuara dhe forcat britanike kryen një raund të ri sulmesh kundër objektivave të grupit Houthi në Jemen, thanë të hënën tre zyrtarë amerikanë. Sulmet kundër grupit të lidhur me Iranin, që Shtetet e Bashkuar e kanë rikthyer në listën e organizatave terroriste, janë mes masave ndëshkuese për sulmet ndaj anijeve të transportit të mallrave në Detin e Kuq.

Sipas zyrtarëve, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe përdorën raketa “Tomahawk” të lëshuara nga anije luftarake dhe nëndetëse dhe avionë luftarakë për të shkatërruar qendrat e magazinimit të raketave të rebelëve Houthi, dronët dhe sistemet e lëshimit të raketave. Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se Australia, Bahreini, Kanadaja dhe Holanda kontribuan në këtë mision, duke përfshirë edhe me informacione zbulimi dhe vëzhgimi.

Udhëheqësit e grupit Houthi, të cilët kontrollojnë pjesët më të populluara të Jemenit, kanë pohuar se sulmet e tyre janë në solidaritet me palestinezët e sulmuar nga Izraeli në Rripin e Gazës.

Zyrtarët, duke folur në kushte anonimiteti, nuk dhanë hollësi mbi numrin e objektivave të goditura. Në të kaluarën, forcat e Shteteve të Bashkuara dhe ato të Britanisë kanë goditur kryesisht sistemet raketore dhe radarët e grupit Houthi.

Sulmet rebelëve të grupit Houthi ndaj anijeve tregtare kanë ndërprerë transportin global të mallrave, që kalon përmes Detit të Kuq dhe kanë ngjallur frikën e rritjes së inflacionit. Veprimet e tyre gjithashtu kanë rritur shqetësimin se lufta Izrael-Hamas mund të destabilizojë Lindjen e Mesme.

Megjithatë, sulmet e shumta të Shteteve të Bashkuara gjatë muajit të kaluar nuk kanë arritur të ndërpresin sulmet e grupit Houthi ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Anijet me kontejnerë kanë pezulluar lëvizjet në Detin e Kuq dhe kanalin Suezit, rruga më e shpejtë e dergimit të mallrave nga Azia në Evropë dhe anasjelltas. Shumë anije janë detyruar të ndjekin rrugën e gjatë rreth Afrikës përmes Kepit të Shpresës së Mirë për të vazhduar operacionet e transportimit të mallrave./voa

Kundëradmirali amerikan: Irani, drejtpërdrejt i përfshirë në sulmet ndaj anijeve tregtare

Irani është “i përfshirë drejtpërdrejt” në sulmet që rebelët e grupit Houthi të Jemenit kanë kryer ndaj anijeve, në të njëjtën kohë që vazhdon lufta mes Izraelit dhe Hamasit, tha të hënën për agjencinë e lajmeve Associated Press komandanti i lartë i forcave ushtarake detare të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, kundëradmiral, Brad Cooper.

Ai nuk tha se Teherani udhëhoqi sulmet e grupit Houthi në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.

Megjithatë, zoti Cooper pranoi se sulmet e lidhura me Iranin janë intensifikuar dhe nuk paraqesin rrezik vetëm për Gjirin Persik dhe ngushticën e Hormuzit, si deri më tani, por gjerësisht për tërë rrugët detare Lindjen e Mesme,

“Është e qartë se veprimet e Houthi-ve, pra sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare, janë më të konsiderueshmet që kemi parë përgjatë dy gjeneratave,” i tha ai agjencisë së lajmeve Associated Press në një intervistë telefonike.

“Faktet tregojnë qartë se po sulmojnë komunitetin ndërkombëtar; dhe besoj reagimin ndërkombëtar e keni parë”.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara dhe drejtuesit e grupit Houthi në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, nuk iu përgjigjën një kërkese për koment nga ana e agjencisë së lajmeve.

Megjithatë, më vonë, rebelët Houthi pretenduan se kishin sulmuar një anije me flamur amerikan, pretendim që nuk qe e mundur të konfirmohej në mënyrë të pavarur.

Që prej muajit nëntor, rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë kryer 34 sulme ndaj anijeve përgjatë rrugëve detare që të çojnë për në kanalin e Suezit në Egjipt, një rrugë jetike anijet e transportit që vijnë nga Azia dhe Lindja e Mesme drejt Evropës.

Gjatë ditëve të fundit, Shtetet e Baskuara kanë kryer një sërë sulmesh ajrore ndaj grupit Houthi, që kanë patur si objektiv bazat ajrore nën kontrollin e rebelëve.

Në intervistë, komandanti i marinës pranoi kërcënimin që paraqesin grupit e lidhura me Iranin dhe se shpërndarja e armëve prej tij po shtrihej nga Deti i Kuq deri në skajet e largëta të Oqeanit Indian. Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Iranin për sulmet e fundit me dron ndaj anijeve. Një anije mallrash në pronësi të SHBA-ve u sulmua nga rebeletë Houthi në Gjirin e Adenit javën e kaluar.

Irani nuk është përfshirë drejtpërdrejt në sulme ndaj Izraelit apo Shteteve të Bashkuara, që prej fillimit të luftës në Gazë më 7 tetor. Megjithatë, zoti Cooper pohoi se Irani kishte nxitur drejtpërdrejt sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve.

“Është shumë e qartë se Irani po i financon, ata po ofrojnë burime, po furnizojnë dhe po ofrojnë trajnime,” tha zoti Cooper. “Nuk ka dyshim që ta janë të përfshirë shumë drejtpërdrejt. Ky nuk është sekret”, tha ai.

Zoti Cooper i cilësoi sulmet ndaj anijeve në Lindjen e Mesme, si më të rëndat që nga e ashtuquajtura Lufta e Tankeve të viteve 1980. Ajo arriti kulmin në një betejë detare njëditore midis Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa Amerika rrëzoi aksidentalisht një avion pasagjerësh iranian, duke vrarë 290 persona.

Fakti që zoti Cooper iu referua tensioneve të më shumë se tre dekadave më parë, tregon se sa e pasigurtë është bërë situata në Lindjen e Mesme, ndërsa shtohen shqetësimet për një përshkallëzimt të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Kundëradmiralit Brad Cooper i mbaron mandati në detyrë në shkurt, me ardhjen e pritshme të kundëradmiralit George Wikoff në Bahrein.

Ndërsa përgatitet të largohet, ai vuri në dukje se marina dhe transportuesit tregtarë ende përballen me një kërcënim serioz nga grupi Houthi.

“Ajo që na nevojitet është një vendim i grupit Houthi për të ndërprerë sulmet ndaj anijeve tregtare ndërkombëtare. Pikë.”, tha zoti Cooper./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat