LIVE: Vazhdojnë sulmet e ashpra në Gaza; SHBA dhe Britania ‘godasin’ rebelët e Houthit

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet e ashpra në Gaza; SHBA dhe Britania ‘godasin’ rebelët e Houthit

Nga: Bota sot Më: 25 janar 2024 Në ora: 07:47 Përditësuar në ora: 18:51 më 25.01.2024
Pamje nga Gaza

OKB: Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës tani jeton në zonën e mbipopulluar Rafah

Në zonën Rafah në jug të Rripit të Gazës, më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës tani jeton përballë përkeqësimit të kushteve sanitare dhe rritjes së urisë, njoftoi këtë të enjte OKB.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) paralajmëroi se një përshkallëzim i mëtejshëm i dhunës në zonë “mund të ketë pasoja të rënda për më shumë se 1.3 milion banorë” që janë strehuar atje.

Qindra mijëra njerëz të zhvendosur janë tani në rrugët e Rafah-ut dhe qytetit më të madh të Gazës jugore, Khan Younis, “duke jetuar në strehimore të improvizuara në kushte të mjerueshme, me pak ose aspak akses në ushqim, ujë, ilaçe dhe strehim të duhur“, tha OCHA.

Mungesa e ujit ka përkeqësuar edhe kushtet sanitare dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), janë regjistruar 158,000 raste të diarresë. U grumbulluan rreth 50,000 ton mbetje të ngurta.

Më shumë se 650,000 njerëz në Gaza nuk kanë më shtëpi ku të kthehen pas luftës dhe shumë të tjerë nuk mund të kthehen menjëherë për shkak të dëmeve të shkaktuara.

Për më tepër, raporti i OCHA theksoi se tetë milionë tonë rrënoja janë grumbulluar tani në Gaza për shkak të shkatërrimit të ndërtesave të banimit dhe se do të duhen më shumë se tre vjet për t’i hequr ato, raporton agjencia.

Prodhimi i ujit në puset komunale është një e dhjeta e kapacitetit prodhues që nga para fillimit të luftës më 7 tetor. Tani ka 15 furra buke në Gaza, nga 97 para 7 tetorit.

SHBA-ja dhe Britania sanksionojnë zyrtarë të lartë të Huthëve pas sulmeve në Detin e Kuq

Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë thënë të enjten se kanë vendosur sanksione të koordinuara ndaj katër figurave të rebelëve Huthi, për rolin e tyre në mbështetjen dhe organizimin e sulmeve ndaj anijeve komerciale në Detin e Kuq.

Sulmet e Huthëve, të përkrahura prej Iranit, kanë çrregulluar tregtinë globale dhe kanë rritur shqetësimet për rritje të inflacionit.

Këto veprime i kanë thelluar shqetësimet se pasojat e luftës Izrael-Hamas mund të destabilizojnë Lindjen e Mesme.

Në mesin e personave të sanksionuar janë ministri i Mbrojtjes i Huthëve, Mohamed Nasser al-Atifi, komandanti i forcave detare të Huthëve, Muhammad Fadl Abd Al-Nabi, shefi i forcave të mbrojtjes detare, Muhammad Ali al-Qadiri dhe Muhammed Ahmad al-Talibi, të cilin të dyja qeveritë e kanë përshkruar si drejtor të prokurimit për rebelët Huthi.

“Bashkë me aleatët tanë, ne do të vazhdojmë të shënjestrojmë personat përgjegjës për veprimet e papranueshme dhe joligjore të Huthëve, të cilat rrezikojnë jetën e detarëve të pafajshëm dhe pengojnë bartjen e ndihmave për banorët e Jemenit”, ka thënë Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, i cili është në vizitë në Lindje të Mesme.

Sanksionet synojnë të pamundësojnë Huthët për të kryer sulme në Detin e Kuq, ka thënë Britania.

Thesari amerikan ka thënë se al-Atifi ka paralajmëruar publikisht se Huthët do ta shndërrojnë Detin e Kuq në varrezë, në përgjigje të sulmeve të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kundër Jemenit, me qëllim të sigurimit të trafikut komercial.

Al-Talibi është i përfshirë në përpjekjet për të kontrabanduar armë të ofruara prej Iranit, raketa, dronë në Jemen, ka thënë SHBA-ja.

Me këto sanksione, SHBA-ja ngrin të gjitha asetet që kanë personat e shënjestruar në tokën amerikane, dhe ua ndalon amerikanëve që të kenë kontakte me ta.

Britania ka thënë se personave të sanksionuar do t’iu ngrihen asetet, do t’iu vendosen embargo për armët dhe do t’iu ndalohen udhëtimet drejt saj./rel

Mbi 30 viktima nga sulme të njëpasnjëshme në Gazë

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, tha se sulmet me artileri të Izraelit goditën një turmë njerëzish që ishin në pritje të ndihmave humanitare, në qytetin e Gazës, këtë të enjte, duke vrarë 20 persona dhe plagosur 150 të tjerë. Ushtria izraelite tha po shqyrton këto njoftime.

Ndërkohë, një zyrtar i Kombeve të Bashkuara tha se numri i të vdekurve si pasojë e sulmeve ndaj një vendstrehimi në Gazë ka shkuar në 12, ndërsa mbi 75 persona janë plagosur.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë, e njohur si UNRWA, tha se të mërkurën, dy predha tankesh qëlluan një ndërtesë që strehonte mijëra të zhvendosur palestinezë në qytetin jugor të Khan Younis, në të cilin, gjatë ditëve të fundit, po zhvillohen luftime të ashpra. Zyrtari i OKB-së, Thomas White tha se ndërtesa u përfshi nga flakët. Ai nuk fajësoi në mënyrë direkte Izraelin, por mes palëve në konflikt, Izraeli është i vetmi që ka tanke.

Ushtria izraelite tha se” aktualisht ka përjashtuar” mundësinë që sulmi të jetë kryer nga forcat e saj, por se hetimet po vazhdojnë. Sipas ushtrisë,ndërtesa mund të jetë goditur nga një raketë e Hamasit.

Luftimet në Khan Younis kanë izoluar dy spitalet kryesore, duke bllokuar brenda, qindra pacientë dhe mijëra të zhvendosur . Një spital i tretë u evakuua gjatë natës, tha zyrtari i OKB-së.

Ditët e fundit, mijëra njerëz janë përpjekur të largohen me shpëjtësi dhe t’i shpëtojnë luftimeve, duke u drejtuar në jug të vendit, në vendstrehimet e mbipopullura pranë kufirit me Egjipit.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë thotë se më shumë se 25,700 njerëz janë vrarë dhe 63,000 të tjerë janë plagosur në rajon që nga sulmi i 7 tetorit në jug të Izraelit, kur militantët e Hamasit vranë rreth 1,200 persona dhe morën peng rreth 250 persona.

Dhjetëra të vrarë në Gaza nga sulmet ajrore izraelite që goditën një xhami dhe strehimore

Të paktën pesë persona u vranë kur një sulm goditi një xhami në qytetin jugor të Gazës, Rafah, të mërkurën. Të vdekurit dhe të plagosurit u dërguan në spitalin e afërt Abu Youssef Al-Najjar.

Pamjet e kapura nga gazetarët treguan shkallën e shkatërrimit, me ndërtesa të rrënuara pjesërisht ose plotësisht të rrafshuara, shkruan euronews.

Një video tjetër tregoi pasojat kaotike në spital – mes të pranishmëve ishte edhe Mohammad Lafy, i cili i mbijetoi sulmit.

“Ne ishim ulur në shtëpi, ata e goditën xhaminë direkt pranë shtëpisë pa paralajmërim”, tha ai.

Beteja të ashpra po shpërthejnë në qytetin e dytë më të madh të Rripit të Gazës, Khan Younis, ku zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se raundet e tankeve goditën një objekt të OKB-së që strehonte palestinezët e zhvendosur, duke vrarë të paktën nëntë persona dhe plagosur 75 të tjerë.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj po luftonin me militantët në Khan Younis të mërkurën, pasi rrethuan qytetin një ditë më parë.

Sulmet  izraelite kanë vrarë më shumë se 25 mijë e 700 palestinezë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

63 mijë e 740 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori.

Ministri izraelit kritikon ashpër Katarin: Ata financojnë dhe mbështesin terrorin e Hamasit

Edhe pse Katari ka luajtur një rol ndërmjetësues në vitet e fundit kur bëhet fjalë për qetësimin e tensioneve midis izraelitëve dhe palestinezëve, disa ministra radikalë izraelitë shfrytëzuan rastin për të kritikuar sërish Dohën zyrtare.

I fundit që vendosi të ndërmarrë atë hap është ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili iu referua nismave të paqes të Katarit dhe thirri drejtpërdrejt zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Katarit.

“Doha është një sponsor i Hamasit dhe është kryesisht përgjegjëse për masakrën që Hamasi kreu më 7 tetor”, tha Smotrich.

Siç raporton Times of Israel, ai tha gjithashtu se Katari përfaqëson një shtet që mbështet dhe financon terrorin.

“Trajtimi i Perëndimit për këtë është hipokrit dhe i bazuar në interesa të papërshtatshme financiare. Perëndimi mund dhe duhet të përdorë mjete shumë më të forta dhe të bëjë menjëherë gjithçka për të liruar pengjet”, tha ai.

Në fund të fjalës, Smotrich tha se nuk pret që Katari të jetë pjesë e ndonjë iniciative për përfundimin e luftës.

“Një gjë është e sigurt. Katari nuk do të përfshihet në asnjë mënyrë në menaxhimin e Gazës një ditë pas luftës”, përfundoi ai. 

Sulmohet streha e OKB-së në Gaza, vriten 9 persona, 75 të tjerë plagosen

Një ndërtesë e Kombeve të Bashkuara që strehon palestinezët e zhvendosur në Gazën jugore u godit nga zjarri i tankeve izraelite të mërkurën, duke vrarë të paktën nëntë persona dhe duke plagosur 75 të tjerë, sipas Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë në Gaza.

Ushtria izraelite tha se “aktualisht” përjashtoi mundësinë që një sulm ajror ose artileri izraelit të godiste Qendrën e Trajnimit UNRWA në Khan Younis. IDF-ja  tha se një “shqyrtim i plotë i operacioneve të forcave në afërsi është duke u zhvilluar”, raporton CNN.

Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini tha në X se e gjithë qendra, një nga objektet më të mëdha të UNRWA në Gaza, po strehonte 30 mijë njerëz dhe është bërë e  qartë se është një vend i OKB-së.

Shtëpia e Bardhë tha se është “shumë e shqetësuar” nga ky sulm.

Cameron takohet me presidentin palestinez

Nga: A.Sh

Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, është takuar me presidentin palestinez Mahmud Abbas në Bregun Perëndimor.

Cameron tha se kishte diskutuar planin e tij të Gazës për të “kaluar nga një pauzë – për të futur ndihmën dhe për të hequr pengjet – drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, duke çuar në një zgjidhje politike afatgjatë, duke përfshirë një shtet palestinez”.

Katari 'i tmerruar' nga deklaratat e supozuara të Netanyahut

Nga: A.Sh

Katari ka akuzuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për pengimin e përpjekjeve të ndërmjetësimit në luftën e Gazës dhe për prioritizimin e karrierës së tij, pasi një regjistrim i zbuluar dyshohet se e kapi atë duke e quajtur shtetin e Gjirit “problematik”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari, shkroi në X:

Ne jemi të tmerruar nga vërejtjet e supozuara që i atribuohen kryeministrit izraelit në raporte të ndryshme mediatike për rolin ndërmjetësues të Katarit. Këto vërejtje nëse vërtetohen, janë të papërgjegjshme dhe shkatërruese për përpjekjet për të shpëtuar jetë të pafajshme, por nuk janë befasuese….

Nëse vërejtjet e raportuara zbulohen të vërteta, kryeministri izraelit vetëm do të pengonte dhe minonte procesin e ndërmjetësimit, për arsye që duket se i shërbejnë karrierës së tij politike në vend që t'i jepte përparësi shpëtimit të jetëve të pafajshëm, përfshirë pengjet izraelitë.

Në një regjistrim të rrjedhur nga një takim me familjet e pengjeve që u transmetua në lajmet e Channel 12 të Izraelit të martën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti Katarin "problematik", raportoi Associated Press. Netanyahu dyshohet se ka thënë:

Nuk më keni parë të falënderoj Katarin, a e keni vënë re? Nuk e kam falënderuar Katarin. Pse? Sepse Katari, për mua, nuk ndryshon në thelb nga OKB-ja, nga Kryqi i Kuq dhe në një farë mënyre është edhe më problematik. Megjithatë, unë jam i gatshëm të përdor çdo ndërmjetës tani që mund të më ndihmojë t'i sjell ata [pengët] në shtëpi.

I pyetur për të komentuar deklaratën e Katarit dhe nëse regjistrimi i zbuluar ishte autentik, një zëdhënës i qeverisë izraelite tha se Izraeli "nuk mund të hyjë në detaje në lidhje me përpjekjet dhe hapat e ndërmarrë për lirimin e pengjeve".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat