Netanyahu reagon pas urdhrave të GJND-së rreth luftës në Gaza

Azia

Netanyahu reagon pas urdhrave të GJND-së rreth luftës në Gaza

Më: 26 janar 2024 Në ora: 15:31
Benjamin Netanyahu

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka urdhëruar Izraelin të parandalonte aktet e gjenocidit kundër palestinezëve, por jo edhe të ndalë luftën në Rripin e Gazës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka reaguar duke pohuar se Izraeli nuk do të shkel ligjet ndërkombëtare, por edhe se do të vazhdojë të mbrojë vendin dhe popullin.

Ashtu si çdo vend, Izraeli ka të drejtën e natyrshme për të mbrojtur veten. Përpjekja e turpshme për t’i mohuar Izraelit këtë të drejtë themelore është diskriminim flagrant kundër shtetit hebre, dhe me të drejtë u refuzua. Akuza e gjenocidit e ngritur kundër Izraelit nuk është vetëm e rreme, por është skandaloze dhe njerëzit kudo duhet ta refuzojnë atë. Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, unë përsëri si kryeministër i Izraelit, zotohem si kurrë më”, pohoi ai.

Ai më tutje deklaroi se Izraeli do të vazhdojë të mbrohet kundër Hamasit, një organizatë terroriste gjenocidale.

Më 7 tetor, Hamasi kreu mizoritë më të tmerrshme kundër popullit hebre që nga Holokausti dhe zotohet t’i përsërisë këto mizori përsëri dhe përsëri. Lufta jonë është kundër terroristëve të Hamasit, jo kundër civilëve palestinezë. Ne do të vazhdojmë të lehtësojmë ndihmën humanitare dhe të bëjmë maksimumin për t’i mbajtur civilët, edhe pse Hamasi përdor civilët si mburoja njerëzore”, deklaroi udhëheqësi izraelit.

Theksojmë se GJND-ja me këtë vendim nuk urdhëroi në mënyrë eksplicite një armëpushim në Gaza.

Ajo urdhëroi Izraelin të marrë masa për të parandaluar dhe ndëshkuar nxitjen e drejtpërdrejtë të gjenocidit në Gaza.

Ai urdhëroi gjithashtu një përmirësim të situatës humanitare.

1. Izraeli duhet të marrë të gjitha masat për të parandaluar çdo akt që mund të konsiderohet gjenocid – vrasja e anëtarëve të një grupi, shkaktimi i lëndimeve trupore, shkaktimi i kushteve të krijuara për të shkaktuar shkatërrimin e një grupi, parandalimi i lindjeve;

2. Izraeli duhet të sigurojë që ushtria të mos kryejë akte gjenocidale;

3. Izraeli duhet të parandalojë dhe ndëshkojë çdo koment publik që mund të konsiderohet si nxitje për të kryer gjenocid në Gaza;

4. Izraeli duhet të marrë masa për të siguruar ndihmat humanitare;

5. Izraeli duhet të parandalojë çdo shkatërrim të provave që mund të përdoren në një rast gjenocidi;

6. Izraeli duhet të paraqesë një raport në gjykatë brenda një muaji nga dhënia e këtij urdhri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat