LIVE/ Trump: Ky sulm nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të isha president

Azia

LIVE/ Trump: Ky sulm nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të isha president

Nga: Bota sot Më: 28 janar 2024 Në ora: 08:20 Përditësuar në ora: 23:17 më 28.01.2024
Donald Trump

Trump: Ky sulm nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të isha president

Politikanët republikanë në SHBA po reagojnë ndaj sulmit të fundit në kufirin Siri-Jordan që vrau tre pjesëtarë të shërbimit amerikan me kritika ndaj administratës Biden.

Ish-presidenti Donald Trump tha se sulmi "nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të isha president".

“Ky sulm i pacipë ndaj Shteteve të Bashkuara është një tjetër pasojë e tmerrshme dhe tragjike e dobësisë dhe dorëzimit të Joe Biden”, thuhet në një deklaratë nga Trump.

Kryetari i Panelit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Michael McCaul tha se SHBA-së i duhej "një rivendosje e madhe e politikës sonë të Lindjes së Mesme për të mbrojtur interesat tona të sigurisë kombëtare dhe për të rivendosur parandalimin".

Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha: "E gjithë bota tani shikon për shenja se presidenti më në fund është i përgatitur të ushtrojë forcën amerikane për të detyruar Iranin të ndryshojë sjelljen e tij. Armiqtë tanë janë trimëruar."

Senatori Roger Wicker, një anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit të SHBA, tha se SHBA duhet të përgjigjet duke "goditur drejtpërdrejt objektivat iraniane dhe udhëheqjen e tij".

Ndërkohë, demokratë të lartë, duke përfshirë kreun e pakicës së Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries dhe kreun e Senatit të SHBA, Chuck Schumer, thanë se ata që janë përgjegjës për sulmin duhet të mbajnë përgjegjësi.

Biden fajëson grupet e mbështetura nga Irani për sulmin ndaj bazës amerikane

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se tre anëtarë të Ushtrisë amerikane janë vrarë dhe “shumë” të tjerë janë plagosur në një sulm me dronë ndaj forcave amerikane, që janë të stacionuara në verilindje të Jordanisë, afër kufirit sirian.

“Përderisa ne ende po mbledhim fakte për këtë sulm, ne e dimë që u krye nga grupet militante, që mbështeten nga Irani, të cilat operojnë në Siri dhe Irak”, tha Bideni përmes një deklarate më 28 janar.

“Ne do të vazhdojmë angazhimin e tyre për të luftuar terrorizmin. Nuk kam dyshim, ne do të mbajmë përgjegjës të përfshirët në kohën dhe mënyrën që ne do të zgjedhim”, shtoi presidenti amerikan.

Biden tha se sulmi ndodhi në orët e vona të 27 janarit. Ai nuk specifikoi numrin e personave të plagosur në këtë incident, por një zyrtar amerikan më pas tha se të paktën 34 anëtarë të personelit ishin evakuuar pas lëndimeve traumatike në tru.

Një televizion jordanez citoi një zëdhënës të Qeverisë të ketë thënë se sulmi nuk ka ndodhur në tokën jordaneze, por përtej kufirit, në Siri.

Këto detaje nuk kanë mundur të konfirmohen menjëherë.

Jordania është një aleate e ngushtë e SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe Pentagoni ka të stacionuar afër 3.000 trupa në këtë shtet, që shpesh mbështesin veprimet në Siri.

Viteve të fundit, trupat amerikane kanë qenë aktive në Siri duke luftuar kundër Shtetit Islamik (IS) dhe grupeve të tjera terroriste.

Nëse konfirmohet se ka ndodhur në Jordani, atëherë do të ishte sulmi i parë që trupat amerikane shënjestrohen në këtë shtet që nga nisja e luftës midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.

Shumë vëzhgues kanë shprehur frikën për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, pasi nisi lufta në Gazë, që u nxit nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor.

Si pasojë e sulmeve të Hamasit, afër 1.200 persona janë vrarë në Izrael, ndërkaq në Gazë nga ofensiva ushtarake izraelite janë vrarë mbi 26.000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë.

Për shkak të mbështetjes së Izraelit, trupat amerikane kanë qenë në shënjestër të grupeve islamike në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe nga rebelët e Huthit në Jemen, që mbështeten nga Irani, dhe grupet e milicive në Irak, që po ashtu mbështeten nga Teherani./ REL

Jordani, vriten tre ushtarë amerikanë nga një sulm me dron i mbështetur nga Irani

Tre ushtarë amerikanë u vranë e 25 të tjerë u plagosën gjatë një sulmi kamikaz me dronë kundër forcave amerikane të vendosura në pjesën verilindore të Jordanisë në kufi me Sirinë, tha Presidenti Biden të dielën përmes një deklarate. Ai tha se sulmet ishin kryer nga grupe të armatosura të mbështetura nga Irani.

“Ndërsa ende jemi duke mbledhur faktet rreth sulmit, ne e dimë se është kryer nga grupe militante radikale të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak”, tha zoti Biden në një deklaratë.

​Mediat amerikane po raportojnë për një numër më të madh të plagosurish mes trupave amerikane, rreth 35.

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara “do t'i mbajnë përgjegjës të gjithë ata që janë të përfshirë dhe ata do të japin llogari në momentin dhe mënyrën që zgjedhim ne”.

Televizioni shtetëror jordanez citoi një zëdhënës të qeverisë jordaneze, Muhannad Mubaidin, i cili këmbënguli se sulmi ndodhi jashtë mbretërisë, përtej kufirit, në Siri. Zyrtarët amerikanë këmbëngulën se sulmi ndodhi në Jordani.

Rreth 3,000 trupa amerikane janë të stacionuar në Jordani, një vend që kufizohet me Irakun, Izraelin, territorin palestinez të Bregut Perëndimor, Arabinë Saudite dhe Sirinë. Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se krahas 3 ushtarëve të vrarë, u plagosën edhe 25 pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane.

Sulmi shënon vdekjet e para mes trupave amerikane në rajon që nga fillimi i luftës në Gazë. Presidenti Biden tha se sulmi ndodhi mbrëmjen e së shtunës.

Sulmi përshkallëzon edhe më tej situatës tashmë të tensionuar në Lindjen e Mesme si rezultat i konfliktit në Gazë, që u nxit nga sulmi i militantëve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë 1200 persona. Ofensiva izraelite që pasoi në Rripin e Gazës ka shkaktuar vrasjen e mbi 26,000 palestinezëve, sipas ministrisë lokale të shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë mbajtur qëndrimin zyrtar se Uashingtoni nuk është në luftë në rajon, ushtria ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave të lëvizjes jemenase Houthi e cila ka sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq.

Që nga fillimi i konfliktit në Rripin e Gazës, trupat amerikane në Irak dhe Siri janë përballur me sulme me dronë dhe raketa. Sulmi në Jordani shënon rastin e parë që trupat amerikane sulmohen në atë vend.

Muajt e fundit ushtria amerikane ka goditur objektiva në Irak, Siri dhe Jemen në përgjigje të sulmeve nga forcave amerikane në rajon dhe për të penguar rebelët Houthi të mbështetur nga Irani që të vazhdojnë të kërcënojnë transportin tregtar në Detin e Kuq./VOA

Negociatorët amerikanë kanë bërë përparim në marrëveshjen e mundshme për të ndalur luftën Izrael-Hamas, thonë raportet e mediave të huaja

Negociatorët amerikanë po bëjnë përparim në një marrëveshje të mundshme sipas së cilës Izraeli do të ndalonte operacionet ushtarake kundër Hamasit në Gaza për dy muaj.

Kjo, siç thuhet më tej do të bëhej në këmbim të lirimit të më shumë se 100 pengjeve që u kapën në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit, sipas dy zyrtarëve të lartë të administratës, raporton Associated Press.

Zyrtarët, të cilët kërkuan anonimitetin për të diskutuar mbi diskutimet e ndjeshme, thanë të shtunën se kushtet e reja të marrëveshjes do të zhvillohen në dy faza.

Në fazën e parë, luftimet do të ndaleshin për të lejuar lirimin e grave të mbetura, të moshuarve dhe pengjeve të plagosur nga Hamasi.

Izraeli dhe Hamasi më pas do të synojnë të përpunojnë detaje gjatë 30 ditëve të para të pauzës për një fazë të dytë në të cilën ushtarët dhe civilët izraelitë do të lirohen.

Marrëveshja në zhvillim kërkon gjithashtu që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë humanitare në Gaza.

The Guardian shkruan se nuk ka konfirmuar kushtet e marrëveshjes së mundshme dhe Izraeli dhe Hamasi nuk e kanë komentuar atë.

Por raporti i AP thekson se ndërsa marrëveshja e propozuar nuk do t’i jepte fund luftës, zyrtarët amerikanë shpresojnë se një marrëveshje e tillë mund të vendosë bazat për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit.

New York Times raportoi për herë të parë të shtunën se është bërë përparim drejt një marrëveshjeje për një pauzë në luftime në këmbim të pengjeve të mbetura.

Drejtori i CIA-s, Bill Burns, pritet të diskutojë konturet e marrëveshjes në zhvillim kur të takohet të dielën në Francë me David Barnea, kreun e agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad, kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe shefin e inteligjencës së Egjiptit, Abbas Kamel, për bisedimet që kanë në qendër negociatat rreth pengjeve.

Ndryshe, presidenti Joe Biden foli të premten me presidentin egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi dhe emirin në pushtet të Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al-Thani, me telefonatat me të dy liderët të fokusuar në situatën e pengjeve.

E Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë në lidhje me telefonatën e Biden me liderin e Katarit: “Të dy udhëheqësit pohuan se një marrëveshje pengjesh është thelbësore për vendosjen e një pauze të zgjatur humanitare në luftime dhe për të siguruar që ndihma shtesë humanitare të arrijë te civilët në nevojë në të gjithë Gazën. Ata nënvizuan urgjencën e situatës dhe mirëpritën bashkëpunimin e ngushtë midis ekipeve të tyre për të çuar përpara diskutimet e fundit”. 

OKB bën thirrje për vazhdimin e financimit të agjencisë së ndihmës në Gazë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje shteteve që të vazhdojnë financimin e agjencisë kryesore që ofron ndihmë në Gazë, pasi dhjetëra punëtorë të agjencisë u akuzuan se kanë marrë pjesë në sulmin në Izrael që nxiti luftën katër muaj më parë.

Më 7 tetor, Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftën e fundit.

Mosmarrëveshjet lidhur me agjencinë kryesore që dërgon ndihmë për palestinezët vijnë në kohën kur zyrtarët amerikanë thanë se negociatorët janë afër arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi. Një marrëveshje e tillë do të mundësonte dy muaj ndalje të dhunës më vdekjeprurëse ndonjëherë mes izraelitëve dhe palestinezëve, që ka nxitur paqëndrueshmëri në mbarë Lindjen e Mesme.

Antonio Guterres paralajmëroi se agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur me akronimin UNRWA, do të detyrohet të reduktojë ndihmën për më shumë se 2 milionë palestinezë në shkurt. Enklava bregdetare është mbërthyer nga një krizë e rëndë humanitare, me çerekun e popullsisë që po përballet me uri.

“Aktet e neveritshme të supozuara të këtyre anëtarëve të stafit duhet të kenë pasoja”, tha Guterres përmes një deklarate.

Por, dhjetëra mijëra burra dhe gra që punojnë për UNRWA-në, shumica nga të cilët punojnë në situatat më të rrezikshme për punëtorët humanitarë, nuk duhet të penalizohen. Nevojat e mëdha të popullatës së dëshpëruar për të cilët ata shërbejnë, duhet të përmbushen”, shtoi ai.

Ai tha se nga 12 punëtorët e akuzuar për pjesëmarrje në sulm, nëntë janë larguar nga puna menjëherë, një është konfirmuar i vdekur dhe “identiteti i dy të tjerëve duhet të qartësohet”. Guterres tha se të gjithë do të mbahen përgjegjës, përfshirë edhe me ndjekje penale.

UNRWA ka një staf prej 13.000 personash në Gazë, pothuajse të gjithë palestinezë. Kjo agjenci ofron shërbimet bazike, nga kujdesi shëndetësor e deri tek edukimi për familjet palestineze që janë larguar nga ai që është Izraeli i sotëm gjatë luftës së vitit 1948, rreth periudhës kur u krijua Izraeli. Kjo agjenci ka zgjeruar operacionet gjatë luftës, duke udhëhequr vendstrehime ku po strehohen qindra mijëra persona të zhvendosur së fundi.

Mbi 2 milionë nga 2.3 milionë banorë të territorit varen “për mbijetesë” nga agjencia, përfshirë për furnizime ushqimore dhe strehim, tha drejtori i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, duke paralajmëruar se kjo ndihmë “mund të kolapsojë tani në çdo kohë”.

SHBA-ja, që është donatorja më e madhe e agjencisë, menjëherë pezulloi ndihmën gjatë fundjavës, dhe njësoj vepruan edhe shtete të tjera sikurse Britania, Gjermania dhe Italia.

Në luftën Izrael-Hamas janë vrarë mbi 26.000 palestinezë sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë, janë shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe janë zhvendosur pothuajse 85 për qind e popullsisë së territorit. Gjatë sulmit të Hamasit në jug të Izraelit janë vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe janë rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Dy zyrtarë të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, thanë se negociatorët amerikanë po bëjnë përparim drejt një marrëveshje të mundshme, sipas së cilës, Izraeli do të pauzonte operacionet ushtarake ndaj Hamasit për dy muaj në këmbim të lirimit të mbi 100 pengjeve.

Zyrtarët, që folën në kushte anonimiteti për shkak të negociatave të ndjeshme, thanë se kushtet e marrëveshjes ende nuk janë caktuar, por pakti është paraparë që të zbatohet me dy faza. Në fazën e parë prej 30 ditësh, Hamasi do të lironte gratë, të moshuarit dhe pengjet e plagosura. Marrëveshja, që ende nuk është arritur, po ashtu bën thirrje që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë humanitare në Gazë.

Mbi 100 pengje, shumica gra dhe fëmijë, u liruan nëntorin e vitit të kaluar në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve që ishin të burgosur nga Izraeli.

Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Bill Burns, pritet të bisedojë për kornizën e marrëveshjes kur të takohet më 28 janar me David Barnea, kreun e agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, shefin e inteligjencës së Egjiptit, Abbas Kamel. Bisedimet do të përqendrohen në negociatat për lirimin e pengjeve.

Pavarësisht përparimit në bisedime, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të shtunën mbrëma gjatë një konference për media përsëriti qëndrimin se lufta do të vazhdojë deri në “fitoren absolute”, përfshirë shtypjen e Hamasit./rel

Luftanija britanike pengon sulmin me dron Houthi

Nga: A.Sh

Huthët e Jemenit nisën një sulm me dron ndaj një luftanijeje britanike, e cila u "zmbraps me sukses", tha ministria e mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

HMS Diamond përdori sistemin e tij të raketave Sea Viper për të rrëzuar një dron që e "shënjestronte ilegalisht" atë, pa raportuar lëndime apo dëme.

“Këto sulme të patolerueshme dhe të paligjshme janë plotësisht të papranueshme dhe është detyra jonë të mbrojmë lirinë e lundrimit në Detin e Kuq”, tha Ministria e Mbrojtjes.

"Ne duam të falënderojmë ekuipazhin e guximshëm të HMS Diamond për shërbimin e tyre për të mbrojtur interesat britanike dhe ndërkombëtare."

UNRWA-ja kërkon që vendet që ndalen fondet ta shqyrtojnë vendimin

Komisioneri i Përgjithshëm Philippe Lazzarini i Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinez në Lindjen e Afërt (UNRWA), thotë se është i tronditur nga akuzat që anëtarët e stafit të tij morën pjesë në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit, ndërsa vendimin e disa vendeve për të pezulluar fondet për UNRWA-n e quajti “tronditëse” dhe u kërkoi atyre ta shqyrtojnë.

Ai tha se UNRWA-ja ofron ushqim dhe kujdes shëndetësor në strehimore për më shumë se një milion njerëz në enklavën e rrethuar.

Tutje ai theksoi se shumë njerëz janë të uritur, dhe varen nga mbështetja e tyre, raporton CNN.

“Jetët e njerëzve në Gaza varen nga kjo mbështetje dhe po ashtu edhe stabiliteti rajonal”.

Nëntë vende kanë njoftuar se do të tërheqin përkohësisht fondet nga UNRWA pasi agjencia njoftoi se kishte pushuar punonjësit që dyshohet se ishin të përfshirë në sulmet e Hamasit të 7 tetorit 2023, tha Lazzarini.

Qeveria izraelite nuk ka lëshuar detaje të provave në lidhje me përfshirjen e supozuar të UNRWA.

Lazzarini tha se autoriteti më i lartë hetimor i OKB-së ka ndërmarrë tashmë veprime dhe një rishikim i pavarur nga ekspertë të jashtëm është në pritje.

Nga Britania, te Italia, Holanda dhe Finlanda! Shtohen vendet që ndërpresin fondet për agjencinë e OKB-së për palestinezët

Britania, Italia, Holanda dhe Finlanda iu shtuan të shtunën vendeve që ndaluan fondet për agjencinë e OKB-së për refugjatët për palestinezët (UNRWA), pas akuzave se disa pjesëtarë të personelit të saj ishin të përfshirë në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Kanadaja njoftuan më herët se i kishin ndërprerë fondet për agjencinë e ndihmave, pas akuzave nga Izraeli.

Agjencia tha të premten se kishte hapur një hetim për disa punonjës dhe kishte ndërprerë lidhjet e punësimit me ta.

Duke bërë thirrje për pezullime të mëtejshme të fondeve, Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, tha se UNRWA duhet të zëvendësohet sapo të përfundojnë luftimet në enklavë dhe akuzoi UNRWA-n për lidhje me militantët islamikë në Gazë.

“Në procesin e rindërtimit të Gazës, UNRWA duhet të zëvendësohet me agjenci të përkushtuara ndaj paqes dhe zhvillimit të vërtetë,” shtoi ai në platformën X.

Një zëdhënës i OKB-së, Farhan Haq, i pyetur në lidhje me komentet e e ministrit Katz, u përgjigj: “Ne nuk i përgjigjemi retorikave. UNRWA në përgjithësi ka një histori të gjatë pozitive, të cilën ne e kemi theksuar në mënyrë të përsëritur.”

UNRWA ka hedhur poshtë akuza të ngjashme në të kaluarën dhe ka theksuar se është një agjenci ndihmash dhe humanitare. Ministria e Jashtme palestineze kritikoi atë që e përshkroi si një fushatë izraelite kundër UNRWA-s.

UNRWA u krijua për të ndihmuar refugjatët e luftës së vitit 1948 dhe ofron shërbime arsimore, shëndetësore dhe ndihma për palestinezët në Gazë, Bregun Perëndimor, Jordani, Siri dhe Liban.

Ajo ndihmon rreth dy të tretat e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës dhe ka luajtur një rol kryesor për shpërndarjen e ndihmave gjatë luftës që Izraeli filloi pas sulmit të 7 tetorit me synimin për të eliminuar Hamasin.

Londra tha të shtunën se po ndalonte përkohësisht fondet për UNRWA-n ndërsa shqyrtohen akuzat.

“Qeveria italiane ka pezulluar financimin e UNRWA-s pas sulmit mizor ndaj Izraelit më 7 tetor”, tha Ministri i Jashtëm Antonio Tajani në platformën e mediave sociale X.

Holanda dhe Finlanda gjithashtu thanë se po pezullojnë fondet.

Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini njoftoi të premten për hapjen e hetimit dhe tha se kishte vendosur të ndërpriste kontratat e disa anëtarëve të personelit, për të ruajtur aftësinë e agjencisë për të ofruar ndihmë humanitare.

Zoti Lazzarini nuk bëri të ditur numrin e punonjësve të dyshuar të përfshirë në sulme, as natyrën e përfshirjes së dyshuar të tyre.

Ai shtoi se se “çdo punonjës i UNRWA-s që ishte i përfshirë në akte terrori” do të mbahet përgjegjës, duke përfshirë ndjekjen penale.

Hussein al-Sheikh, kreu i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), tha se shkurtimi i mbështetjes për agjencinë shkakton rreziqe të mëdha politike dhe për përhapjen e ndihmave.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë, një dhurues kryesore për UNRWA-n, përshëndeti hetimin e ndërmarrë prej saj, duke thënë se ishte thellësisht e shqetësuar për akuzat e ngritura kundër punonjësve të agjencisë.

Ne presim që Lazzarini t’ua bëjë të qartë punonjësve të UNRWA-s se të gjitha format e urrejtjes dhe dhunës janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk do të tolerohen,” tha ai në X./ VOA

80% e sistemit të tunelit të Hamasit në Gaza mund të jetë ende i paprekur - raportohet

Nga: A.Sh

Raporti citon zyrtarë izraelitë dhe amerikanë dhe vë në dukje se është e vështirë të vlerësohet se sa nga labirinti nëntokësor është shkatërruar nga trupat izraelite deri më tani.

Që nga fillimi i një ofensive tokësore pas masakrës së 7 tetorit, në të cilën terroristët e udhëhequr nga Hamas vranë rreth 1200 njerëz dhe morën 253 pengje, forcat izraelite kanë punuar për të shkatërruar tunelet, duke zbuluar gjithnjë e më shumë nëntokë të organizatës terroriste që sundon Gazën.

Disa nga tunelet janë bombarduar, ndërsa të tjerët janë përmbytur. Megjithatë, përparimi është i ngadalshëm pasi kalimet nëntokësore duhet të hartohen dhe kontrollohen për kurthe dhe pengje përpara se forcat izraelite t'i shkatërrojnë ato.

Lideri i Hamasit, Yahya Sinwar dhe komandantë të tjerë të terrorizmit besohet se fshihen nën tokë. Gazeta citon zyrtarët izraelitë të cilët thanë se shefi i terrorizmit në Gaza besohet të jetë në një qendër komandimi në një tunel nën Khan Younis, së bashku me disa nga pengjet.

Në fillim të këtij muaji u raportua se zyrtarë të lartë të mbrojtjes izraelite tani vlerësojnë se rrjeti i tunelit të Hamasit në Gaza është midis 350 dhe 450 milje i gjatë, shumë më i gjatë se sa besohej më parë.

Vlerësimi i raportuar nga The New York Times është dukshëm më i lartë se një vlerësim i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit muajin e kaluar se ka rreth 250 milje tunele të Hamasit nën Rripin e Gazës dhe një shifër befasuese duke pasur parasysh se enklava është vetëm rreth 140 milje katrorë në madhësi totale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat