LIVE: Bilanc tragjik në Gaza, frikë për zgjerimin e konfliktit, kjo është agjencia që po akuzohet për lidhje me Hamasin!

Azia

LIVE: Bilanc tragjik në Gaza, frikë për zgjerimin e konfliktit, kjo është agjencia që po akuzohet për lidhje me Hamasin!

Nga: Bota sot Më: 30 janar 2024 Në ora: 06:42 Përditësuar në ora: 12:33 më 30.01.2024
Foto ilustrim

Zgjerimi i krizës së Lindjes së Mesme, Katari i propozon Hamasit armëpushimin

Një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin e mundshëm në luftën midis Hamasit dhe Izraelit dakordësua mes negociatorëve në Paris këtë fundjavë, sipas një zyrtari të njohur me bisedimet.

Bisedimet janë në një fazë të hershme dhe shumë detaje do të duhet të përpunohen nëse Hamasi pranon. Katari i ka paraqitur propozimin liderëve politikë të Hamasit, të cilët do t’ia përcjellin atë udhëheqësve ushtarakë të grupit.

Ky proces mund të zgjasë ditë ose edhe më gjatë.

Në kuadrin e propozuar, Hamasi do të lirojë pengje të moshuar, gra dhe fëmijë gjatë periudhës së pauzës prej gjashtë javësh, thanë zyrtarët, të cilët ranë dakord të flisnin në kushte anonimiteti.

Disa zyrtarë izraelitë thonë se numri i pengjeve për lirimin e parë është 30 deri në 35, por ky është një vlerësim dhe negociatorët nuk e dinë numrin aktual. Është e paqartë nëse ushtarët femra do të përfshihen në pengjet e liruara në planin që po diskutohet.

Hamasi mori peng 240 persona në sulmet terroriste në jug të Izraelit më 7 tetor, të cilat gjithashtu rezultuan në rreth 1200 të vdekur, thanë zyrtarët izraelitë.

Që nëntori, bisedimet për lirimin e pengjeve kishin ngecur. Kushtet u vendosën të dielën në Paris nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Izraelit, Katarit dhe Egjiptit.

Uilliam J. Burns, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, mori pjesë, si dhe krerët e shërbimit të inteligjencës izraelite, Mossad, dhe agjencisë së sigurisë së brendshme, Shin Bet.

Një zyrtar tha se Burns ishte shumë i dobishëm për t’i bërë përfaqësuesit izraelitë të binin dakord me disa nga sugjerimet. Blinken nuk pranoi të jepte detaje në një konferencë shtypi pasdite, duke thënë se “sa më pak të thuhet, aq më mirë”.

Por ai tha se propozimi tani në tryezë është “një propozim bindës”.

Ç’është UNRWA, agjencia e OKB-së që po akuzohet për lidhje me Hamasin?

Supozimet e Izraelit se 12 punëtorë të një agjencie të Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë përfshirë në sulmet e Hamasit, më 7 tetor, në tokën izraelite, ka bërë që Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete tjera, të ndërpresin fondet për agjencinë dhe të zgjojnë debatin për ofruesin më të madh të ndihmave në Gazë.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRWA, punëson mijëra persona dhe ofron ndihmë dhe shërbime jetike për miliona njerëz në gjithë Lindjen e Mesme.

Në Gazë, kjo organizatë ka qenë kryesorja që ka ofruar ushqim dhe ka siguruar strehim për civilët, gjatë luftës Izrael-Hamas.

Izraeli – dyshimet e të cilit janë paraqitur në një dokument të siguruar të hënën prej agjencisë së lajmeve Associated Press – ka folur shpesh kundër agjencisë, duke e akuzuar se po toleron, ose edhe po bashkëpunon me Hamasin, dhe se po e përjetëson krizën 76-vjeçare të refugjatëve palestinezë.

Qeveria izraelite e ka akuzuar Hamasin, dhe grupe tjera militante, se kanë hequr ndihmat prej objekteve të kësaj organizate, dhe po i përdorin ato për qëllime ushtarake.

UNRWA i ka mohuar këto supozime dhe ka thënë se ka ndërmarrë veprime kundër punëtorëve të akuzuar për pjesëmarrje në sulm.

Shtetet e Bashkuara dhe donatorë tjerë kryesorë, që së bashku kanë krijuar më shumë se gjysmën e buxhetit të UNRWA-s, më 2022, i kanë pezulluar së fundi fondet për këtë agjenci.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se 2 milionë palestinezë në Gazë, apo 87 për qind e popullsisë, varen prej ndihmave të UNRWA-s, dhe shërbimet e saj do të zvogëlohen prej shkurtit, nëse paratë nuk kthehen.

Çka është UNRWA dhe pse është krijuar?

Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindje të Afërt, është krijuar për t’iu ofruar ndihmë rreth 700.000 palestinezëve, të cilët kanë ikur, apo janë dëbuar prej tokës ku sot është Izraeli, në luftën e vitit 1948.

Palestinezët kanë thënë se refugjatët dhe pasardhësit e tyre, që tani janë rreth 6 milionë, nëpër Lindje të Mesme, kanë të drejtë të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.

Izraeli ka refuzuar këtë gjë, sepse nëse e drejta për kthim do të zbatohej plotësisht, do të rezultonte me shumicë palestineze brenda kufijve të tij.

Fati i refugjatëve dhe pasardhësve të tyre, ka qenë ndër sfidat kryesore në proceset e paqes, të cilat janë pezulluar prej vitit 2009.

UNRWA operon në shkolla, klinika shëndetësore, projekte infrastrukturore, dhe programe të ndihmës në kampet e refugjatëve, që tani u ngjajnë lagjeve të dendura urbane në Gazë, Bregun Perëndimor, të pushtuar prej Izraelit, Liban, Siri dhe Jordani.

Organizata i ka rreth 13.000 punëtorë vetëm në Gazë, shumica prej tyre palestinezë.

Në Gazë, ku pjesa më e madhe e 2.3 milionë banorëve, kanë ikur prej shtëpive të tyre, shumica, apo 1 milion njerëz, janë duke u strehuar në shkolla dhe objekte tjera ku operon UNRWA.

Çfarë thonë Izraeli dhe kritikë tjerë për UNRWA-n?

Izraeli akuzon organizatën UNRWA se i ka mbyllur sytë ndaj Hamasit, i cili udhëheq Gazën prej vitit 2007, dhe se po lufton brenda dhe rreth objekteve të organizatës, disa prej të cilave janë goditur gjatë luftës.

Izraeli, po ashtu, ka treguar se disa tunele të Hamasit janë afër objekteve të organizatës dhe e akuzon atë se po u ligjëron nxënësve në shkolla për urrejtje ndaj Izraelit.

UNRWA mohon se i dërgon ndihma Hamasit apo grupeve tjera militante, dhe ka përsëritur se ka roje të brendshme.

Agjencia ka thënë se heton në detaje supozimet për ndonjë keqbërje eventuale prej anës së stafit dhe ia ofron Izraelit dhe vendeve tjera, listën e plotë të punëtorëve.

Në dokumentin e Izraelit janë bërë supozime kundër dhjetëra punëtorëve të OKB-së, që është thënë se kanë marrë pjesë në sulmet e Hamasit kundër Izraelit.

Sipas dokumentit, shtatë prej tyre kanë hyrë në Izrael, përfshirë dy që kanë marrë pjesë në kidnapime.

Mes tjerash, në dokument është përmendur se rreth 190 punëtorë të UNRWA-s kanë qenë anëtarë të grupeve militante, pa ofruar dëshmi.

Në sulmin e 7 tetorit, luftëtarët e Hamasit kanë hyrë prej Gazës në kufijtë e jashtëm të Izraelit.

Militantë tjerë i janë bashkuar shpejt sulmit nëpër komunitetet e afërta izraelite, duke vrarë 1.200 persona, shumicën civilë.

Rreth 250 të tjerë, përfshirë fëmijë, janë marrë peng dhe janë dërguar në Gazë.

Shefi i OKB-së, Guterres, ka thënë se nëntë prej punëtorëve të UNRWA-s, që janë akuzuar për pjesëmarrje, tashmë u janë shkëputur kontratat.

Ai ka thënë se të gjithë do të mbahen përgjegjës, dhe ndaj tyre do të kryhen hetime.

Në dokumentin izraelit është thënë se dy prej punëtorëve të agjencisë janë vrarë, ndërsa OKB-ja ka thënë se njëri ende duhet të identifikohet.

Të dhënat që mbështesin këto supozime, nuk janë bërë publike.

UNRWA i ka dënuar sulmet e 7 tetorit, dhe ka bërë thirrje që të gjitha pengjet të lirohen.

Para se të bëheshin sugjerimet e fundit, Komisionari i Përgjithshëm i agjencisë, Philippe Lazzarini, e ka prezantuar një rishikim të zgjeruar, për të vërtetuar se cilat akuza paraprake të Izraelit dhe mbështetësve të tij, kanë qenë “të vërteta apo të pavërteta” dhe çka ka qenë e “motivuar politikisht”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se agjencia duhet të mbyllet.

Mirëpo Qeveria e tij ka vazhduar të lejojë UNRWA-n që të operojë në Bregun Perëndimor dhe Gazë, ku ofron shërbime bazike, që në situatë tjetër do të ishin përgjegjësi e Izraelit, i cili e ka pushtuar Bregun Perëndimor dhe ka vendosur bllokadë deri te kufiri i Egjiptit me Gazën.

Asnjë tjetër entitet nuk do të mund të plotësojë boshllëkun që mund të lërë UNRWA, nëse i pushon të gjitha operacionet.

Çfarë nënkupton për Gazën ndalja e fondeve?

Shtetet e Bashkuara, të parat që kanë ndërprerë ndihmën, kanë qenë donatoret kryesore të agjencisë, duke ofruar 340 milionë dollarë, më 2022.

Disa shtete tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë, Gjermaninë, Japoninë dhe Italinë, e kanë pezulluar, po ashtu, ndihmën.

Në total, të gjithë këto vende kanë formuar 60 për qind të fondeve të agjencisë më 2022.

Ende nuk dihet dhe kur apo si do të vërehet pezullimi i ndihmave në operacionet ditore të agjencisë.

Norvegjia dhe Irlanda, kanë thënë se do të vazhdojnë të financojnë këtë trup.

Lufta e ka zhytur Gazën në kriza të thella humanitare.

Një në katër palestinezë në këtë territor, përballet me uri.

“Operacioni ynë humanitar në Gazë, prej të cilit varen 2 milionë njerëz, kokë e këmbë, është duke u shpartalluar”, ka thënë Lazzarini në X, platformë e njohur më parë si Twitter.

Ai është shokuar me vendimin e disa shteteve për të pezulluar ndihmën, “duke u bazuar në dyshimet e disa individëve, teksa vazhdon lufta, dhe thellohen nevojat e uria”.

Si pasojë e luftës në Gazë janë vrarë rreth 26.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa janë plagosur më shumë se 64.4000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Në këto shifra përfshihen mbi 150 punëtorë të UNWRA-s, duke shënuar numrin më të madh të personave që ka humbur agjencia në një konflikt./rel

Bilanc tragjik në Gaza, mbi 26 mijë palestinezë të vrarë që nga fillimi i luftës

Gjithsej 26,751 palestinezë janë vrarë dhe 65,636 janë plagosur nga forcat izraelite në Gaza që nga 7 tetori, tha ministria e shëndetësisë së Gazës në një deklaratë të martën.

Ministria, e cila kontrollohet nga Hamasi, tha se 114 palestinezë u vranë dhe 249 u plagosën në 24 orët e fundit.

OCHA, organi i OKB-së për të drejtat e njeriut, tha se 367 palestinezë janë vrarë, përfshirë 94 fëmijë, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli gjatë së njëjtës periudhë.

Izraeli pretendon se ka vrarë 9,000 luftëtarë brenda Gazës.

Izraeli thotë se ka “neutralizuar” tre luftëtarë të Hamasit në një spital në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite tha se trupat e saj “kanë neutralizuar” luftëtarë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – të cilët, sipas ushtrisë, ishin duke u fshehur në një spital në qytetin Xhenin në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Izraeli tha se tre personat po planifikonin të kryenin një sulm së shpejti.

Ushtria identifikoi një nga ta si Mohammed Jalamneh, 27 vjeç, nga Xhenini, që tha se kishte kontakte me selinë e Hamasit jashtë vendit dhe po planifikonte “një sulm të inspiruar nga masakra e 7 tetorit”.

Ndërkaq, dy të tjerët, sipas Izraelit ishin militantë nga zona.

“Jalamneh kishte planifikuar që të kryente një sulm terrorist në një të ardhme të afërt dhe përdorin spitalin si vend për të fshehur dhe prandaj ai u neutralizua”, tha ushtria izraelite.

Deri më tani, palestinezët nuk kanë konfirmuar identitetet e tre personave.

Ushtria izraelite nuk pranoi të tregonte nëse tre personat janë vrarë, por Radio Zëri i Palestinës raportoi se tre palestinezë janë vrarë në një spital.

Bregu Perëndimor është një prej zonave ku palestinezët dëshirojnë të krijojnë shtetin e tyre të ardhshëm. Në këtë zonë, dhuna është rritur që nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit në jug të Izraelit, që nxiti luftën në Gazë.

Hamasi ka vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe ka rrëmbyer afër 250 të tjerë gjatë sulmit fillestar në jug të Izraelit.

Si kundërpërgjigje, Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Rripin e Gazës dhe deri më tani, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë, në këtë territor janë vrarë mbi 26.000 palestinezë./REL

Blinken thotë se situata në Lindjen e Mesme është më e rrezikshme se në vitin 1973

Nga: A.M.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se situata në Lindjen e Mesme është më e rrezikshme sesa ka qenë për dekada, raporton Al-Jazeera, transmeton "Bota sot".

"Unë do të argumentoja se ne nuk kemi parë një situatë aq të rrezikshme sa ajo me të cilën po përballemi tani në të gjithë rajonin që nga të paktën 1973. Dhe me siguri, edhe para kësaj," tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. në Uashington të hënën.

"Ky është mjedisi në të cilin ne po operojmë," tha Blinken, sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa.

Në vitin 1973, lufta e njohur për izraelitët si Yom Kippur dhe për arabët si Lufta e Tetorit filloi kur Egjipti dhe Siria filluan një sulm me dy fronte mbi Izraelin për të rifituar territoret e tyre të humbura në Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967, kur Izraeli pushtoi Gadishullin e Sinait në Egjipti dhe lartësitë e Golanit të Sirisë.

Izraeli gjithashtu kapi pjesë të mëdha të Palestinës historike, duke përfshirë Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës në vitin 1967.

Egjipti rifitoi kontrollin e Sinait, por Lartësitë Golan të Sirisë mbeten të pushtuara nga Izraeli.

Edhe territoret palestineze janë ende të pushtuara edhe sot e kësaj dite nga forcat izraelite.

Forcat e fshehta izraelite vrasin tre palestinezë brenda spitalit Ibn Sina

Nga: A.M.

Ushtria izraelite ka shënjestruar spitalet në mënyra të ndryshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së kësaj lufte, siç e dimë. Por, duke shkuar në spital si – në thelb – një skuadër goditëse e synuar për të vrarë njerëz brenda spitalit, kjo nuk ka ndodhur që nga fillimi i këtij raundi të fundit të dhunës.

Ajo që dimë për këtë është se brenda natës një njësi e forcave speciale të fshehta hyri në spitalin Ibn Sina, i cili është në perëndim të Jeninit.

Ata ishin të fshehur në atë që ishin të veshur si mjekë. Disa prej tyre ishin veshur si infermiere. Disa prej tyre ishin veshur si civilë.

Kjo njësi përbëhej nga policia dhe ushtria [izraelite]. Ata u ngjitën në katin e tretë të spitalit dhe aty qëlluan dhe vranë tre të rinj palestinezë.

Nuk duket se ka pasur ndonjë përpjekje për të arrestuar këta persona. Kështu ata hynë atje dhe i vranë ndërsa po flinin, raporton AlJazeera, transmeton "Bota sot".

Ne e kuptojmë se njëri prej tyre po trajtohej në spital dhe kishte rreth tre muaj që ishte plagosur nga ushtria izraelite.

Gazetari i Al Jazeera Arabic në Jenin po thotë se dy nga njerëzit ishin vëllezër.

Njëri prej tyre ishte i lidhur me Brigadat Al-Qassam. Ky është krahu i armatosur i Hamasit. Dy të tjerët ishin të lidhur me Batalionin Jenin. Ky është Xhihadi Islamik Palestinez.

Sulmi me dron në bazën amerikane në Jordani, reagon ish-komandanti

Sulmi me dron në bazën amerikane në Jordani ishte një “rezultat i natyrshëm, i pashmangshëm i mospërgjigjjes më herët në një mënyrë dhe në një gjuhë që ata në rajon do ta kuptonin”, tha ish-komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së për Sky News.

Gjenerali Kenneth F. McKenzie Junior, i cili shërbeu në këtë rol midis 2019 dhe 2022, tha se ai beson se SHBA nuk duhet të përjashtojë asgjë dhe çdo përgjigje duhet të jetë diçka që "ndryshon sjelljen".

"Ne kemi opsionin për të goditur milicinë që na goditi drejtpërdrejt, ne mund të shkojmë pas tyre," tha ai për The World with Yalda Hakim.

“Ne duhet të konsiderojmë ndoshta ndjekjen e burimit, që është Irani.

"Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht goditja e Iranit kontinent, ka objektiva të tjerë të IRGC [Gardës Revolucionare iraniane] rreth rajonit dhe ne nuk duhet të përjashtojmë asnjë zonë gjeografike ndërsa mendojmë për reagimin tonë.

"Por nëse do të përgjigjemi, duhet të sigurohemi që është diçka që në fakt ka një efekt mbi armikun dhe ndonjëherë përgjigjet tona në të kaluarën nuk e kanë arritur këtë objektiv."

Ai tha se "shkaku kryesor i problemit" është Irani dhe vendi duhet të konsiderohet më qendror pasi SHBA "përballet me problemin".

“Nuk do të përjashtoja asgjë, gjeografike apo ndryshe”, shtoi ai.

Ushtria izraelite çmonton batalionet e Hamasit: Më shumë se 2000 militantë të vrarë në Gazën jugore

Nga: A.M.

Ushtria izraelite pretendon se ka vrarë më shumë se 2,000 luftëtarë të Hamasit në Khan Younis, një qytet në Gazën jugore që ka qenë fokusi i ofensivës së saj javët e fundit.

Zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, tha se forcat izraelite kanë çmontuar dy nga katër batalionet e Hamasit rreth qytetit me popullsi të dendur deri më tani.

Ai tha se ata operuan mbi tokë dhe nga brenda dhjetëra kilometra tunele nëntokësore, raporton Sky news, transmeton "Bota sot".

"Ne po vazhdojmë sulmin në zonën e Khan Younis, ne kemi më shumë misione operacionale për të çmontuar kornizat ushtarake të pjesës tjetër të batalioneve të Hamasit," tha kundëradmirali Hagari.

“Në të gjithë Khan Younis ne kemi eliminuar më shumë se 2000 terroristë sipër dhe nën tokë.

“Përveç kësaj, ne shkatërruam infrastrukturë të konsiderueshme nëntokësore, në të cilën gjetëm objekte për mbajtjen e pengjeve, qendra komanduese, armë, objekte prodhimi dhe materiale të inteligjencës”.

Ai gjithashtu pretendoi se më shumë se 300 militantë të dyshuar janë arrestuar dhe marrë për t'u marrë në pyetje gjatë javës së kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat