Hamasi shenja rigjallërimi në pjesët e Gazës nga janë tërhequr forcat izraelite

Azia

Hamasi shenja rigjallërimi në pjesët e Gazës nga janë tërhequr forcat izraelite

Më: 3 shkurt 2024 Në ora: 20:31

Hamasi ka filluar të rishfaqet në zonat nga ku Izraeli tërhoqi forcat një muaj më parë. Grupi militant ka filluar të rishfaqë ditët e fundit punonjësit e policisë dhe të bëjë pagesa mujore për disa nga punonjësit civilë në qytetin e Gazës.

Shenjat e rigjallërimit të Hamasit në qytetin më të madh të Gazës nxjerrin në pah aftësinë mbijetuese të këtij grupi, megjithë fushatën ajrore dhe tokësore të Izraelit në katër muajt që kur sulmi i 7 tetorit në Izrael shkaktoi luftën. Izraeli thotë se është i vendosur të shkatërrojë Hamasin dhe t’ia ndalojë rikthimin në pushtet në Gazë, ku ka sunduar që nga viti 2007.

Gjatë ditëve të fundit, Izraeli rifilloi sulmet ajrore në pjesët perëndimore dhe veriperëndimore të qytetit të Gazës, përfshirë në disa nga zonat ku u njoftua se po bëhej shpërndarja e pagave.

Katër banorë të qytetit të Gazës i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se në ditët e fundit, oficerë policie me dhe pa uniformë ishin dislokuar pranë stacioneve të policisë dhe zyrave të tjera të qeverisë, përfshirë pranë spitalit Shifa, më të madhit në vend. Banorët thanë se panë rikthimin e punonjësve civilë dhe të sulmeve ajrore izraelite pranë zyrave të përkohshme.

Rikthimi i policëve shënon një përpjekje për të risjellë rendin në qytetin e shkatërruar pasi Izraeli tërhoqi një numër të madh forcash nga Gaza veriore muajin e kaluar, i tha në kushte anonimiteti një zyrtar i Hamasit agjencisë së lajmeve Associated Press.

Zyrtari tha se drejtuesit e grupit u patën dhënë udhëzime të rivendosin praninë në pjesë të veriut nga ku ishin tërhequr forcat izraelite, ndër të tjera duke ndihmuar për të parandaluar grabitjen e dyqaneve dhe shtëpive të braktisura nga banorët që u larguan drejt jugut sipas urdhërave izraelite për t’u evakuuar.

Gjatë ofensivës tokësore të Izraelit, shumë shtëpi dhe godina mbetën gjysëm të shkatërruara ose u rrënuan plotësisht.

Saeed Abdel-Bar, banor në qytetin e Gazës, tha se një i afërm i tij mori fonde nga një zyrë e përkohshme e Hamasit, që ishte ngritur për të shpërndarë pagesa prej 200 dollarësh për punonjësit e qeverisë, përfshirë oficerët e policisë dhe punonjësit e bashkisë.

Që kur mori kontrollin e Gazës 17 vite më parë, Hamasi ka drejtuar një administratë me dhjetëra mijëra punonjës civilë, përfshirë mësues dhe policë që veprojnë veçmas krahut ushtarak të këtij grupi.

Pagesat e pjesshme për disa nga punonjësit e qeverisë sinjalizojnë se Izraeli nuk i ka dhënë goditje shkatërrimtare Hamasit, megjithëse pretendon të ketë vrarë mbi 9 mijë luftëtarë të këtij grupi.

Ahmed Abu Hadrous, banor në qytetin e Gazës, tha se avionët izraelitë goditën zyrat e përkohshme në disa vendndodhje këtë javë, përfshirë edhe të shtunën.

Udhëheqësit ushtarakë izraelitë patën thënë se kishin prishur zinxhirin komandues të batalioneve të Hamasit në veri, por se individë të caktuar vazhdonin të bënin sulme guerile.

Ndërkohë, luftimet në Gazën jugore kanë vazhduar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat