Gjimnazistët nga Ajova vizitojnë Kinën me ftesë të Presidentit Xi Jinping

Azia

Gjimnazistët nga Ajova vizitojnë Kinën me ftesë të Presidentit Xi Jinping

Më: 11 shkurt 2024 Në ora: 17:55
Xi Jinping

Organizimi me nxitim i një udhëtimi në Kinë për gjimnazistët e qytetit Muscatine të shtetit Ajova, me të gjitha shpenzimet e mbuluara nga Pekini, shënon fillimin e përpjekjeve të Presidentit Xi Jinping për të mirëpritur deri në 50,000 studentë amerikanë në vendin e tij. Gazetari i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, na njeh në materialin në vazhdim lidhjet historike të qyteti Muscatine me udhëheqësin e Kinës.

Nxënësi i shkollës së mesme të qytetit Muscatine të shtetit Ajova, Cole Loos, nuk kishte udhëtuar ndonjëherë jashtë vendit. Por në janar iu krijua mundësia të vizitonte Kinën.

“Isha me fat që e kisha pasaportën gati”, tregon për Zërin e Amerikës gjimnazisti Loos.

Ftesa kërkonte që udhëtimi të zhvillohej brenda pak ditëve. Loss dhe 24 gjimnazistë të tjerë kishin më pak se dhjetë ditë që të përgatiteshin për udhëtimin.

“Ishte spontane”, tregon ai. Spontane, por jo rastësore.

Në vitin 1985, Sarah Lande priti në qytetin Muscatine një grup kërkimor bujqësor nga Kina

Një nga pjesëtarët e grupit ishte zoti Xi Jinping, aktualisht president i Republikës Popullore të Kinës. Zonja Lande ndihmoi në organizimin e turneut në Muscatine.

“Kur sillesh mirë me njerëzit, ndodhin gjëra të mira”, thotë Sarah Lande e cila u miqësua me udhëheqësin kinez.

Zoti Xi u kthye në Muscatine në vitin 2012, duke vizituar disa nga miqtë e tij të vjetër të Ajovës në shtëpinë e zonjës Lande.

Nëntorin e kaluar, zonja Lande mori pjesë në një darkë në San Françisko ndërsa zhvillohej takimi i nivelit të lartë i Bashkëpunimit Ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit.

Në fjalimin e tij në këtë darkë, zoti Xi shprehu dëshirën për të mirëpritur mijëra studentë amerikanë në Kinë, duke e shtyrë zonjën Lande që t’i dërgonte një letër mikut të saj të vjetër.

“Më erdhi një letërkëmbim dhe thashë se shpresoj që Muscatine mund të jetë pjesë e nismës. Ndoshta, kjo ishte nxitja për ftesën”, tregon zonja Lande.

Oferta e zotit Xi, për një udhëtim në Kinë me të gjitha shpenzimet e mbuluara, kishte disa parakushte. Studentët dhe mësuesit nga qyteti Muskatine shpenzuan tetë ditë me studentët kinezë, duke vizituar Murin e Madh të Kinës dhe qendra të tjera historike si dhe morën pjesë në një konferencë për gjuhën mandarine. Gjimnazisti Loos thotë se vështirë të shihje një shfaqje të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

“Atje u ndjemë shumë mirë.”

“Jam shumë krenare për studentët. Duket se brenda pak ditësh u rritën shumë shpejt”, thotë Heidi Kuo, mësuese e gjuhës kineze në shkollën e mesme të qytetit Muscatine.

Me origjinë nga Tajvani, mësuesja Heidi Kuo i shoqëroi studentët në udhëtimin në Kinë. Ajo shpreson që nxënësit e saj të kenë nxjerrë një mësim të rëndësishëm.

“Bota është shumë e madhe, nuk jemi vetëm ne”.

Mësuesja Ann Edkin është nga Muskatine, një qytet me rreth 23,000 banorë në shtrihet në brigjet e lumit Misisipi. Ajo ishte një nga katër mësuesit që shoqëruan studentët në udhëtimin në Kinë. Lidhja mes komunitetit të saj dhe udhëheqësit të Kinës është një histori mbresëlënëse.

“Të mahnit fakti që ai ka ardhur këtu. Zhvillimi i marrëdhënieve të vazhdueshme, çka nuk janë rastësi, është diçka unike dhe speciale”, thotë mësuesja Ann Edkin.

Ndërsa studentë të tjerë përgatiten për udhëtime në Kinë ((end courtesy)) synimi tjetër i zonjës Lande është që ta inkurajojë "mikun e saj të vjetër" që të kthehet në Muscatine. Ajo thotë se qyteti do të ishte vendi i duhur për një takim të ardhshëm me Presidentin Joe Biden.

“Muscatine do ta mirëpriste atë!”

Një vend i mundshëm mund të jetë shtëpia ku qëndroi zoti Xi në vitin 1985, tani e kthyer në muze … që vizitohet kryesisht nga turistët kinezë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat