Palestinezët që punonin në Izrael: Dikur fitoja para të mira, por tani nuk mund të blej as çokollatë për vajzën

Azia

Palestinezët që punonin në Izrael: Dikur fitoja para të mira, por tani nuk mund të blej as çokollatë për vajzën

Më: 18 shkurt 2024 Në ora: 10:47
Palestinez

Kamal Karaja kishte fituar në muaj 3.500 dollarë duke punuar në ndërtimtari në vendpunishtet izraelite, që ishin të hyra të mjaftueshme për palestinezin të jetojë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Megjithatë, leja e punës i është tërhequr pas sulmit të grupit militant Hamasi në Izrael gjatë tetorit të vitit të kaluar, dhe pas fillimi të luftës në Rripin e Gazës.

Autoritetet izraelit si arsye për tërheqjen e lejes së punës e kanë dhënë “kërcënimin e sigurisë”.

“Kam pritur që të përfundojë lufta, por akoma është duke u zhvilluar. Më është dashur të shes veturën një muaj pas fillimit të luftës për shkak të problemeve financiare”, tha 32-vjeçari që jeton në qytetin Deir Bzi, jo larg Ramallahut.

Autoritetet palestineze pretendojnë se nga kjo luftë janë prekur 200 mijë punonjës, kryesisht ata nga Bregu Perëndimor. Kamal ka theksuar se vajza e tij 3-vjeçare Zeina po e vëren se më nuk po i blejnë ushqim siç kanë bërë dikur.

“Më pyet pse më nuk po i blejë patatina dhe çokollata”, tha ai.

Qindra burra në qytetin e Kamal janë në të njëjtën situatë sikur ai, pasi ekonomia ka ngecur. Pas dy muajve kërkim për punë, ka fituar një punë dyjavore në ndërtimtari në Bregun Perëndimor.

Por u largua edhe nga ky vend i punës për shkak të vështirësive financiare të punëdhënësit.

Tani merret me prerjen e druve dhe i shet për ngrohje. Sipas tij, nga shitja e druve fiton vetëm 2 për qind të pagës që e merrte në Izrael.

Pasi i ishte tërhequr leja e punës, nuk është dëmshpërblyer nga autoritetet apo punëdhënësi. Si shumë palestinezë tjerë, ishte i punësuar pa marrëveshje për punët e kryera.

Derisa punëdhënës të caktuar izraelitë po loobojnë që punonjësve palestinezë t’ju rikthehen leje për punë, qeveria izraelite ka tjetër plan.

Në fakt punonjësit palestinezë gjatë këtij viti do të zëvendësohen me 60 mijë punonjës nga India, Kina, Moldavia, Shri Lanka dhe Tajlanda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat