LIVE: “Nëse nuk i lirojnë pengjet deri më 10 mars, do të...” – kërcënon anëtari i kabinetit të luftës së Izraelit

Azia

LIVE: “Nëse nuk i lirojnë pengjet deri më 10 mars, do të...” – kërcënon anëtari i kabinetit të luftës së Izraelit

Nga: BOTA SOT Më: 19 shkurt 2024 Në ora: 06:26 Përditësuar në ora: 21:21 më 19.02.2024
Izrael

“Nëse nuk i lirojnë pengjet deri më 10 mars, do të fillojmë ofensivën” – anëtari i kabinetit të luftës të Izraelit paralajmëron pushtimin e Rafah

Një anëtar i kabinetit izraelite të luftës pranoi se pushtimi tokësor i Rafah mund të fillojë rreth fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, pra më 10 mars.

“Nëse pengjet tanë nuk janë në shtëpi deri në Ramazan, luftimet do të vazhdojnë në zonën e Rafah”, tha gjenerali në pension Benny Gantz, pjesë e kabinetit të luftës të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Është hera e parë që liderët izraelitë kanë diskutuar publikisht një kornizë kohore për një ofensivë tokësore në Rafah, ku më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të enklavës kanë kërkuar strehim.

Komentet e Gantz vijnë pasi Netanyahu hodhi poshtë thirrjet për të ndalur ofensivën ushtarake në Gaza, dhe u zotua të “mbarojë punën”.

Ai tha gjithashtu se kërkesat e grupit militant në pushtet të Gazës, Hamas ishin një “mashtrim”.

SHBA, aleati kryesor i Izraelit, thotë se mbetet me shpresë për të ndërmjetësuar një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Shkon në 29 mijë numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i luftës

Ka shkuar në 29 mijë numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i luftës, sipas një njoftimi nga ministria e shëndetësisë në Gaza. Sipas ministrisë, 29,092 persona janë vrarë nga sulmet izraelite dhe 69,028 kanë mbetur të plagosur.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit, 107 palestinezë u vranë dhe 145 të tjerë u plagosën.

Ndërkohë sot po mbahet një seancë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në Gaza. Deri më tani në mesin e vendeve dhe organizatave që kanë dorëzuar deklaratat me shkrim në gjykatë, vetëm Fixhi dhe SHBA kanë mbrojtur Izraelin.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë asnjë argument nësë pushtimi është i ligjshëm apo i paligjshëm.

Izraeli vendos ultimatum për ofensivën tokësore në jug të Gazës

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i ka hedhur poshtë sërish thirrjet për të ndalur ofensivën ushtarake në Gazë, duke u zotuar për “ta përfunduar punën”.

Ndërkohë, një anëtar i kabinetit të tij ka kërcënuar me pushtim të qytetit jugor të Gazës, Rafah, nëse pengjet e mbetura izraelite në duart e Hamasit, nuk lirohen deri në nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Qeveria izraelite nuk i ka diskutuar publikisht afatet kohore për ofensivën tokësore në Rafah, ku janë strehuar më shumë se 2.3 milionë palestinezët e ikur prej pjesëve tjera të Gazës.

Gjenerali i pensionuar Benny Gantz, anëtar i kabinetit të Netanyhut, është zë me ndikim, mirëpo nuk dihet nëse e ka fjalën e fundit për atë që mund të ndodhë.

“Nëse deri në nisje të Ramazanit nuk lirohen pengjet, luftimet do të vazhdojnë në zonën Rafah”, ka thënë Gantz në një konferencë të liderëve hebrejo-amerikanë.

Muaji i Ramazanit, që sivjet nis më 10 mars, është zakonisht periudhë që rrit tensionet në rajon.

Në kohën e bllokimit të negociatave për armëpushim, Netanyahu i ka quajtur kërkesat e Hamasit si “iluzione”.

Shtetet e Bashkuara, aleatet kryesore të Izraelit, janë duke shpresuar ende në arritje të armëpushimit dhe marrëveshje për pengjet, dhe janë në kërkim të një zgjidhjeje më të madhe për luftën e nxitur prej Hamasit, për shkak të sulmeve që ka kryer në tokën izraelite më 7 tetor të vitit të kaluar.

Si pasojë e sulmeve janë vrarë 1.200 izraelitë dhe qindra tjerë janë marrë peng.

Izraeli, në anën tjetër, ka treguar qartë se kundërshton thirrjet e SHBA-së për të gjetur një zgjidhje me dy shtete, ani pse edhe një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar mbështet një shtet të pavarur palestinez.

Netanyahu ka thënë se Izraeli kërkon “fitore të plotë” ndaj Hamasit.

Duke folur për shqetësimet e ndërkombëtarëve për ofensivën në Rafah, ai ka thënë se civilët palestinezë do të evakuohen, ndonëse nuk dihet se ku do të mund të shkojnë ata, pasi një pjesë e mirë e Gazës është rrafsh me tokë.

Lufta në Gazë ka vrarë të paktën 28.985 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Rreth 80 për qind e popullsisë së Gazës është zhvendosur dhe një çerek po përballet me uri./REL

Ministrat e Jashtëm të BE-së pajtohen për angazhim të një misioni detar në Detin e Kuq

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar për të angazhuar një mission detar për t’i mbrojtur anijet prej militantëve të Huthëve në Detin e Kuq, kanë thënë të hënën disa diplomatë për agjencinë e lajmeve dpa.

I quajtur Aspided [Mburoja] sipas një fjale të vjetër greke, misioni nënkupton se evropianët do të dërgojnë anije luftarake dhe sisteme të paralajmërimit të hershëm në Detin e Kuq, Gjirin e Adenit dhe ujërat përreth.

Pjesëtarët e misionit kanë urdhër që të gjuajnë me armë kundër militantëve, vetëm nëse ata sulmojnë të parët.

Komanda operacionale do të jetë në qytetin grek Larisa.

Militantët e Huthëve prej Jemenit, janë duke sulmuar anijet në rajon, si shenjë hakmarrjeje për veprimet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.

Një zyrtar i BE-së ka thënë të premten se shteti më i dëmtuar prej këtyre veprimeve nuk është Izraeli por Egjipti, pasi zvogëlimi i trafikut ka shkaktuar 40 për qind humbje të të hyrave për Autoritetin e Kanalit të Suezit.

Edhe ekonomia e BE-së është thënë të jetë dëmtuar këtë periudhë.

Komisionari i BE-së për Ekonomi, Paolo Gentilioni, u ka thënë gazetarëve ditë më parë se “meqë anijet janë detyruar të ndryshojnë rrugën në dërgesat mes Azisë dhe BE-së, edhe çmimet e këtyre dërgesave janë rritur për gati 400 për qind”.

Rebelët Huthi kanë thënë se sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq janë si shenjë solidarizimi me Gazën, ku militantët e Hamasit – të përkrahur nga Irani – janë në luftë me Izraelin për më shumë se tre muaj.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është i shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Rreth 12 për qind e tregtisë globale kalon përmes Ngushticës Bab al-Mandeb, hyrjes në Detin e Kuq përmes jugperëndimit të Jemenit dhe Xhibutit, mirëpo sulmet e rebelëve kanë shkaktuar çrregullim të madh të trafikut, duke detyruar shumë anije të marrin rrugë alternative rreth Afrikës.

Izraeli kryen sulme të reja vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, SHBA paralajmëron rezolutë në OKB për armëpushim

Izraeli ka kryer sulme ajrore në mbarë Gazën, duke vrarë të paktën 18 persona gjatë natës të shtunës dhe gjatë të dielës, më 18 shkurt, thanë mjekët dhe dëshmitarët, përderisa Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se do të vendosin veto në një draft-rezolutë të re në Kombet e Bashkuara që bën thirrje për armëpushim.

Aleati kryesor i Izraelit, Uashingtoni, tha se në vend të rezolutës favorizon më shumë që të arrihet një marrëveshje armëpushimi dhe lirim i pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe ajo synon të arrihet një zgjidhje më të gjerë për konfliktin izraelito-palestinez.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ha hedhur poshtë kërkesat “absurde” të Hamasit dhe ka refuzuar thirrjet e SHBA-së dhe të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë për një rrugë drejt shtetësisë palestineze.

Të dielën, kabineti i tij miratoi një deklaratë duke thënë se Izraeli në “mënyrë kategorike refuzon thirrjet ndërkombëtare për një marrëveshje të përhershme me palestinezët” dhe duke refuzuar njohjen e njëanshme të një shteti palestinez, i cili “do të ishte çmim i madh për terrorin” pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit që nxiti luftën.

Kryeministri izraelit u zotua se do të vazhdojë ofensivën “deri në fitoren e plotë” ndaj Hamasit, dhe se do të zgjerojë luftën në qytezën e Rafahut, ku gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë palestinezësh janë strehuar nga luftimet në Gazë.

Izraeli gjatë natës kreu sulme në Rafah duke vrarë gjashtë persona, përfshirë një grua dhe tre fëmijë. Në një sulm tjetër në Han Junis u vranë pesë persona të tjerë.

Në Qytetin e Gazës nga një sulm ajror është shkatërruar një shtëpi duke lënë të vrarë shtatë persona, përfshirë tri gra, thanë familjarët e viktimave.

Ushtria izraelite rrallë komenton sulmet individuale dhe për viktimat civile ia lë fajin Hamasit, pasi thotë se grupi radikal operon brenda zonave të banuara dendur.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi kreu sulm në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Hamasi ende mban afër 130 pengje, një e katërta e të cilëve besohet se kanë vdekur. Pjesa tjetër e pengjeve u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor nëntorin e vitit të kaluar.

Ofensiva izraelite ka vrarë të paktën 28.985 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ky institucion, që nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, tha më 18 shkurt se në këtë numër përfshihen edhe 127 trupat e pajetë që u dërguan në spitale në 24 orët e fundit.

Izraeli, kundër “njohjes së njëanshme” të një shteti palestinez

Izraeli zyrtarizoi të dielën refuzimin e asaj që e quan “njohje e njëanshme” e një shteti palestinez dhe shtoi se një marrëveshje e mundshme duhet të arrihet vetëm nëpërmjet negociatave të drejtpërdrejta. Një ditë më parë, kryeministri izraelit deklaroi se nuk kishte kuptim vazhdimi i bisedimeve me Hamasin. Bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur deri më tani vendosjen e një pauze në luftimet në Gazë.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e njoftoi qëndrimin nëpërmjet një deklarate, të cilën e paraqiti për t’u votuar gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, që e miratoi atë unanimisht.

“Për shkak të ideve rishtazi të komunitetit ndërkombëtar për një përpjekje për t’i imponuar Izraelit në rrugë të njëanshme një shtet palestinez, sot po paraqes për miratim nga qeveria një deklaratë vendimmarrëse për këtë çështje. Jam i sigurt se do të pranohet gjerësisht”, njoftoi kryeministri Netanyahu.

Deklarata zyrtare reflekton qëndrimin e Izraelit ndaj atij që e quan imponim për një shtet palestinez.

“Kjo është deklarata: Izraeli refuzon kategorikisht diktatin ndërkombëtar në lidhje me një marrëveshje të përhershme me palestinezët. Një marrëveshje e tillë do të arrihet vetëm nëpërmjet negociatave të drejtpërdrejta me palët, pa parakushte. Izraeli do të vazhdojë ta kundërshtojë njohjen e njëanshme të një shteti palestinez. Një njohje e tillë pas masakrës së 7 tetorit do t’i dhuronte terrorizmit një shpërblim të jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë dhe do të pengonte një marrëveshje të ardhshme për paqen”, lexoi zoti Netanyahu nga deklarata zyrtare.

Kryeministri izraelit ishte shprehur më herët të shtunën se nuk kishte kuptim vazhdimi i bisedimeve për armëpushim në Gazë dhe i quajti “haluçinacione” kërkesat e Hamasit.

Duke folur për gazetarët, kryeministri Netanyahu tha se, me kërkesë të presidentit amerikan Joe Biden, kishte dërguar negociatorë në bisedimet për armëpushimin në Kajro, por se bisedimet kanë ngecur.

Hamasi qarkulloi një deklaratë të shtunën duke fajësuar Izraelin për mungesën e progresin në arritjen e një armëpushimi në Gazë. Hamasi thotë se do të pranojë vetëm një ndalim të plotë të luftimeve, tërheqjen e Izraelit nga Gaza dhe lirimin e të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Kryeministri i Katarit, Sheiku Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, tha se megjithëse ditët e fundit nuk qenë premtuese, ai vazhdon të jetë optimist.

Bisedimet ku ndërmjetësojnë Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur deri më tani arritjen e një pauze në luftime.

Ushtria amerikane kryen sulme ndaj objekteve të grupit Houthi

Shtetet e Bashkuara kryen pesë sulme në zonat e Jemenit të kontrolluara nga grupi Houthi që mbështetet nga Irani, tha të dielën Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane.

Komanda tha se goditi të shtunën për vetëmbrojtje tre raketa, një nëndetëse pa pilot dhe një anije pa pilot të shtunën.

Është hera e parë që vërehet përdorimi nga grupi Houthi i një nëndetëseje pa pilot, që kur filluan sulme më 23 tetor," tha CENTCOM në një postim në platformën X.

Komanda Qendrore tha se kishte arritur në përfundimin se raketat dhe anijet përbënin një kërcënim të menjëhershëm për anijet e marinës amerikane dhe anijet tregtare.

Sulmet e grupit Houthi në zonën e Detit të Kuq janë një nga treguesit e përhapjes së konfliktit në Lindjen e Mesme që kur shpërtheu lufta midis Izraelit dhe Hamasit pas sulmit vdekjeprurës të grupit militant palestinez ndaj Izraelit në 7 tetor.

Militantët Houthi, që kontrollojnë pjesët më të populluara të Jemenit, thonë se sulmet e tyre janë në solidaritet me palestinezët ndërsa Izraeli godet Gazën.
Por SHBA dhe aleatët e saj thonë se ata sulmojnë pa dallim dhe i konsiderojnë si kërcënim për tregtinë globale. Përballë dhunës në rritje në Detin e Kuq, linjat kryesore të anijeve e kanë shmangur përdorimin e kësaj rruge kritike tregtare, duke ndërmarrë udhëtime më të gjata rreth Afrikës.

Një gjë e tillë ka rritur kostot, duke rritur shqetësimet për një inflacion global, dhe duke privuar Egjiptin nga të ardhura kritike nga transporti në Kanalin e Suezit në Detin e Kuq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat