LIVE: “Irani po armatos Hezbollahun”, Izraeli i dërgon letër KS të OKB-së – ja plani që ka hartuar SHBA

Azia

LIVE: “Irani po armatos Hezbollahun”, Izraeli i dërgon letër KS të OKB-së – ja plani që ka hartuar SHBA

Nga: Bota sot Më: 23 shkurt 2024 Në ora: 09:26 Përditësuar në ora: 17:10 më 23.02.2024
Gaza e shkatërruar

Lufta në Gaza, OKB: Shkelje të të drejtave të njeriut nga të gjitha anët

Një raport vjetor i Kombeve të Bashkuara ka identifikuar shkelje serioze të të drejtave të njeriut të kryera nga të gjitha palët në Izrael dhe në territoret palestineze.

Shefi për të drejtat e njeriut të organizatës, Volker Turk bëri thirrje për përgjegjësi dhe drejtësi për të nxitur paqen.

“Mosndëshkimi i rrënjosur… nuk mund të vazhdojë.

Të gjitha palët duhet të përgjigjen për shkeljet e kryera gjatë 56 viteve të okupimit dhe 16 viteve të bllokadës së Gazës dhe deri më sot,” tha Turk në një deklaratë.

Izraeli letër në Këshillin e Sigurimit: Irani po armatos Hezbollahun, nuk do të presim për një zgjidhje diplomatike

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz informoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së me letër se Irani po i transferon armë Hezbollahut libanez në kundërshtim me Rezolutën 1701 të OKB-së. Kjo

Kështu raportoi Channel 12 TV sipas të cilit në letrën Katz detajoi Këshillin mbi komponentët e saktë të transferuar dhe qëllimet që u shërbejnë.

Ai tregoi gjithashtu rrugën e armëve nga Irani në Irak, prej andej në Siri dhe më pas në Liban, duke dhënë edhe datat e çdo transferimi.

“Irani është koka e gjarprit. Ne nuk do të presim shumë për një zgjidhje diplomatike. Nëse informacioni dramatik që kemi zbuluar në Këshillin e Sigurimit nuk sjell ndonjë ndryshim, ne nuk do të hezitojmë të veprojmë.”, u shpreh ministri izraelit.

Autoriteti palestinez: Plani i Netanyahut për Gazën do të dështojë, nuk do të ketë sukses në përpjekjet e tij

Autoriteti Kombëtar Palestinez (PNA) i Abu Mazen ka hedhur poshtë planin e qeverisë së Benyamin Netanyahut për periudhën e pasluftës në Gaza.

Zëdhënësi Nabil Abu Rudeina tha se “Gaza do të jetë vetëm pjesë e shtetit të pavarur palestinez me Jerusalemin si kryeqytet dhe çdo plan tjetër do të dështojë".

“Izraeli nuk do të ketë sukses në përpjekjet e tij për të ndryshuar realitetin dhe demografinë e Gazës.

Nëse bota dëshiron siguri dhe stabilitet në rajon, ai duhet t’i japë fund okupimit dhe të njohë shtetin e pavarur palestinez“, u shpreh zëdhënësi.

Shtetet e Bashkuara po hartojnë një plan për krijimin e shtetit palestinez pas përfundimit të luftës në Gazë

Ndonëse luftimet në Gazë nuk tregojnë shenja se janë afër përfundimit, bashkësia ndërkombëtare ka filluar të shqyrtojë skenar se si do të duket Rripi i Gazës pas luftës. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës në Jerusalem, Linda Gradstein, Shtetet e Bashkuara thonë se duan të shohin krijimin e një shteti të demilitarizuar palestinez të udhëhequr nga Autoriteti i reformuar Palestinez. Izraeli vazhdon të kundërshtojë krijimin dhe njohjen e një shteti palestinez.

Me izraelitët ende të traumatizuar nga masakra e grupit militant Hamas ndaj vendbanimeve izraelite më 7 tetor, shumica absolute e deputetëve në parlamentin e Izraelit Knesset votuan për të kundërshtuar njohjen e njëanshme të shtetit palestinez.

“Izraeli do të vazhdojë të kundërshtojë njohjen e njëanshme të shtetit palestinez. Një njohje e tillë përballë masakrës së 7 tetorit do të ishte një shpërblim i madh dhe i pashembullt i terrorizmit,” deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar fuqimisht veprimet e Izraelit në Gazë që kanë çuar në vdekjen e 29,000 njerëzve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë palestineze dhe kanë krijuar një krizë humanitare në Gazë. Ata po ashtu thonë se Gaza duhet të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez. Autoriteti Palestinez, që kontrollon Bregun Perëndimor, e konsideron reagimin aktual ndërkombëtar ndaj luftës Izrael-Hamas si një mundësi për të nxitur krijimin e shtetit.

“Bota nuk duhet të ndjekë qëndrimin e Netanyahut dhe qeverisë së tij, që kundërshton zgjidhjen me krijimin e dy shteteve. Në vend të kësaj, bota duhet të përpiqet t’i japë fund okupimit, të njohë njëanshëm Shtetin e Palestinës, të votojë që Palestina të bëhet shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara,” deklaroi Kryeministri palestinez Mohammed Shtayyeh.

Sipas raportimeve në mediat amerikane, Uashingtoni po parashikon një rend të ri rajonal, sipas të cilit Izraeli pajtohet me krijimin e një shteti të demilitarizuar palestinez ne Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Në këmbim, Izraeli do të përfitojë një plan paqeje, i dëshiruar prej kohësh me Arabinë Saudite, e cila nga ana e saj do të siguronte një marrëveshje mbrojtjeje me Shtetet e Bashkuara. Shtete të tjera arabe që tashmë kanë nënshkruar marrëveshje paqeje me Izraelin do të ofrojnë garanci sigurie që shteti palestinez të mos bëhet kërcënim për Izraelin.

Disa analistë palestinezë dhe ish negociatorë paqeje e konsiderojnë nismën amerikane si jorealiste dhe jo përmbajtësor.

“Kur Shtete e Bashkuara flasin për shtetin palestinez, nuk mendoj se është e qartë se për çfarë përmbajtjeje bëhet fjalë. Kur flasin për të, ata po i përgjigjen një kërkese rajonale, që të paktën krijimi i shtetit të jetë në horizont politik,” thotë ish negociatori palestinez Ghaith Al Omari.

Kjo gjë është provuar në të kaluarën. Në vitin 1993, Izraeli dhe palestinezët, bashkë me Presidentin Bill Clinton, nënshkruan Marrëveshjen e Oslos që skicoi rrugën për krijimin e shtetit palestinez. Ai nuk u realizua. Por disa negociatorë të Oslos thonë se nuk është shumë vonë, qoftë edhe tani pas masakrës së Hamasit dhe pas katër muajsh lufte në Gazë.

“Zakonisht, pas luftës arrihet paqja. Shikoni historinë, të gjithë e kemi studiuar. Në historinë e Evropës dhe vendeve të tjera marrëveshjet janë arritur pas luftrave. Si është e mundur? Urrejtja rritet në dyja anët pas luftrave dhe njerëzit duan ta heqin qafe problemin që shkaktoi luftën dhe arrin një moment, që janë të gatshëm për paqen,” thotë negociatori izraelit Yossi Beilin.

Por ky version i paqes së zotit Beilin aktualisht nuk përputhet me opinionin publik izraelit, sipas një ankete të Institutit për Demokraci të Izraelit. Sipas anketës, dy të tretat e hebrenjve izraelitë nuk e mbështesin një shtet palestinez, as qoftë edhe si pjesë të një marrëveshjeje që do të përfshinte paqen me Arabinë Saudite./VOA

Të paktën 23 të vrarë në sulmet në qendër të Gazës, thotë Hamasi

Të paktën 23 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite ndaj shtëpive në Gaza qendrore, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

Kjo vjen pasi ministria tha se sulmet në Gazën jugore dhe qendrore vranë të paktën 48 njerëz gjatë natës së kaluar, gjysma e të cilëve tha se ishin gra dhe fëmijë, shkruan SkyNews.

Forcat izraelite ndalojnë dy fëmijë palestinezë në Bregun Perëndimor

Dy fëmijë palestinezë 10-vjeçarë në Bregun Perëndimor janë arrestuar nga forcat izraelite.

Banorët kanë bërë të ditur se fëmijët po luanin kur forcat izraelite i akuzuan se kishin hedhur gurë në rrugën kryesore, shkruan Aljazeera.

Fëmijët ishin të shoqëruar nga të afërmit e tyre.

Ata u mbajtën për orë të tëra para se të liroheshin.

Delegacioni i Hamasit largohet nga Kajro pas tri ditësh bisedime

Një delegacion i Hamasit, i udhëhequr nga lideri politik i grupit, Ismail Haniyeh, është larguar nga Egjipti pas tre ditësh diskutimesh në kryeqytetin, Kajro.

Sipas një deklarate të Hamasit, delegacioni u takua me zyrtarë izraelitë dhe kreun e shërbimit të inteligjencës egjiptiane Abbas Kamel dhe diskutoi një marrëveshje armëpushimi që do të përfshinte lirimin e robërve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë, shkruan Aljazeera.

Gjithashtu u diskutua fluksi i ndihmave humanitare në Gazën veriore dhe tensionet e vazhdueshme në Xhaminë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar, ku forcat izraelite kanë penguar myslimanët të shkojnë për të adhuruar javët e fundit.

Koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut ishte gjithashtu në Egjipt këtë javë për bisedime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat