Ndërmjetësuesit e paqes takohen në Paris, përpjekje për të shmangur ofensivën në Rafah

Azia

Ndërmjetësuesit e paqes takohen në Paris, përpjekje për të shmangur ofensivën në Rafah

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 16:00
Foto ilustrim

Një delegacion i drejtuar nga kreu i agjencisë izraelite të zbulimit, David Barnea, ndodhet në Paris në kuadër të bisedimeve për lirimin e pengjeve që vazhdojnë të mbahen nga militantët e Hamasit.

Ndërmjetësuesit e paqes po përpiqen të arrijnë një marrëveshje në Paris lidhur me armëpushim në Gazë, me shpresën për të parandaluar ofensivën e Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku janë zhvendosur më shumë se 1 milionë banorë.

Izraeli nuk ka bërë komente publike mbi bisedimet në Paris, të cilat pritet të vazhdojnë gjatë fundjavës.

Izraeli kreu të tjera sulme ajrore të premten, në disa zona të Gazës, përfshirë qytetet Deir al-Balah, Khan Younis dhe Rafah.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, tha të shtunën se si pasojë e sulmeve ishin vrarë 93 persona.

Izraeli ka parajmëruar se do ta sulmojë qytetin Rafah nëse nuk arrihet së shpejti një marrëveshje.

Uashingtoni i ka bërë thirrje aleatit të tij, që të mos kryejë ofensivën, duke paralajmëruar se kjo do të shkaktonte humbje jete në shkallë të gjerë ndër radhët e civilëve.

Ndërkohë, udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, takoi javën që shkoi ndërmjetësuesit egjiptianë në Kajro, për të diskutuar mbi armëpushimin, në vizitën e tij të parë që prej dhjetorit.

Një zyrtar i Hamasit, i cili kërkoi të mos identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se grupi militant nuk dha ndonjë propozim të ri në bisedimet me egjipitanët dhe grupi ishte në pritje të propozimeve që do të sillnin ndërmjetësusit pas bisedimeve me izraelitët.

“Do të presim derisa egjiptiantë të kthehen nga Parisi”, citoi të ketë thënë zyrtari i Hamasit për agjencinë e lajmeve Reuters .

Disa informacione për këtë artikull u morën nga agjencitë The Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat