LIVE: Izraeli zbulon planin e sulmit në Rafah, pas luftës së ashpër në Gaza, vjen dorëheqja e rëndësishme!

Azia

LIVE: Izraeli zbulon planin e sulmit në Rafah, pas luftës së ashpër në Gaza, vjen dorëheqja e rëndësishme!

Nga: Bota sot Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 06:34 Përditësuar në ora: 14:58 më 26.02.2024
Foto ilustrim

Kryeministri palestinez jep dorëheqje

Kryeministri palestinez, Mohammed Shtayyeh, tha të hënën se ai po jepte dorëheqjen për të lejuar krijimin e një konsensusi të gjerë ndërmjet palestinezëve mbi marrëveshjet politike pas luftës në Rripin e Gazës.

Kjo sinjalizon një gatishmëri nga udhëheqja palestineze e mbështetur nga perëndimi për të pranuar ndryshime që mund të çojnë në reforma, të cilat shihen si të nevojshme për të rigjallëruar Autoritetin Palestinez.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan një Autoritet Palestinez të reformuar që do të qeverisë Rripin e Gazës pasi të përfundojë lufta mes Izraelit dhe Hamasit, të cilin SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë organizatë terroriste.

Presidenti Mahmud Abbas duhet të vendosë nëse do të pranojë dorëheqjen e kryeministrit Shtayyeh dhe Qeverisë së tij dhe mund t'i kërkojë atij të qëndrojë në detyrë derisa të emërohet një zëvendësues i përhershëm.

Në një deklaratë për qeverinë, Shtayyeh, një ekonomist akademik që mori detyrën në vitin 2019, tha se faza tjetër duhet të marrë parasysh realitetin e ri në Rripin e Gazës, i cili është shkatërruar pas gati pesë muajsh luftime të rënda.

Ai tha se përveç aranzhimeve të reja politike, "duhet shtrirja e autoritetit të administratës (palestineze) në të gjithë vendin, Palestinë".

Autoriteti Palestinez, i formuar 30 vjet më parë sipas Marrëveshjes së Përkohshme të Paqes të Oslos, ka autoritet të kufizuar mbi pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, por humbi pushtetin në Gaza pas luftimeve me Hamasin në vitin 2007.

Fatah, i cili kontrollon Autoritetin Palestinez, dhe Hamasi, kanë shtuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje për një qeveri uniteti dhe do të takohen në Moskë, të mërkurën. Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se masa duhet të shoqërohet me një marrëveshje më të gjerë për autoritetin mbi territoret palestineze.

"Dorëheqja e Qeverisë Shtayyeh ka kuptim vetëm nëse është në kontekstin e një konsensusi kombëtar për marrëveshjet për fazën tjetër", tha për Reutersin zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri

Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin dhe thotë se për arsye sigurie nuk do të pranojë sundimin e Autoritetit Palestinez mbi Gazë pas luftës, që shpërtheu pas një sulmi të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, në të cilin, sipas të dhënave izraelite, u vranë rreth 1200 njerëz.

Nga përgjigjja e Izraelit me sulme ajrore e tokësore në Rripin e Gazës deri tani janë vrarë afro 30.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi./REL

HRW akuzon Izraelin për bllokimin e ndihmës për palestinezët në Gazë

Izraeli ka dështuar që të respektojë urdhrin e gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara për të ofruar ndihmë urgjente për popullsinë në Rripin e Gazës, tha organizata Human Rights Watch më 26 shkurt, një muaj pas vendimit të publikuar nga gjykata në Hagë, që urdhëroi të parandalojë vdekjen dhe shkatërrimin në enklavën palestineze.

Në përgjigjen e parë ndaj rastit të ngritur nga Afrika e Jugut që e akuzoi Izraelin për gjenocid, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi Izraelin që të bëjë gjithçka që të shmangë vdekjen, shkatërrimin dhe çdo veprim të gjenocidit në Gazë. Por, GJND-ja nuk urdhëroi dhënin fund të ofensivës ushtarake që ka nxitur një katastrofë humanitare në enklavën e vogël palestineze. Izraeli mohon akuzat ndaj tij, duke thënë se po lufton në vetëmbrojtje.

Një muaj më vonë dhe pothuajse pesë muaj luftë, përgatitjet po bëhen që Izraeli të zgjerojë operacionin e tij tokësor në Rafah, qytezën më jugore të Gazës që gjendet përgjatë kufirit me Egjiptin, ku 1.4 milion palestinezë janë strehuar për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të enklavës palestineze.

Më herët gjatë të hënës, Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ushtria i ka prezantuar Kabinetit të Luftës planin e tij operacional për Rafahun, por edhe planet për evakuimin e civilëve nga zonat e luftimeve. Për këto plane nuk janë dhënë detaje të tjera.

Situata në Rafah, ku të zhvendosurit janë vendosur në tenda, ka nxitur shqetësim botëror dhe aleatët e Izraelit kanë paralajmëruar atë që duhet të mbrojë civilët në betejën e tij kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në vendimin e muajit të kaluar, GJND-ja në gjashtë masa u përfshi edhe “ndërmarrjen e menjëhershme të masave për të ofruar shërbimet bazike dhe ndihmën humanitare për të adresuar kushteve të pafavorshme të jetës me të cilat po përballen palestinezët në Rripin e Gazës”.

Sipas vendimit, Izraeli duhet të dorëzojë një raport brenda një muaji për të treguar se çfarë po bën për të përmirësuar kushtet.

Organizata Human Rights Watch tha se Izraeli nuk po respekton vendimin, në pjesën kur flet për ndihmën humanitare. Kjo organizatë tha se ka prej kur është marrë vendimi pasur rënie prej 30 për qind të numrit të kamionëve me ndihmë që hyjnë çdo ditë në Gazë. Po ashtu, organizata akuzoi Izraelin se nuk po lehtëson dërgesat me karburante për në veri të Gazës dhe fajësoi Izraelin se po bllokon që në këtë pjesë të arrijë ndihma.

“Qeveria izraelite thjesht ka injoruar vendimin e gjykatës dh në disa mënyra veçse ka intensifikuar shtypjen e tij, përfshirë edhe bllokimin e ndihmës shpëtimtare”, tha Omar Shakir drejtor për Izraelin dhe Palestinën në HRW.

Izraeli mohon se bllokon hyrjen e ndihmës dhe fajëson organizatat humanitare që operojnë brenda Gazës, duke thënë se qindra kamionë të mbushur me ndihmë qëndrojnë të parkuar në pjesën palestineze, në pikëkalimin kyç. Kombet e Bashkuara kanë thënë se jo gjithmonë mund të shkojnë te kamionët në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit, pasi shpesh situata është e rrezikshme.

Lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmeve në jug të Gazës. Si pasojë e ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit, në Gazë janë vrarë mbi 29.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi./rel

Izraeli parashtron planin për ofensivën në Rafah

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi të hënën se ushtria "i paraqiti Kabinetit të Luftës një plan për evakuimin e popullsisë nga zonat e luftimeve në Rripin e Gazës dhe planin për operacionin e pritshëm".

Deklarata erdhi pas zotimit të kryeministrit Netanyahu për të çuar përpara planin për ndërhyrje tokësore në qytetin Rafah në jug të Gazës, ku është zhvendosur më shumë se gjysma e populsisë së rajonit, për të gjetur strehë nga luftimet.

Njoftimi nga zyra e kryeministrit izraelit nuk përmbante detaje se ku mund të zhvendoseshin palestinezët.

Qyteti Rafah gjendet në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit. Zonat në veri janë janë shkatërruar gjatë luftimeve katërmujore ndfërsa Egjipti ka deklaruar se nuk do të hapë kufijë e tij.

Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për çdo plan që parashikon zhvendosje të popullsisë në Gazë si dhe për planet e Izraelit për një ofensivë në një zonë të populluar nga palestinezë që tashmë kanë nevojë për ndihma humanitare.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha të hënën se ndihma humanitare në Gazë mbetet “krejt e pamjaftueshme” dhe se ofensiva e izraelit në Rafah do të dëmtonte rëndë përpjekjet për ndihma.

Izraeli njoftoi të hënën se kishte vrarë dhjetra militantë në zonën Zeytoun në lindje të qytetit të Gazës si edhe në qytetin Khan Younis.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, tha se gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 90 persona, duke e çuar bilancin e viktimave si pasojë e sulmeve izraelit në 29,782 të vdekur dhe 70,043 të plagosur. Ushtria izraelite ka thënë se ka vrarë 12 mijë luftëtarë të Hamasit.

Izraeli ndërmorri operacionin ushtarak për eleminimin e Hamasit pas sulmit të 7 tetorit nga grupi Hamas, që sipas autoriteteve izraelite shkaktoi vdekjen e 1200 personave ndërsa 250 të tjerë u morën peng.

Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian./VOA

Netanyahu: Pas operacionit në Rafah, fitorja totale do të arrihet brenda pak javësh

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u shpreh i bindur në fitoren totale kundër Hamasit pasi të ndërhyjë ushtarakisht në Rafah. Këtë deklaratë lideri izraelit e bëri gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan CBS.

Ai shtoi se në orët e ardhshme do të takohet me shefin e shtabit, i cili do ta prezantojë në lidhje me fazat e përgatitjes së planit të dyfishtë ushtarak, që parashikon evakuimin e civilëve palestinezë në Gaza dhe shkatërrimin e batalioneve të mbetura të Hamasit.

Perëndimi ka paralajmëruar se ndërhyrja në Rafah, ku janë shpërngulur mbi 1 milionë palestinezë pas nisjes së sulmeve në Gaza, do të ishte katastrofike.

SHBA i ka kërkuar qeverisë izraelite që të shmangë ndërhyrjen në këtë zonë pa patur një plan të qartë që garanton sigurinë e civilëve.

Izraeli do të dërgojë ndihma humanitare në veri të Gazës

Izraeli do të nisë të hënën dërgimin e ndihmave humanitare në veri të Rripit të Gazës, duke pranuar kështu presionin nga Shtetet e Bashkuara. Këtë e ka bërë të ditur televizioni publik Kan.

Dje UNRWA, agjencia e OKB-së për refugjatët, njoftoi se kishte pezulluar shpërndarjen e ndihmave.

Sipas Kan, kamionët e ndihmës nga Egjipti do të inspektohen në vendkalimet Niztana dhe Kerem Shalom me Izraelin.

Ato do të vazhdojnë në territorin izraelit deri në sektorin verior të Rripit.

OKB: Uria në Gaza mund të shmanget nëse Izraeli lejon më shumë ndihmë humanitare

Uria në Gaza mund të shmanget nëse Izraeli lejon agjencitë e ndihmave të transportojnë më shumë ndihma në enklavë, tha sot kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRëA) Philippe Lazzarini.

Sipas OKB-së, 2.2 milionë njerëz, shumica e popullsisë, janë në rrezik nga uria në Rripin e Gazës të rrethuar nga Izraeli. Dhe këto mungesa të mëdha mund të shkaktojnë një “shpërthim” të vdekjeve të fëmijëve në sektorin verior të enklavës, ku një në gjashtë fëmijë nën moshën 2 vjeç është viktimë e kequshqyerjes akute.

“Është një fatkeqësi e shkaktuar nga njeriu (…) Bota është zotuar të mos lejojë më urinë,” shkroi Filipe Lazzarini në platformën X (ish-Tëitter). “Uria ende mund të shmanget përmes vullnetit të vërtetë politik për të siguruar akses dhe mbrojtje ndaj një sasie të konsiderueshme ndihme.”

Palestinezët në Gaza i kanë thënë AFP ditëve të fundit se janë të detyruar të hanë gjethe ose të vrasin derrat për t’u ushqyer.

Para luftës, rreth 500 kamionë me furnizime hynin në Rripin e Gazës çdo ditë. Por që nga 7 tetori, ky numër ka rënë me shpejtësi në 200, pavarësisht nevojave të mëdha të krijuara nga shkatërrimi i ekonomisë dhe prodhimit bujqësor, sipas shifrave të OKB-së.

Situata është veçanërisht shqetësuese në sektorin verior, ku “mbretëron” kaosi dhe dhuna, sipas Programit Botëror të Ushqimit, i cili të martën pezulloi shpërndarjen e ndihmave për shkak të luftimeve dhe sulmeve ndaj kamionëve.

Sot, organi i Ministrisë izraelite të Mbrojtjes që koordinon operacionet jo luftarake në territoret palestineze, Cogat, njoftoi se 254 kamionë me ndihma humanitare u inspektuan dhe hynë në Gaza.

“Nuk ka asnjë kufi për sasinë e ndihmave humanitare që mund të hyjnë në Gaza për popullatën civile,” sipas Cogat, i cili vendos kontrolle të rrepta mbi kamionët që hyjnë në enklavën palestineze, duke vonuar dërgimin e furnizimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat