Raportohet për vrasjen e një komandanti iranian nga një sulm izraelit në Siri

Azia

Raportohet për vrasjen e një komandanti iranian nga një sulm izraelit në Siri

Më: 1 mars 2024 Në ora: 15:46
Vila e cila u shkatërrua nga një sulm izraelit në Siri, 1 mars 2024.

Një komandant iranian është në mesin e të tre personave të vrarë nga një sulm i dyshuar izraelit në Siri, raportuan mediat iraniane me 1 mars.

Reza Zare’i, “këshilltar ushtarak” në Marinën e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), u vra nga një sulm ajror në qytetin bregdetar sirian, Banias, raportoi agjencia e lajmeve e afërt me IRGC-në, Tasnim.

Ai ishte anëtar i marinës së IRGC-së, sipas Tasnimit.

Më herët, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër, tha se sulmi u krye në agim dhe cak i tij ishte një vilë, dhe si pasojë u vra një komandant dhe dy bashkëpunëtorë të tij, të cilit nuk ishin sirianë.

IRGC-ja nuk ka komentuar për vdekjen e raportuar të njërit prej komandantëve të tij. Irani iu referohet trupave të veta në Siri si “këshilltarë ushtarakë”.

Së paku 11 anëtarë të IRGC-së, përfshirë një luftëtar afgan nga Brigada Fatemiun, janë vrarë nga sulmet e dyshuara izraelite në Siri dhe Liban prej se nisi lufta në Rripin e Gazës në tetor.

Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit – grupit të cilësuar terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.

Irani e ka mbështetur sulmin e kryer nga Hamasi, por e ka mohuar përfshirjen e vet në planifikimin e tij. Inteligjenca amerikane ka lënë të kuptohet se liderët iranianë ishin befasuar nga ky sulm.

Aleatët rajonalë të Iranit janë duke i sulmuar interesat e Izraelit dhe SHBA-së në Lindjen e Mesme, pas luftës së Izraelit në Gazë. Megjithatë, grupet e armatosura të mbështetura nga Irani i kanë kufizuar sulmet ndaj bazave amerikane, pas një vargu sulmesh amerikane muajin e kaluar, sipas Neë York Times.

Irani ndërhyri për ta mbrojtur presidentin Bashar al-Assad më 2013, kur sundimi i tij u sfidua gjatë luftës civile në Siri.

Qindra komandantë dhe zyrtarë të IRGC-së besohet se janë të pranishëm në Siri, ku Teherani e ka ndërtuar gjithashtu edhe një rrjet të madh të milicive, të cilat përbëhen kryesisht nga afganët dhe pakistanezët./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat