Ministria Shëndetësisë në Gazë: Të paktën 11 të vrarë në një sulm ajror izraelit në Rafah

Azia

Ministria Shëndetësisë në Gazë: Të paktën 11 të vrarë në një sulm ajror izraelit në Rafah

Më: 2 mars 2024 Në ora: 15:44
Foto ilustrim

Të paktën 11 palestinezë u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi ajror izraelit të shtunën në Rafah, njoftoi ministria e shëndetësisë në Rripin e Gazës.

Sulmi ndodhi të shtunën në një zonë me palestinezë të zhvendosur, afër Spitalit të Emirateve në lagjen Tel Al-Sultan në jug të qytetit Rafah.

Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, tha se një punonjës shëndetësor që punonte në spital ishte në mesin e të vrarëve. Ushtria e Izraelit ende nuk ka bërë komente për incidentin.

Ndërkohë, sipas dy burimeve nga qeveria egjiptiane, bisedimet për një armëpushim në Rripin e Gazës pritet të rifillojnë të dielën, megjithëse mediat izraelit njoftuan se Izraeli nuk do të dërgonte një delegacion në bisedime nëse Hamasi nuk ofron një listë të plotë të pengjeve izraelite që ende janë gjallë.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se shpreson që të arrihet një marrëveshje armëpushimi para muajit të Ramazanit, i cili fillon më 10 mars.

Trysnia për arritjen e një armëpushimi është rritur për shkak të njoftimeve për mbi 30 mijë palestinezë të vrarë në ofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës dhe paralajmërimit të OKB-së për rrezikun e urisë, me të cilin përballet një e katërta e palestinezëve nëse nuk ndërpriten luftimet së shpejti.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe nisi një ofensivë të madhe ushtarake në Rripin e Gazës pas sulmit të militantëve në Izrael më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng 250 të tjerë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat