I dërguari i Shteteve të Bashkuara do të vizitojë Bejrutin për të vazhduar bisedimet për uljen e tensioneve

Azia

I dërguari i Shteteve të Bashkuara do të vizitojë Bejrutin për të vazhduar bisedimet për uljen e tensioneve

Më: 3 mars 2024 Në ora: 21:34
I dërguari diplomatik i Shteteve të Bashkuara, Amos Hochstein.

I dërguari diplomatik i Shteteve të Bashkuara, Amos Hochstein do të vizitojë Bejrutin të hënën, për të vazhduar përpjekjet diplomatike që synojnë uljen e tensioneve përgjatë kufirit libanezo-izraelit dhe arritjen e një situate të qëndrueshme, thanë të dielën zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe të Libanit.

Grupi libanez Hezbollah, i mbështetur nga Irani dhe Izraeli janë në konflikt prej muajsh, paralelisht me luftën në Gazë.
Konflikti është më i rëndi që pas luftës së vitit 2006 dhe nxiti frikën për përshkallëzim më të gjerë të tij.

Nënkryetari i parlamentit libanez Elias Bou Saab, një nga zyrtarët që do takohet me zotin Hochstein, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ai besonte se koha në të cilën zhvillohej kjo vizitë tregonte përparim në përpjekjet për një armëpushim në Gazë.

Shtëpia e Bardhë nuk dha më tepër hollësi rreth vizitës.

Uashingtoni ka deklaruar se arritja e një marrëveshjeje nuk është e largët dhe se synon që ajo të ndodhë përpara nisjes së muajit të Ramazanit, javën tjetër.

Hezbollahu ka deklaruar publikisht se do të ndërpresë sulmet ndaj Izraelit nga Libani, kur Izraeli të ndërpresë ofensivën në Gazë, por se është i gatshëm të vazhdojë luftimet nëse Izraeli vazhdon sulmet.

I dërguari diplomatik i Shteteve të Bashkuara, Amos Hochstein, i cili vizitoi Bejrutin në muajin janar, ka ndërmjetësuar më herët për një marrëveshje të rrallë diplomatike mes Libanit dhe Izraelit për përcaktimin e kufijve detarë.

Grupi Hezbollah, i përcaktuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt si palë në përpjekjet diplomatike të zotit Hochstein. Propozimet e tij janë përcjellë nga ndërmjetësuesit libanezë.

Ky grup ushtron ndikim të rëndësishëm mbi shtetin libanez./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat