Borrell kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gazë

Azia

Borrell kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gazë

Më: 4 mars 2024 Në ora: 16:16
Palestinezët ecin midis rrënojave të shtëpive të shkatërruara nga bombardimet izraelite në Gaza City më 3 mars, 2024, gjatë konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka bërë thirrje të hënën për një armëpushim të menjëhershëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja - në Rripin e Gazës.

“I bashkohem thirrjes së nënpresidentes [amerikane], Kamala Harris, për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë. Pastaj, nuk duhet të ketë pengesë për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit për këtë”, shkroi Borrell në rrjetin social X.

Ai theksoi se është koha që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të veprojë, duke shtuar se “Harris tha me të drejtë se shumë njerëz janë vrarë dhe i bëri thirrje izraelit të lejojë qasje të papenguar humanitare”.

Më herët gjatë ditës, nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, i bëri thirrje Hamasit që të pajtohet për një armëpushim të menjëhershëm gjashtëjavor, ndërkaq i kërkoi me ngulm Izraelit që të bëjë më shumë që të rriten dërgesat e ndihmës në Gazë.

Deklaratat e saj janë ndër më të ashprat të bëra nga ndonjë udhëheqës i lartë i Qeverisë amerikane deri më tani sa i përket luftës mes Izraelit dhe Hamasit, që nisi në tetorin e vitit të kaluar.

“Duke pasur parasysh shkallën e lartë të vuajtjes në Gazë, duhet të ketë një armëpushim të menjëhershëm”, tha Harris gjatë një ngjarje në Selma të Alabamës. “Në tavolinë është një marrëveshje dhe siç kemi thënë, Hamasi duhet të pajtohet me marrëveshjen. Le të arrihet një armëpushim”.

“Njerëzit në Gazë po vdesin nga uria. Kushtet janë çnjerëzore dhe ne duhet të veprojmë... Qeveria izraelite duhet të bëjë më shumë që të rriten ndjeshëm dërgesat për ndihma. Nuk ka arsyetime”, tha ajo.

Një ditë më herët, një delegacion i Hamasit shkoi në Kajro për të marrë pjesë në rundin e fundit të bisedimet për një armëpushim, por është e paqartë nëse është bërë ndonjë përparim në bisedime.

Gazeta izraelite, Yedioth Ahronoth, raportoi se Izraeli kishte bojkotuar bisedimet pasi Hamasi refuzoi kërkesën e tij që të hartohet një listë me emrin e pengjeve që ende janë gjallë.

Uashingtoni ngulur këmbë që një armëpushim të hyjë në fuqi në nisje të Ramazanit, që fillon pas një jave.

Një armëpushim i tillë do të zgjaste gjashtë javë, pas një armëpushimi më të shkurtër njëjavor nëntorin e kaluar. Dhjetëra pengje që mbahen nga Hamasi, do të liroheshin në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë që gjenden në burgjet izraelite.

Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.

Më shumë se 30.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat