Vazhdojnë luftimet në gjithë Gazën

Azia

Vazhdojnë luftimet në gjithë Gazën

Më: 31 mars 2024 Në ora: 16:21
Foto ilustrim

77 palestinezë humbën jetën në 24 orët e fundit nga sulmet izraelite në Gazë, thanë të dielën autoritetet e shëndetësisë, ndërsa një delegacion izraelit shkoi në Egjipt i cili po mban një raund të ri bisedimesh në përpjekje për të siguruar një armëpushim me Hamasin.

Ushtria izraelite tha se vrau një militant të lartë të Xhihadit Islamik në një sulm ndaj një qendre komande në oborrin e spitalit Al-Aksa në Gazën qendrore.

"Qendra e komandës dhe terroristët u goditën në një sulm me precizion të lartë, me synim minimizimin e dëmit ndaj civilëve të pafajshëm në zonën e spitalit," tha ushtria.

“Ndërtesa e Spitalit Al-Aksa nuk është dëmtuar dhe funksionet e tij nuk janë prekur”, vazhdoi njoftimi.

Xhihadi Islamik, një grup militant dhe aleat i Hamasit, nuk ka komentuar për ngjarjen.

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë dhe mediat e Hamasit thanë se sulmi goditi disa tenda brenda spitalit Al-Aksa, duke vrarë katër persona dhe duke plagosur disa të tjerë, përfshirë pesë gazetarë.

Më shumë se 32,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza që nga 7 tetori, sipas autoriteteve shëndetësore. Lufta shpërtheu pasi militantët e Hamasit depërtuan përtej kufirit dhe sulmuan komunitetet në Izraelin jugor, duke vrarë 1200 vetë dhe rrëmbyer 253 pengje.

Të dyja palët kanë intensifikuar negociatat e ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti, që synojnë një pauzë gjashtë-javore të ofensivës së Izraelit në këmbim të lirimit të 40 prej 130 pengjeve që ende mbahen nga militantët e Hamasit në Gazë.

Hamasi kërkon një marrëveshje që të sigurojë fundin e luftimeve dhe tërheqjes së forcave izraelite. Izraeli e ka hedhur poshtë një gjë të tillë, duke thënë se do të rifillojë përpjekjet për të shkatërruar aftësitë qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit.

Hamasi është i pranishëm në bisedimet e Kajros, i tha një zyrtar agjencisë Reuters të dielën.

Në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Khan Younis, forcat izraelite vazhduan të mbajnë nën bllokadë dy spitalet kryesore, ndërsa tanket bombarduan në zonat qendrore dhe lindore të territorit./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat