Forcat izraelite kryejnë një operacion për marrjen e trupit të një pengu të vrarë në Gazë

Azia

Forcat izraelite kryejnë një operacion për marrjen e trupit të një pengu të vrarë në Gazë

Më: 6 prill 2024 Në ora: 21:23
Elad Katzir

Izraeli tha të shtunën se forcat e tij speciale kishin gjetur trupin e një pengu të vrarë ndërsa po mbahej rob në Gazë, pak kohë pasi Hamasi tha se do të merrte pjesë në një raund të ri bisedimesh për armëpushim në Kajro.

Gati gjashtë muaj pas fillimit të luftës, Izraeli po përballet me protesta në vend në të cilat po bëhet thirrje për arritje të një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit. Vendet perëndimore, ndërkohë, kanë shprehur zemërim për numrin e lartë të viktimave në mesin e civilëve palestinezë dhe krizën humanitare të shkaktuar nga luftimet mes Hamasit dhe Izraelit.

Trupi i 47 vjeçarit izraelit Elad Katzir, u mor nga forcat speciale të Izraelit në jug të qytetit Khan Younis gjatë natës, tha ushtria. Ai ishte vrarë nga militantët palestinezë të Xhihadit Islamik dhe ishte varrosur atje në mes të janarit, tha ushtria izraelit, duke cituar informacione të zbulimit për të cilat nuk pranoi të ofronte më shumë hollësi.

Xhihadi Islamik, një aleat i Hamasit, ende nuk ka bërë komente për këtë çështje.

Elad Katzir ishte mes 253 personave të tërhequr zvarrë në Rripin e Gazës nga militantë të armatosur të Hamasit, të cilët vranë rreth 1,200 njerëz të tjerë në Izraelin jugor, sipas të dhënave zyrtare. Kjo shkaktoi fillimin e një ofensive ushtarake nga Izraeli, në të cilën, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Rripin e Gazës, të udhëhequr nga Hamasi, janë vrarë më shumë se 33,000 palestinezë.

Babai i tij, Avraham, u vra në kibucin e tyre në qytetin Nir Oz, dhe nëna e tij Hanna u mor gjithashtu peng, por u lirua në nëntor në kuadër të një marrëveshje armëpushimi.

Ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit po bëjnë përpjekje të sigurojnë një marrëveshje, e cila do të përfshinte lirimin e 129 pengjeve të mbetura në këmbim të një armëpushimi më të gjatë në Gazë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë raportoi të shtunën numrin më të ulët të vdekjeve ditore në gjashtë muaj, duke thënë se 46 palestinezë ishin vrarë në sulmet izraelite gjatë 24 orëve të fundit.

Ministria me bazë në Gazë nuk bën dallim midis luftëtarëve dhe civilëve në raportet e saj, por zyrtarët lokalë të shëndetësisë thonë se shumica e viktimave kanë qenë civilë. Izraeli thotë se të paktën një e treta e tyre janë luftëtarë.

Hamasi tha të shtunën se luftëtarët e tij kryen një sulm me raketa ndaj tre tankeve izraelite në Khan Younis, duke shkaktuar viktima. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite për këtë ngjarje, megjithëse Izraeli kishte thënë më herët se trupat e tij ishin përleshur me persona të armatosur në atë zonë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat