Izraeli zotohet se do të mbrohet kundër çfarëdo sulmi nga Irani

Azia

Izraeli zotohet se do të mbrohet kundër çfarëdo sulmi nga Irani

Më: 12 prill 2024 Në ora: 09:37
Një ambulancë e parkuar pranë konsullatës iraniane në Damask, pas një sulmi të dyshuar izraelit, 2 prill 2024.

Ushtria e Izraelit ka thënë të premten se është e gatshme për ta mbrojtur vendin dhe për t’u përgjigjur, nëse Irani hakmerret për një sulm vdekjeprurës në konsullatën iraniane në Siri.

Teherani e fajëson Izraelin për sulmin ajror në konsullatën e saj në Damask në fillim të këtij muaji.

Izraeli nuk e ka komentuar këtë sulm, por ushtria amerikane beson se sulmi u krye nga Izraeli.

Rritja e tensioneve ka shkaktuar shqetësime ndërkombëtare se lufta shkatërruese e Izraelit në Rripin e Gazës kundër Hamasit – i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – mund të përhapet në tërë Lindjen e Mesme.

Konsullata iraniane në kryeqytetin sirian Damask u shkatërrua nga një sulm i dyshuar izraelit më 1 prill.

Shtatë pjesëtarë të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), përfshirë dy gjeneralë, u vranë si pasojë.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u zotua për hakmarrje pas sulmit, duke thënë se Izraeli do të “ndëshkohet nga duart e burrave tanë guximtarë”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, paralajmëroi të enjten se Irani po kërcënon ta kryejë një “sulm të madh” si përgjigje ndaj sulmit në konsullatën e tij në Damask.

Presidenti amerikan i ka premtuar Izraelit mbështetje të “palëkundshme” amerikane, përballë kërcënimeve për sulm të mundshëm nga Irani.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbrojtur sigurinë e Izraelit”, tha Biden.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat