Garda Revolucionare e Iranit konfiskon një anije afër Ngushticës së Hormuzit

Azia

Garda Revolucionare e Iranit konfiskon një anije afër Ngushticës së Hormuzit

Më: 13 prill 2024 Në ora: 13:53
Ngushtica e Hormuzit

Pjesëtarë të Gardës Revolucionare të Iranit kanë zbritur të shtunën prej helikopterit në një anije me mallra të lidhur me Izraelin, afër Ngushticës së Hormuzit, dhe e kanë konfiskuar anijen, duke përshkallëzuar tensionet mes dy vendeve.

Lindja e Mesme është shtrënguar nga mundësia e një hakmarrjeje eventuale iraniane, pasi për sulmin e 1 prillit në konsullatën iraniane në Siri, që i ka lënë të vdekur 12 persona, Irani mban përgjegjës Izraelin.

Në këtë sulm kanë mbetur të vrarë edhe figura të larta ushtarake iraniane.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Iran, Irna, ka thënë se forcat e njësitit special të Gardës e kanë kryer sulmin në anije.

Disa media tjera e kanë identifikuar anijen si të lidhur me kompaninë me bazë në Londër, Zodiac Maritime.

Zodiac Maritime është pjesë e Grupit Zodiac të miliarderit izraelit, Eyal Ofer.

Një zyrtar i mbrojtjes në Lindje të Mesme, që ka folur në kushte anonime, e ka ndarë me agjencinë e lajmeve Associated Press një video kur komandot iraniane shihen duke u ulur në kontejnerët e anijes.

Helikopteri i përdorur besohet se është i periudhës sovjetike Mil Mi-17, të cilin e kanë përdorur në të kaluarën si Garda Revolucionare e Iranit, ashtu edhe rebelët Huthi të Jemenit, për të kryer bastisje nëpër anije.

Ushtria britanike ka thënë se anija është “konfiskuar prej autoriteteve rajonale” në Gjirin e Omanit, pa dhënë më shumë hollësi.

Anija ka qenë për herë të fundit në Dubai dhe është nisur më pas drejt Ngushticës së Hormuzit.

Anija i ka bllokuar të gjitha të dhënat e veta për vëzhgim lëvizjesh, një veprim tashmë i zakonshëm për anijet e lidhura me Izraelin, që kalojnë nëpër atë rajon.

Prej vitit 2019, Irani është përfshirë në një mori rastesh të konfiskimit të anijeve.

Gjiri i Omanit është afër Ngushticës së Hormuzit, e cila mundëson hyrjen në Gjirin Persik, nëpër të cilin kalon një e pesta e gjithë naftës së tregtuar në botë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat