Publikohet plani i ri i pasluftës për Palestinën – çfarë do të ndodhë me Hamasin dhe kush do ta udhëheq Gazën?

Azia

Publikohet plani i ri i pasluftës për Palestinën – çfarë do të ndodhë me Hamasin dhe kush do ta udhëheq Gazën?

Më: 18 maj 2024 Në ora: 13:01
Foto ilustrim

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministrat e jashtëm, të ashtuquajturit së fundmi, “Gjashtëshja Arabe” ka zhvilluar një takim në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Riad dhe duket se një nga temat e diskutimit ka qenë reforma e Autoritetit Palestinez dhe përgatitja për “të nesërmen”.

Sipas mediave libaneze, Blinken dhe “Gjashtëshja Arabe”, e cila përfshin Autoritetin Palestinez, Egjiptin, Katarin, Emiratet, Jordaninë dhe Arabinë Saudite, diskutuan një plan për “ditën pas” luftës në Gaza, i cili ndahet në dy faza, ku ndër të tjera, do të rezultonte në një proces të përhershëm paqeje dhe normalizim të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Faza e parë e planit, e cila u raportua nga Jerusalem Post, parashikon nevojën për një armëpushim, por edhe arritjen e parakushteve për njohjen ndërkombëtare të shtetit palestinez.

“Faza e parë e planit përfshin pranimin e Izraelit për kthimin e Autoritetit Palestinez në Gaza, lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë dhe formimin e një qeverie teknokratike në Gaza që do të punonte për të zbatuar këtë pjesë”, thuhet në të.

Siç theksohet në dokument, qeveria duhet të përbëhet nga anëtarë të Autoritetit Palestinez dhe një komitet teknokratik i paspecifikuar.

Faza e dytë e planit, sipas raportit, do të fillonte një proces më të gjerë paqeje që përfshin Izraelin dhe Arabinë Saudite.

“Përveç kësaj, Gaza do t’i nënshtrohet rehabilitimit dhe rindërtimit. Negociatat do të fillojnë për statusin përfundimtar të refugjatëve, Jerusalemit, vendbanimeve izraelite dhe Izraelit dhe Palestinës,” shpjegon dokumenti, të cilin mediat libaneze dhe izraelite e kanë parë.

Një pjesë tjetër e rëndësishme e dokumentit i referohet fatit të Hamasit pas luftës.

“Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) do të rivitalizohej dhe do të kishte një pajtim të brendshëm midis fraksioneve të ndryshme palestineze. Hamasi do të çarmatosej dhe do të integrohej në këtë trup”, përfundoi ai.

Ndryshe, Izraeli ka nisur një ofensivë në territoret palestineze pas sulmit terrorist të militantëve të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar. Deri më tani, numri i përgjithshëm i të vdekurve ndër palestinezët është 35 mijë persona gjersa në radhët e izraelitëve shkon rreth 1400.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat