Luftime të ashpra në Rafah të Gazës

Azia

Luftime të ashpra në Rafah të Gazës

Më: 18 maj 2024 Në ora: 15:46
Foto ilustrim

Përleshjet me armë zjarri dhe bombardimet tronditën të shtunën qytetin Rafah në pjesën jugore të Gazës, thanë dëshmitarët. Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se ndihmat e para humanitare kishin hyrë në territorin e rrethuar përmes një platforme pluskuese të ndërtuar nga ushtria amerikane.

Luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë janë ndezur përsëri në pjesën veriore të Gazës ndërsa kanë kaluar 10 ditë që kur ushtria izraelite njoftoi fillimin e një operacioni të kufizuar në Rafah.

Spitali kuvajtian tha se një sulm izraelit gjatë natës la dy të vrarë në një kamp në Rafah. Dëshmitarët njoftuan për luftime të ashpra dhe bombardime në juglindje të qytetit dhe avionë që bombarduan zonat lindore.

Korrespondentë të agjencisë franceze të lajmeve, AFP, dëshmitarë dhe mjekë thanë se gjatë natës pati luftime intensive në kampin e refugjatëve në Jabalia. Një ditë më parë ushtria izraelite njoftoi për luftimet më të ashpra në qytet në më shumë se shtatë muaj luftë.

Ushtria izraelite tha se deri në mbërritjen e saj, disa ditë më parë, qyteti kishte qenë tërësisht nën kontrollin e Hamasit. Militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor duke vrarë 1200 njerëz dhe marrë peng më shumë se 250 të tjerë, sipas Izraelit, çka shkaktoi ndërhyrjen në shkallë të gjerë në territorin palestinez. Izraeli është zotuar ta shkatërrojë Hamasin.

Ushtria izraelite ka goditur militantët e Hamasit në pjesën veriore të territorit ndërsa në jug militantët sulmuan tanket izraelite që po grumbullohen rreth qytetit Rafah.

Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi se ndihmat e para humanitare u futën në territorin e rrethuar detar, vala e parë e ndihmave prej disa javësh që mbërrin në Gazë. Ushtria amerikane ndërtoi një platformë pluskuese për të ndihmuar në dërgimin e ndihmave përmes rrugëve detare.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se gjatë ditëve të ardhshme pritet dërgimi i rreth 500 tonë ndihma në Gazë përmes platformës pluskuese.

Kombet e Bashkuara dhe grupet e ndihmave humanitare thonë se korridori detar dhe dërgesat e ndihmave nga ajri nuk mund të zëvendësojnë kolonat e kamionëve me ndihma që mund të futen në Gazë. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruan vazhdimisht rrezikun e urisë që po kanos popullsinë e zhvendosur.

Ndërkohë në Verona të Italisë, Papa Françesku bëri thirrje për paqe ndërsa përqafoi një izraelit dhe një palestinez, të afërmit e të cilëve ishin vrarë nga militantët e Hamasit dhe forcat izraelite.

“Të lutemi për paqe dhe t'u themi këtyre dy vëllezërve që ta përcjellin tek populli i tyre dëshirën dhe vullnetin tonë për të punuar për paqen”,tha Papa Françesku.

Izraeliti Maoz Inon i tha Papës se prindërit e tij ishin vrarë nga Hamasi. Palestinezi Aziz Abou Sarah tha se vëllai i tij ishte vrarë nga forcat izraelite. Ai tha se dhimbja dhe pikëllimi i ka bashkuar ata për të krijuar mundësinë e një dialogu dhe një ardhme më të mirë për të dy popujt./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat