Qindra të vdekur nga pasojat e cunamit në Indonezi

Azia

Qindra të vdekur nga pasojat e cunamit në Indonezi

Më: 29 shtator 2018 Në ora: 20:14
Indonezi

Një cunami që goditi dy qytete në Indonezi, rrënoi ndërtesa dhe bëri pluhur një urë, duke përlarë viktimat në rrugën e tij të pamëshirshme nëpër një peizazh të shkatërruar, në të cilin ekipet e shpëtimit po përpiqeshin të arrinin të shtunën të penguar nga rrugët e dëmtuara dhe komunikimet e shkëputura.

Zëdhënësi i agjencisë së emergjencave, Sutopo Purwo Nugroho, tha se 384 veta humbën jetën vetëm në qytetin Palu të goditur rëndë. Më herët ai tha se fati i dhjetëra apo qindra personave që po merrnin pjesë në një festival në plazhin e Palusë kur goditi cunami, mbetet i panjohur.

Cunami me valët prej 3 metrash të larta, u shkaktua nga një tërmet prej 7.5 shkallësh dhe goditi dy qytete dhe disa vendbanime në muzgun e së premtes.

Palu, që ka më shume se 380 mijë banorë, është mbushur me rrënojat e ndërtesave. Një xhami e dëmtuar rëndë nga tërmeti qëndron gjysmë e përmbytur, ndërsa një qendër tregtare është shndërruar në një karakatinë. Trupat ishin gjysmë të mbuluar dhe një burrë po mbante në duar mes rrënojash trupin e fëmijës se vdekur.

Qyteti është i ndërtuar rreth një gjiri të ngushtë që duket se ka rritur forcën e valëve të cunamit.

Qindra të vdekur nga cunami në Indonezi

Në qytetin aty pranë, Donggala, që është shtëpi e rreth 300 mijë banorëve, u rrëzua një urë e madhe me harqe të verdha.

Televizioni i Indonezisë shfaqi një video të regjistruar me telefon të valëve të fuqishme që goditën Palunë dhe të njerëzve që klithnin dhe vraponin me frikë. Ujërat u përplasën mbi ndërtesa dhe mbi xhaminë e dëmtuar.

Komunikimet me zonën janë shumë të vështira për shkak të shkëputjes së telekomunikimeve dhe rrjetit energjetik, duke penguar kërkimet dhe përpjekjet e ekipeve të shpëtimit.

Zëdhënësi Nugroho tha se avionët e rëndësishëm mund të ulen në aeroportin e Palusë, edhe pse AirNav, që mbikëqyrë fluturimet, tha se pista është plasaritur dhe kulla e kontrollit është dëmtuar.

AirNav tha se një nga kontrollorët e trafikut ajror, 21 vjeç, vdiq nga pasojat e tërmetit pasi që qëndroi në kullë për të siguruar ngritjen e sigurt të një avioni dhe ë bëri atë.

Presidenti i Indonezisë tha të premten se e ka udhëzuar ministrin e sigurisë që të bashkërendojë veprimet qeveritare pas tërmetit dhe cunamit që goditën Sulawesin qendror.

Joko “Jokowi” Widodo, u tha gazetarëve në Solo se i ka kërkuar ndhmë edhe shefit të ushtrisë në misionet e kërkim shpëtimit.

Zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, tha se zyrtarët e OKB-së janë në kontakt me autoritetet e Indonezisë dhe janë të gatshëm “të ofrojnë mbështetje nëse kjo kërkohet”.

Në fillim të muajit gusht një tërmet i fuqishëm në ishullin Lombok, la pas vetes 505 të vdekur. Një valë tjetër tërmetesh në mesin e gushtit la aps vetes një duzinë të vdekurish në Lombok dhe ishulin Sumbawa.

Në muajin dhjetor të vitit 2004, një termet prej 9.1 shkallësh në Sumatra në Indonezinë perëndimore shkaktoi një cunami që la pas vetes 230 mijë te vdekur në një duzinë vendesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat