Houston e Milwaukee pranë gjysmëfinaleve, Denver rikthen ekuilibrat me Spurs

Basketboll

Houston e Milwaukee pranë gjysmëfinaleve, Denver rikthen ekuilibrat me Spurs

Më: 21 prill 2019 Në ora: 09:49
Denver - San Antonio

Philadelphia është një fitore larg gjysmëfinaleve të play off-it në Konferencën e Lindjes, pas fitores 112-108 ndaj Brooklyn dhe tashmë udhëheq 3-1 serinë e ndeshjeve. LaVert realizoi 25 pikë, mbështetur edhe nga Russell e Allen me nga 21 pikë secili, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen e skuadrës së Nets.

Për Philadelphia u dallua Embiid me 31 pikë e 16 rebaund, ndërkohë që mirë u paraqit edhe Harris me 24 pikë, një dyshe që bëri diferencën në parket.

Në Lindje fitoi sot edhe Milwaukee, që mposhti 119-103 Detroit dhe udhëheq 3-0 serinë e ndeshjeve çerekfinale mes dy skuadrave. Një dominim absolut i skuadrës së Bucks, që edhe sot pati epërsi në fushë, duke e merituar fitoren. 7 lojtarë të Milwaukee realizuan mbi 10 pikë, me Middleton që ishte shënuesi më i mirë me 20 pikë. Për Detroit u dallua Griffin me 27 pikë, por i vetëm nuk pati asnjë shans të mposhtë miqtë.

Po 3-0 udhëheq serinë e ndeshjeve çerekfinaleve edhe skuadra e Houston, që mundi 104-101 Utah Jazz jashtë fushe, ndeshje e vlefshme për Konferencën e Perëndimit. Edhe pse Jazz e udhëhoqën ndeshjen shumicën e kohës, gabuan pikërisht në fund. Harden realizoi 22 pikë e 10 asist, shënuesi më i mirë për Houston, duke i bërë të pavlefshme 34 pikët e Mitchell për Utah.

Ekuilibër në përballjen mes Denver dhe San Antonio në Perëndim, me Nuggets që fituan sot 117-103 dhe barazojnë 2-2 serinë e ndeshjeve. Një ndeshje me dy pamje, më e mirë për San Antonio në të parën, që u shkëput deri në 12 pikë falë Aldridge (24 pikë). Gjithsesi, në pjesën e dytë erdhi reagimi i Denver, që përmbysi shifrat me Jokic (29 pikë) dhe Murray (24 pikë).

Konferenca e Lindjes – Çerekfinale Play off

1-8 Milwaukee – Detroit, 119-103 (3-0)

4-5 Boston – Indiana, (3-0)

3-6 Philadelphia – Brooklyn, 112-108 (3-1)

2-7 Toronto – Orlando, (2-1)

Konferenca e Perëndimit – Çerekfinale Play off

1-8 Golden State – Clippers, (2-1)

4-5 Houston – Utah Jazz, 104-101 (3-0)

3-6 Portland – Oklahoma, (2-1)

2-7 Denver – San Antonio, 117-103 (2-2)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat