Ndeshje spektakolare, Kosova e hesht Luksemburgun  - Bota Sot
Ndeshje spektakolare, Kosova e hesht Luksemburgun 

Basketboll

Ndeshje spektakolare, Kosova e hesht Luksemburgun 

Nga: Kemajl Goca Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 19:48
Ndeshje spektakolare, Kosova e hesht Luksemburgun 

Ndeshje spektakolare, me kthesa të mëdha në rezultat mes Luksemburgut dhe Kosovës, e cila u fitua nga trimat tanë me rezultat 84:80 (25:20, 19:25, 16:20, 24:15), në kuadër të grupi B parakualifikues për Kampionatin Botëror 2023 në basketboll. 
Ndeshje me rivalitet të madh, po ashtu edhe me kthesa në rezultat.

Në periudhën e parë të lojës u dalluan Gëzim Morina e Drilon Hajrizi duke shënuar 11 pikë përkatësisht 10. Në minutë  e 2-të, Kosova ishte në epërsi me 4 pikë (2:6), duke e thelluar atë në 6 sosh (4). Vendasit mobilizohen dhe shumë shpejt edhe kalojnë në epërsi me 18:15 pikërisht në minutën e 8-të. Ndeshje e fortë e me rivalitet të madh, duke u barazuar rezultati 20:20 në minutën e 9-të, po ashtu baras (39:39) ishte edhe në atë të 17-tën.  

Fundi i pjesës së parë dramë e madhe por vendasit kalojnë në epërsi me një pikë (45:44), me të cilin rezultat shkojnë në pushim.  Çereku i tretë vërtet ka qenë spektakolar, për faktin se vendasit kaluan në epërsi prej 11 pikësh (57:46), pastaj edhe në 14 sosh (60:46) pikërisht në minutën e 25-të. Kosova nuk dorëzohet por lufton me mish e më shpirt dhe ngushton rezultatin në 63:60 në minutën e 30-të.

Çereku i fundit dramë në vete, lojë për infarkt, në një moment Luksemburgu shkëputet në tetë pikë (68:60), por shumë shpejt morën veten djemtë tanë duke e ngushtuar rezultatin në 74:72 dhe me pas barazohet 74:74 në minutën e 37-të. Tre minutat e fundit, emocione të mëdha, një dramë e vërtet, 78:77 për vendasit.  

Në minutën e 39-të, Kosova në epërsi me dy pikë (78:80),  duke sjellë gjithnjë e më shumë drithërima në mesin e tifozëve.

Kosova triumfon me rezultat 84:80 dhe është fitorja e dytë rresht pas asaj në Prishtinë me 80:78 kundër Islandës. Kosova prinë në grup me 4 pikë dhe Luksemburgu ka dy humbje rresht. Basketbollisti Drilon Hajriz është hero te Kosova me 25 pikë, pastaj Erjon Kastrati me 19 e Gëzim Morina me 13 sosh, ndërsa te vendasit u dalluan Clancy Rugg me 30 e Oliver Vujakoviq me 18 pikë.

Luksemburgu-Kosova 80:84
Luksemburgu: Angjellkoviq 5, Grun 10, Gutenkauf 4, Laurent 8, Vujakoviq 18, Arendt, Bernimont, Heuschling, Kalmes 5, Moura e Rugg 30.
Kosova: Bunjaku, Hajrizi 25, Kastrati 19, G. Morina 13, A. Morina 3, Azemi, Berisha 8, Ismaili, Rugova 4, Tmushiç 8, Zekiqi, Zenelaj 4.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat