Presidenti i Teutës: FSHB mban peng basketbollin

Basketboll

Presidenti i Teutës: FSHB mban peng basketbollin

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 19:06
Presidenti i Teutës: FSHB mban peng basketbollin

Ndonëse prej 5 mua jsh gjithçka qën dron në vendnumëro prej pandemisë, klima në basketbollin shqiptar nuk është aspak e qetë. Menaxhimi dhe drejtimi që po i bëhet sportit të koshit në vend prej kohësh kontestohet hapur nga disa prej shoqatave. Presidenti i Teutës, Arqile Gorea, ka prekur problematikat kryesore të basketbollit shqiptar, ku thekson edhe një herë tjetër se shkaktari kryesorë që basketbolli ka prekur fundin është federata.

Mungesa e transparencës dhe e gjithëpërfshirjes, konflikti i interesit, tarifat e larta, mungesa e demokracisë dhe e vendimmarrjes, sipas Goreas, janë problemet kryesore aktualisht në Federatën Shqiptare të Basketbollit. Sipas ish-kryebashkiakut të Durrësit, hapi i parë është bërja e një statuti që ta fusë në shina këtë sport kaq të bukur. Ja deklarata e plotë e presidentit të Teutës:

“Në një sistem demokratik, drejtimi duhet të bazohet në dy pikat kryesore, të cilat janë transparenca dhe gjithëpërfshirja, por në federatën tonë asnjëra nga këto dy pika nuk respektohet. Në Vlorë u mbajt Asambleja Vjetore, por ajo dështoi, sepse morën pjesë vetëm 10 anëtarë nga 36, ndërkohë që në statut thuhet se brenda 72 orësh duhej thirrur asambleja tjetër. U morën vendime në lidhje me buxhetin, por ne si shoqata nuk kemi asnjë lloj informacioni se ku shkojnë paratë tona”.

Konflikti i interesit

“Federata përpiqet t’i mbajë nën kontroll njerëzit me anë të konfliktit të interesit. Nëse je gazetar sportiv, duhet t’u shërbesh atyre, sepse të bëjnë trajner te kombëtaret e moshave; nëse je arbitër, duhet të arbitrosh sipas direktivave të federatës, sepse në të kundërt, nuk të aktivizojnë pasi s’të japin ndeshje; nëse je komisar, do të shkosh dhe do të zbatosh vullnetin federatës në ‘x’ takim. Kryetarë të Komisionit të Disiplinës apo anëtarë të KD-së janë anëtarë nëpër shoqata. Gjithashtu të gjithë trajnerët e kombëtareve përzgjidhen për të qenë vegla të federatës, pasi mbahen nën kontroll me anë të konfliktit të interesit dhe që këtu fillon rënia e nivelit, sepse nuk ka funksionim demokratik. I drejtohem sistemit të drejtësisë dhe nuk gjej drejtësi. Kërkoj informacion dhe nuk më jepet. Kërkoj barazi dhe nuk e shikoj askund”.

Tarifat e larta dhe mungesa e demokracisë

“Paguajmë trefish tarifa në raport me Kosovën dhe Malin e Zi. Pse u hipin në kurriz klubeve? Ku i çojnë këto para? Ç’është kjo federatë që i rrit tarifat sipas qejfit, pa pyetur askënd? E pra të gjitha këto ndodhin, sepse nuk funksionon statuti. Kështu që është statuti ai që rregullon gjithçka, duke nisur që nga asambleja. Kryetarët e komisioneve të disiplinës duhet të vendosen nga asambleja, sepse nëse këta persona vendosen nga presidenti apo sekretari ata kanë frikë të marrin vendime të pavarura. Pra demokracia brenda federatës nuk ekziston. Njerëzit kanë humbur besimin te kampionati, sepse e dinë që vendosin arbitrat dhe jo lojtarët”.

Mungesa e vendimmarrjes për verdiktet e sezonit

“Të drejtosh basketbollin do të thotë të marrës vendime, ashtu sikurse kanë bërë federata të tjera. Atëherë FSHB-ja kërkon që të futet në ‘guinnes’, që nuk vendos, apo brenda interesave të saj flenë qëllime të mbrapshta? Ka shumë njerëz që thonë: Nëse nuk do të ishte Teuta në vend të parë të klasifikimit, do të ishte dhënë verdikti. Kemi kryesuar gjatë gjithë sezonit pavarësisht maskarallëkut që bënë në ndeshjen kundër Gogës, një maskaradë e nisur që një vit më parë, por u përballëm me heshtjen e federatës, së cilës zëri i vjen dhe i ikën sipas interesave. Këto janë gjëra më madhore për një federatë, sepse nuk ka vendim më të madh se sa të vendosësh për Kampionatin Kombëtar. Pra, me pak fjalë, guri i interesit në kurriz nuk i lejon që ta luajnë qafën. Kështu që hapi i parë është bërja e një statuti që ta fusë në shina këtë sport kaq të bukur”.

Merkato e paralizuar

“Kemi një merkato ku lojtarët janë në kontrata me klubet deri në përfundim të kampionatit, ndërkohë mbajtja pezull i detyron të dyja palët në obligime, ku nga njëra anë, lojtari nuk është i lirë në merkato, ndërsa në krahun tjetër, skuadrat janë të bllokuara në afrimin e lojtarëve të tjerë”.

“Duhet krijuar klima e rikthimit në komunitetin e basketbollit të ikonave të këtij sporti, të njerëzve që kanë bërë historinë e basketbollit shqiptar. Federata po jep një shembull tepër negativ me këta figura. Le të marrin një të ri sot, teksa shikon një ikonë të basketbollit që nuk e përfill njeri, sigurisht që do të mendojë ‘pse kështu do të përfundoj unë?!’. Kur diskutohet për basketbollin shqiptar të gjithë i referohen jehonës të së shkuarës, sepse rezultatet aktuale janë shumë larg”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat