Dushku shpalos detajet rreth organizimit të ndeshjeve në Prishtinë

Basketboll

Dushku shpalos detajet rreth organizimit të ndeshjeve në Prishtinë

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 12:01
Dushku shpalos detajet rreth organizimit të ndeshjeve në Prishtinë

Nga 18 deri më 20 Shkurt, në Prishtinë do të zhvillohet Dritarja e Tretë e parakulifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023. 

Të gjitha ndeshjet e Grupit B do të zhvillohen në kryeqytetin e Kosovës, ku Bordi i FIBA Evropës i ka besuar edhe një ngjarje të rëndësishme Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).  

Kosova, Islanda, Sllovakia dhe Luksemburgu do të luajnë në Prishtinë, derisa për detajet e organizimit ka folur Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.  

“Arsyeja që e kemi aplikuar edhe një herë, ka qenë sepse Federata e Basketbollit e Kosovës është shumë e mirë në ngjarjet e organizuara ndërkombëtare. Gjithashtu kemi dashur t’i zhvillojmë ndeshjet e fundit dhe vendimtare në vendin tonë. T’i akomodojmë lojtarët, ku tashmë janë akomoduar në Hotel “Four Points by Sheraton Prishtina City”, ku të katër Kombëtaret do të grumbullohen aty dhe hoteli do të jetë i mbyllur për mysafirë. Kombëtaret do të fillojnë të arrijnë nga 13 shkurti. Pallati i Rinisë dhe Sportit do të jetë i mbyllur nga 15 deri më 20 shkurt, ku do të jetë vetëm për stërvitje të kombëtareve”, ka thënë Dushku për faqen zyrtare të FBK-së dhe T7. 

Ajo ka folur edhe për rregullat strike që kërkohen gjatë këtij organizimi. 

“Ne kemi organizuar edhe ngjarje tjera, por kjo do të jetë përvojë e re, për shkak të pandemisë me Covid-19. Gjithçka duhet të shkojë mirë, sepse masat do të jenë dyfish më strikte. Në zonën 1 do të jenë vetëm lojtarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e FIBA-s, kurse në zonën 2, fotografi i FIBA-s dhe FBK-së, kurse në Zonën 3, partneri ynë medial, Kujtesa. 

Ndeshjet fatkeqësisht do të zhvillohen pa shikues, sepse ne do të kishim pasur shumë nevojë për tifozët tanë në këto dy ndeshje.

“Ne synojmë dy fitore sepse vetëm kjo na dërgon në kualifikimet për Kupën e Botës. Takimin e parë do ta kemi ndaj Luksemburgut dhe nëse fitojmë besoj se lojtarët do të motivohen më shumë dhe më pas në përballje me Sllovakinë të fitojmë, sepse ky është synimi i FBK-së dhe Përfaqësueses së Kosovës”, përfundoi Elvira Dushku.  

Orari 

18 Shkurt 

16:00 Sllovakia-Islanda 

19:00 Kosova-Luksemburgu 

20 Shkurt 

16:00 Luksemburgu-Islanda 

19:00 Kosova-Sllovakia .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat