Sfidat për Superkupë

Basketboll

Sfidat për Superkupë

Më: 3 tetor 2021 Në ora: 13:50
Sfidat për Superkupë

Palestra ‘Karagaçi’ në Pejë do të jetë arenë e ndeshjeve të Superkupës së Femrave. Më 4 dhe 5 Tetor do të përballen katër skuadrat më të mira në basketbollin e femrave.

Më 4 Tetor nga ora 16:00 sfidohen Penza-Vëllaznimi, kurse nga ora 19:00, Prishtina-Vëllaznimi. Finalja zhvillohet më 5 Tetor nga ora 19:00.

Kapitenia e Penzës, Valbona Bytyqi ka folur për gjysmëfinalen ndaj Vëllaznimit.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Vajzat kanë disponim të mirë. Me ardhjen e trajnerit Bujar Loci dhe përforcimet, jemi duke bërë një punë të mirë si ekip. Synimet tona si gjithmonë janë që të fitojmë Superkupën dhe të përgatitemi për Kampionatin e Kosovës, e po ashtu të përfaqësojmë vendin dhe qytetin sa më mirë në Ligën Unike”, është shprehur Bytyqi për faqen zyrtare të FBK-së.

Trajneri i Vëllaznimit, Pal Syla është shprehur se, edhe pse nuk e kanë skuadrën si edicionin e kaluar nuk udhëtojnë me flamur të bardhë. “Për dallim nga edicioni i kaluar, kemi bërë disa ndryshime. Ne jemi munduar të përgatitemi sa më mirë për Superkupë, që është shumë e rëndësishme. Sigurisht nuk udhëtojmë me flamur të bardhë dhe do të mundohemi të japim më të mirën tonë kundër Penzës. Angazhimi nuk do të mungoj dhe do të mundohemi të japim më të mirën në gjysmëfinale të Superkupës”, është shprehur Syla për faqen zyrtare të FBK-së.

Basketbollistja e Bashkimit, Irma Konjusha, ka folur për synimet dhe Superkupën. “Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë deri më tani me trajnerin e ri. Kemi bërë disa ndryshime të mëdha në ekip, përforcime të rëndësishme, qofshin ato vendore dhe të huaja dhe mund të them që jemi kompletuar si ekip dhe jemi gati për edicionin e ri. Natyrisht, synimet janë që të luftojmë për trofe, por mbi të gjitha të kemi paraqitje të mira si ekip. Mendoj, se jemi gati për turneun e Superkupës dhe duam të kemi një fillim të mirë.

Natyrisht, nuk do të jetë lehtë sepse respektojmë të gjitha skuadrat tjera. Sigurisht, synim mbetet trofeu i Superkupës për ta nisur edicionin e ri me këmbë të mbarë, por mbetet të shihet. Më e rëndësishmja është se të gjitha ekipet janë përforcuar dhe na pret një edicion interesant, jo vetëm në kampionatin tonë, por edhe me pjesëmarrjen në Ligën Unike”, theksoi Konjusha.

Basketbollistja e Prishtinës, Enxhi Xhanaj, ka folur para duelit ndaj vashave prizrenase. “Ekipi ka formë të mirë dhe po bëhet kompakt çdo ditë e më shumë. Kemi një gjysmëfinale me një kundërshtar që ka treguar cilësi kohët e fundit në basketbollin e femrave, por ne jemi entuziast dhe optimist për ndeshjen dhe për Superkupën në përgjithësi, pasi ekipi është përgatitur me seriozitetin dhe vlerësimin e duhur. Ekipi i Prishtinës është formuar me mentalitet të fitores dhe ky vit nuk bënë përjashtim, pasi ky është synimi jonë. Është e rëndësishme që stafi dhe të gjitha lojtaret do të japin maksimumin në fushë”, nënvizoi basketbollistja nga Shqipëria.

Orari

4 Tetor

16:00 Penza-Vëllaznimi

19:00 Prishtina-Bashkimi

5 Tetor

19:00 Finalja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat