Dardan Berisha prezantohet te Prishtina: Jam rikthyer për të fituar trofe

Basketboll

Dardan Berisha prezantohet te Prishtina: Jam rikthyer për të fituar trofe

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 15:08
Dardan Berisha

Ylli i basketbollit të Kosovës, Dardan Berisha është rikthyer në ekipin e kryeqytetit, Sigal Prishtina. Ai ka thënë se është maksimalisht i motivuar për edicionin e ri dhe për ta ndihmuar klubin bardhekaltër për t’iu gëzuar trofeve.

“Faleminderit Prishtinës që më ka sjellë edhe një herë në shtëpinë time.

Kam ardhur për të fituar gjithçka që është e mundur. Jam shumë i motivuar, e di se çfarë kërkon Prishtina dhe besoj se me trajnerin dhe gjithë stafin do t’ia arrijmë qëllimit. Faleminderit edhe sponsorit të klubit që na ka përkrah dhe që ka qenë shtyllë kryesore për sukseset që i kemi arritur. Shpresoj se edhe ‘Plisat’ do të vijnë të na përkrahin.

E di që do të jetë vit i vështirë, por për këtë arsye kam ardhur”, ka theksuar Berisha, në konferencën për media, ku ishin të pranishëm edhe kryetari i klubit, Burim Maraj, kryetrajneri Ekrem Memnun dhe drejtuesi i sponsorit kryesor, Avni Ponari.

E qysh në xhiron e parë Dardan Berisha do të luajë kundër ish-ekipit të tij, Pejës.

Të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira sepse krejt ekipet janë përforcuar. Loja e parë kundër Pejës do të jetë speciale për mua”, ka theksuar tutje Berisha.

Ndërkaq, kryetari i klubit, Burim Maraj ka thënë se synimi i Prishtinës në edicionin e ri do të jetë titulli i kampionit dhe për këtë arsye janë bërë të gjitha investimet dhe përgatitjet e klubit.

Kjo është hera e katërt që Dardan Berisha do të jetë pjesë e bardhekaltërve të kryeqytetit, ngase më herët ka luajtur në tri periudha, nga viti 2013 deri në vitin 2015, pastaj në vitin 2016 dhe nga 2018 deri më 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat