Ylli fiton me një pikë dallim ndaj Pejës

Basketboll

Ylli fiton me një pikë dallim ndaj Pejës

Më: 14 dhjetor 2022 Në ora: 22:16
Ylli fiton me një pikë dallim ndaj Pejës

Golden Eagle Ylli ka regjistruar fitoren e tetë radhazi, ku në një ndeshje dramatike ka mundur Pejën me shifrat 58:57 (21:14, 16:17, 9:16, 12:10), në ndeshjen e mbetur të xhiros së dhjetë.

Sfida ka qenë interesante dhe pothuajse e barabartë gjatë gjithë takimit, ndërsa në fund takimin e vendosi Valon Bunjaku me dy gjuajtje të lira.

Kampionët e Kosovës e nisën më mirë ndeshjen me një seri 7:0 dhe gjatë gjithë çerekut të parë ishin në epërsi, duke e fituar këtë pjesë 21:14.

Mysafirët u këndellën në periudhën e dytë, ku ngushtuan shifrat në 27:26, por Ylli sërish u shkëput në nëntë pikë, 37:28, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rezultat 37:31.

Pejanët e nisën më mirë pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, duke shkrirë epërsinë e vendasve dhe e kthyen atë në favor të tyre, 44:47, kurse shifrat pas 30 minutash ishin 46:47.

Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua ndeshje shumë interesante. Peja ishte duke fituar 50:52, por therandasit me gjashtë pikë radhazi kaluan në epërsi 56:52, megjithatë, asgjë nuk kishte përfunduar, pasi mysafirët shënuan në dy aksione radhazi për 56:57, kurse në sekondën e fundit Valon Bunjaku u ndal në mënyrë të palejuar dhe ishte i pagabueshëm nga gjuajtjet e lira për 58:57, ndërsa në aksionin e fundit nuk ishin të saktë mysafirët dhe Ylli regjistroi fitoren e tetë radhazi pas katër humbjeve, kurse pejanët kanë dhjetë fitore e tri humbje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat