Debutimi i Astera Tuhinës dhe disa ngjarje që ndodhën të basketbollit

Basketboll

Debutimi i Astera Tuhinës dhe disa ngjarje që ndodhën të basketbollit

Më: 28 dhjetor 2022 Në ora: 14:58
Debutimi i Astera Tuhinës

Basketbollistja e talentuar e Kosovës, Astera Tuhina ka shkëlqyer në debutimin e saj më 11 nëntor.

Në ndeshjen e parë për këtë edicion, skuadra e saj, Washington State Cougars shënoi fitore ndaj Loyola Marymont Lions me shifrat 41:93.

Astera për 25 minuta kishte shtatë pikë, tetë asistime, gjashtë kërcime dhe topa të vjedhur. Ajo theu edhe rekordin si debutuesja me më shumë asistime.

Tuhina gjatë verës kaloi Washington State Cougars në SHBA, në NCAA Divizion 1.

Trajnera e Washington State, Kamie Ethridge kishte vetëm fjalë të mira për debutimin e Asterës. “Nuk mund të jem më shumë e eksituar. Si basketbolliste e re është adaptuar shumë mirë. Nuk e ka pasur shumë vështirë të ambientohet në skuadrën e re. Edhe kur ka presion, ajo gjen mënyra për tu liruar, ka ritëm, ka gjuajtje të mirë, por ka inteligjencë shumë të lartë. Besoj se do të përmirësohet edhe më shumë. Ne kemi nevojë për një organizatore si ajo”, ka thënë Ethridge.

Garë e jashtëzakonshme në Prishtinë, triumfon Antwerp

Më 16-17 korrik u zhvillua gara e FIBA 3x3 Prishtina Challenger. Dy ditë me spektakël të basketbollit 3x3 dhe muzikës, Prishtina ishte në qendër të vëmendjes me një turne madhor dhe spektakolar. 14 skuadra morën pjesë, fillimisht në grupe, më pas në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finalja, mes Antwerp të Belgjikës dhe Friburg të Zvicrës, ku belgët triumfuan pas vazhdimeve 18:17.

Mbahet Kampi Nacional i Basketbollit

Nga 25 deri më 30 korrik është mbajtur Kampi Nacional i Basketbollit, i organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Kampi u organizua në të dyja konkurrencat, ku marrin pjesë 24 djem dhe 24 vajza të lindur më 2009-2010.

Synimi i këtij kampi është zhvillimi i gjeneratave të reja, që më vonë do të jenë pjesë e Përfaqësueseve të Kosovës dhe do të jenë e ardhmja e basketbollit.

Kampi organizohet çdo vit nga FBK, që iu kushton mjaft rëndësi gjeneratave të reja në të dyja konkurrencat.

Spaqi në Izmir e vazhdoi programin FECC

Trajneri kosovar, Valentin Spaqi në gusht të këtij viti ka qenë pjesë e programit FIBA Europe Coaching Certificate (FECC) që është mbajtur në Izmir të Turqisë. Së fundi në programin FECC është certifikuar Gyltekin Selimi, ndërsa më herët edhe trajnerët si Dritëro Sefaja, Edon Godeni, Petrit Zeqiri dhe Ilir Selmani, gjithashtu janë certifikuar nga ky program, të propozuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës.

Vazhdon projekti i FIBA Europe Youth Development Fund

Federata e Basketbollit e Kosovës dhe FIBA e kanë vazhduar bashkëpunimin edhe për dy vjet të projektit FIBA Europe Youth Development Fund. Ky projekt është planifikuar që të krijojë përvojë ndërkombëtare për komunikim kulturor për fëmijët e përzgjedhur, trajnerët dhe menaxherët të cilët kanë potencial në basketboll.

FBK dhe FIBA Europe kanë bashkëpunim nga viti 2016, bashkëpunim ky, i cili ka ndihmuar në zbulimin e talenteve të rinj, edukimin e trajnerëve dhe ngritjen profesionale tek lojtarët.

Shpërblehet FBK

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është në mesin e pesë (5) Federatave Nacionale që është shpërblyer nga FIBA Evropa për angazhimin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në promovimin dhe vizibilitetin e kampanjës “Her World, Her Rules”. FBK së bashku me Federatën e Bullgarisë, Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Rumanisë janë shpërblyer me nga 5,000 euro për përkushtimin në kuadër të kampanjës, përderisa për vitin kalendarik Shtator 2022 - Korrik 2023, FBK nga ky projekt do të përfitojë 28,000 euro.

Mbahet turneu Street Fest 2022

Për dytë me radhë, më 15 dhe 16 shtator është zhvilluar turneu në streetbooll “Street Fest 2022” në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës.

Turneu u organizua nga organizata “Sport4all”, i mbështetur nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

Të enjten është bërë hapja solemne e ceremonisë, ku ka folur edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, duke u shprehur e kënaqur që kanë mbështetur këtë aktivitet, pasi një ndër prioritetet e FBK-së është masivizimi i basketbollit 3x3, sidomos për vajzat dhe djemtë e rinj.

Më pas janë zhvilluar ndeshjet për juniorët, femrat dhe seniorët. Spektakli ka vazhduar të premten, më 16 shtator, ku u zhvilluan finalet te pionierët, kadetët, juniorët, femrat dhe seniorët. Një ndeshje speciale u zhvillua mes personave me aftësi të veçanta.

Për dy ditë me radhë kishte muzikë, vallëzim, streetboll dhe lojëra shpërblyese.

Ylli përfundon aventurën evropiane me një fitore

Kampioni i Kosovës, Golden Eagle Ylli më 21 shtator për herë të parë mori pjesë në garat evropiane. Therandasit fillimisht ishin në kualifikimet e Basketball Champions League, ku pësuan nga Benfica, ndërsa më pas garuan në grupet e FIBA Europe Cup, ku ishin në grup me dy skuadrat gjermane, Bamberg dhe Niners, si dhe izraelitët e Hapoel-it. Ylli e përfundoi aventurën evropiane më një fitore në Bamberg të Gjermanisë, si dhe pesë humbje.

Mahmuti dhe Toijala ligjëruan para trajnerëve të Kosovës

Trajnerët e mirënjohur evropianë, Oktay Mahmuti dhe Jukka Toijala kanë ligjëruar para trajnerëve të Kosovës (24 dhe 25 shtator) në Klinikën e Trajnerëve të Basketbollit, që u organizua nga Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës. Trajneri i mirënjohur, Mahmuti, ka folur në pjesën e parë të Klinikës për Mbrojtjen Individuale, duke treguar se si të jetë më e suksesshme. Ndërkohë, Jukka Toijala ka folur ka ligjëruar për Zhvillimi Afatgjatë i Basketbollstëve, duke marrë shembullin nga Modeli i Akademisë së Helsinkit. Në ditën e dytë, Mahmuti ka ligjëruar me temën Sulmi Pick & Roll, kurse Toijala ka ligjëruar me temën Ndërtimi i Koncepteve të Sulmit të Përfaqësueses së Estonisë.

Spektakël evropian në Mitrovicë

Trepça ishte organizatore e Grupit A kualifikues në FIBA Europe Cup prej 27 deri më 30 shtator. Për mitrovicasit kjo ishte hera e parë që organizuan një event të tillë. Provimi u dha me sukses. Gjashtë skuadra morën pjesë, ku në fund Sporting dhe Anwerp u kualifikuan tutje, kurse ‘Xehetarët’ pësuan në çerekfinale nga Gottingen.

Sigal Prishtina eliminohet nga FIBA Europe Cup

Sigal Prishtina ka pësuar humbje nga Kalev/Cramo më 28 shtator me rezultat 98:61 (19:16, 30:23, 24:11, 25:11), në gjysmëfinale të kualifikimeve të Grupit B në FIBA Europe Cup.

Perioda e parë ishte kryesisht e barabartë, ku prishtinasit ishin duke fituar 10:14, por estonezët kundërpërgjigjen me një seri prej 7:0, ndërsa çereku i parë përfundoi 19:16. Kryeqytetasit e nisën më mirë periodën e dytë, për të kaluar në epërsi 32:37, por më pas skuadra nga Estonia hyri sërish në një seri të suksesshme, për të kaluar në epërsi 43:37, duke shkuar më pas në pushim me rezultat 49:39.

Estonezët ishin më të mirë në pjesën e dytë, për të thelluar epërsinë, dhe për të triumfuar në fund 98:61.

Miratohen ndryshimet në Statutin e FBK-së

Më 1 tetor është mbajtur Kuvendi Statutar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Fillimisht është bërë Zgjedhja e Trupave Punues: Kryesisë së Punës, Komisionit Verifikues dhe Procesmbajtësit dhe më pas është bërë Aprovimi i procesverbalit të mbledhjes së Kuvendit të Punës të datës 26.03.2022. E fundit dhe kryesorja për çka është thirrur ky Kuvend, janë miratuar Ndryshimet Statuare në FBK.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu ka treguar në hollësi të gjitha ndryshimet statuare që janë kërkuar të bëhen dhe delegatët unanimisht kanë votuar pro këtyre ndryshimeve.

Në këtë Kuvend ishin të pranishëm 33 delegatë nga 40 sa janë gjithsej.

Sekretari Gjeneral i FIBA Botës vizitoi FBK-në
Njeriu i parë i basketbollit në botë, Andreas Zagklis ka vizituar Kosovën më 6-7 tetor.
Zagklis fillimisht ka vizituar Federatën e Basketbollit të Kosovës, ku është takuar me drejtuesit e FBK-së, Arben Fetahun, kryetar i FBK-së dhe Elvira Dushkun, Sekretare e Përgjithshme.

Sekretari Gjeneral i FIBA Botës është njoftuar me stafin e FBK-së dhe ka parë nga afër zyrat se, ku punojnë dhe çfarë pune bëhet për basketbollin e Kosovës. Zagklis është shprehur shumë i kënaqur me pritjen që i është bërë.

Sekretari Gjeneral i FIBA Botës, Andreas Zagklis gjatë vizitës në Kosovë, së bashku me drejtuesit e FBK-së, janë takuar me krerët e Komitetit Olimpik të Kosovës, si dhe janë takuar me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, kurse takimi i fundit i Sekretarit Gjeneral të FIBA Botës, Andreas Zagklis në Kosovë ishte me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Zagklis ka theksuar se basketbolli, gjegjësisht FBK-ja ka nevojë për ndihmë institucionale për zhvillimin e këtij sporti në Kosovë dhe duhet shikuar mënyra se si të përkrahen këto projekte, që janë shumë të rëndësishme dhe jetike për zhvillimin e basketbollit në Kosovë. Ai po ashtu ishte i pranishëm në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare në Mitrovicë ndërmjet Trepcës dhe Tiranës.
Trepça triumfoi mes spektaklit në Mitrovicë

Trepça ka triumfuar në Superkupën Mbarëkombëtare më 6 tetor. Kjo është hera e parë që mitrovicasit triumfojnë në këtë garë.

‘Xehetarët’ triumfuan në finalen kundër Tiranës me shifrat 52:92. Sfida finale u zhvillua në një atmosferë të jashtëzakonshme nga tifozët mitrovicas, që kishin përgatitur edhe një koreografi speciale me legjendat e historisë shqiptare, Skënderbeu, Adem Jashari dhe Isa Boletini. Takimin e ka përcjellë nga afër Sekretari Gjeneral i FIBA Botës, Andreas Zagklis.

MVP i finales është shpallur Erjon Kastrati, çmim të cilin ia dorëzoi Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari i kanë ndarë medaljet e arta, ndërsa Nënkryetarja e Bordit Ekzekutiv të FBK-së, Linda Shala, Sekretari i Përgjithshëm i FSHB-së, Korab Llazani dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku i kanë ndarë medaljet e argjendta. Ndërkohë, trofeun e Kupës e ka dorëzuar Ilir Trebicka, Kryetar i Bordit Drejtues të Ligës Unike. Gjithashtu edhe gjyqtarët e finales janë nderuar nga Blerim Vuniqi, anëtar i Bordit Drejtues të Ligës Unike.

Fetahu dhe Braha pjesëmarrës në Punëtorinë Rajonale "Integriteti në Sport"

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, njëherësh edhe anëtar i Këshillimit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës e Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive dhe Vlora Braha, Person për Integritet në FBK (SPOC-Single Point of Contact for Integrity) kanë marrë pjesë në Punëtorinë Rajonale "Integriteti në Sport", që u organizua nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe INTERPOLI prej 4 deri më 6 tetor në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

IOC dhe INTERPOLI do të vazhdojnë implementimin e Projektit Global të Ndërtimit të Kapaciteteve dhe Trajnimit për të forcuar aftësitë operacionale rreth manipulimit të konkurrencës dhe korrupsionit në sport. Kjo Punëtori u organizua për të forcuar zbatimin e ligjit në qeveritë dhe organizatat sportive.

Punëtoria ka ofruar një forum për shkëmbimin e njohurive mbi temën e manipulimit të garave sportive, të identifikojë rolet dhe përgjegjësitë e autoriteteve, të zbatimit të ligjit dhe organizatat sportive, dhe të vendosin bashkëpunim ndërmjet këtyre palëve të interesuara në nivel kombëtar dhe rajonalisht.

Bashkimi triumfon në Superkupë

Bashkimi te femrat ka triumfuar në Superkupën e Kosovës më 9 tetor, duke mundur në finale Penzën me rezultat 63:70 (20:18, 16:21, 17:18, 10:13).

Medaljen e argjendta i kanë dorëzuar Komesari i Garave të FBK-së, Faton Kurshumlija dhe anëtari i Komisionit të Garave, Valdet Spahija, ndërsa medaljet e arta, nënkryetarja e FBK-së, Linda Shala dhe anëtari i Bordit të FBK-së, Dardan Kasapolli. MVP e Superkupës është shpallur Arbnore Përquku, çmim të cilin ia ka ndarë Linda Shala, që po ashtu dorëzoi trofeun te kapitenia e Bashkimit, Aulona Muhadri. Para ndeshjes finale është pensionuar ikona dhe legjenda e basketbollit pejan, Valbona Bytyqi. Ajo ka qenë kapitene për shumë vite e Penzës dhe fitoi shumë trofe me skuadrën pejane, ndërsa ka qenë basketbolliste e Kosovës A. Nënkryetarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Linda Shala i ka dhuruar fanellën me numër 9 të Kosovës dhe dhurata në emër të FBK-së.

Trajnerët e Kosovës në Klinikën e FIBA Get Together U14

Trajnerët/et nga Kosova së bashku me Drejtorin Teknik të Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Krasniqi kanë marrë pjesë në Klinikën e trajnerëve të organizuar nga FIBA në Durrës me 22 dhe 23 tetor.

Në këtë Klinikë nga Kosova kanë marrë pjesë: Driton Obërtinca, Brasim Veseli, Endrit Elshani, Artina Hasani dhe Tokjona Rexhaj.

Trajnerët nga Kosova janë dërguar nga Federata e Basketbollit e Kosovës, që vazhdon të investojë në trajnerë, sidomos për ata që punojnë me gjenerata të reja.

Në kuadër të kësaj klinike kanë ligjëruar: Nenad Trunic, Instruktor i FIBA-s, Arik Shivek, Instruktor i FIBA-s, Michael Shwarz, Udhëheqës i FIBA EUROPE COACHING dhe Radmilla Turner, Udhëheqëse e FIBA EUROPE &YOUTH AND ANTIDOPING.

Trajnerët e Kosovës në Turqi

Federata e Basketbollit e Kosovës gjatë vitit 2022 ka dërguar dy herë në Turqi nga katër trajnerë për trajnim për avancimin e gjeneratave të reja në basketboll, program që mbështetet nga FIBA YDF(Youth Development Fund). Në fillim të vitit trajnerë pjesëmarrës nga Kosova ishin Kimete Haliti, Hasan Bytyqi, Dion Pllana dhe Egzon Uka.

Kjo është mundësuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Ata ishin mysafirë të Federatës së Basketbollit të Turqisë, ku përveç trajnimeve kanë përcjellur stërvitjet dhe ndeshjet e klubeve turke që marrin pjesë në Euroligë, si Fenerbahce, Anadolu Efes dhe Darusafakas.

Ndërkaq në fund të vitit, po ashtu pjesë e këtij programi, nga Kosova në Turqi ishin Driton Obërtinca, Tokjona Rexhaj, Elbesar Gështenja dhe Granit Makolli.

Flamurtari triumfoi në Superkupën Mbarëkombëtare

Flamurtari i Vlorës më 27 tetor ka triumfuar në Superkupën Mbarëkombëtare të femrave. Vashat nga Vlora në finale mundën Bashkimin me rezultat 65:61 (20:9, 12:11, 16:29, 17:12).

MVP e Superkupës Mbarëkombëtare është shpallur Tea Memushi e Flamurtarit. Kupën kapitenes ia dorëzoi Kryetari i Bordit Drejtues të Ligës Unike, Ilir Trebicka.

Kjo ishte hera e parë që kjo ngjarje u zhvillua në Kosovë, përkatësisht në Prizren. Në të garuan, Flamurtari i Vlorës, Bashkimi i Prizrenit, Penza e Pejës dhe Partizani i Tiranës.

Vlora Braha, mori pjesë në Punëtorinë e parë për SPOC Personat të organizuar nga FIBA

Vlora Braha, Zyrtare për Integritet (SPOC Person) në Federatën e Basketbollit të Kosovës ka marrë pjesë në Punëtorinë e Parë për SPOC Personat të organizuar nga FIBA në Munih të Gjermanisë.

Punëtoria është mbajtur më 2 dhe 3 Nëntor në selinë e FIBA Europe. Në këtë Punëtori, që është e para, ku edhe Kosova e ka pas përfaqësuesen e saj është diskutuar për rolin dhe rëndësinë e SPOC Personit, si dhe zbatimin në federatat përkatëse. Në këtë mënyrë Braha e ka përgatitur një prezantim të punës si SPOC Person në FBK dhe bashkëpunimit të ngushtë me Sportradar dhe FIBA-n në luftën kundër manipulimit të ndeshjeve dhe çështjeve të tjera që ndërlidhen me integritetin në sport. Braha ndër të tjera ka ndarë përvojat dhe sfidat që ka pasur deri tani në këtë rol dhe për sfidat që pritet ti ketë në të ardhmen në luftën kundër dukurive negative në sport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat