Lebron rekord dhe kosh në frymën e fundit për Lakers

Basketboll

Lebron rekord dhe kosh në frymën e fundit për Lakers

Më: 25 prill 2023 Në ora: 14:23
Lebron James

Dy pikët e fundit të periodës së katërt nga LeBron James janë ato që çuan ndeshjen mes Lakers dhe Memphis Grizlies në kohën shtesë, me skuadrën nga LA që fitoi më pas sfidën 117-111, duke thelluar në 3-1 avantazhin e serisë.

Ishte një mbrëmje e veçantë për “Mbretin” James, pikërisht për atë aksion dhe kosh të shënuar, kur mbeteshin vetëm 6.7 sekonda nga sirena përfundimtare dhe rezultati ishte 104-102 për Grizzlies.

Një depërtim në sulm, i finalizuar me koshin vendimtar të James, edhe një herë tjetër shpëtimtar i skuadrës së tij.

E gjithë bota e di se me vetëm 6.7 sekonda për t’u luajtur, te Lakers fjalën e fundit e ka gjithmonë ai, një goditje që në 99% të rasteve është e Lebron James, që shpeshherë në karrierën e tij është autori i “the right play”, aksionit të duhur.

Këtë herë nuk zgjodhi asistin për shokët e skuadrës, por të kalonte markuesin Xavier Tillman, të evitonte ndihmën e stopuesit më të mirë të NBA, Jaren Kackson Jr. dhe të finalizonte me koshin fatal.

Dy pikë që çuan rezultatin në 104-104 dhe ndeshjen në shtesë. Por që aty e tutje ishte e qartë se ishin Lakers skuadra që kishte moralin me vete për të fituar ndeshjen, falë një paraqitje historike të LeBron James, që shënoi 4 nga 22 pikët e tij totale edhe në shtesë, por mbi të gjitha koleksionoi edhe 20 rikuperime, duke u bërë lojtari me moshën më të madhe që shkruan historinë me një paraqitje prej të paktën 20 pikësh dhe 20 rikuperimesh në historinë e NBA.

James ia doli në moshën 38 vjeç e 115 ditë, duke kaluar Wilt Chamberlain, që në 1973 e largët e realizoi në moshën 36 vjeç e 262 ditë.

Jo vetëm kaq: LeBron u bë i pari lojtar i Lakers, që nga koha e Shaquille O’Neal, që realizon një paraqitje të ngjashme, me Shaq që e kishte realizuar rekordin 20/20 në 2004.

Numri 6 i skuadrës verdhevjolë në ndeshjen e katërt shtoi edhe 7 asiste dhe dy stopime, falë një paraqitjeje legjendare që tani i projekton Lakers vetëm një fitore larg raundit të dytë të play off, aty ku skuadra nga Los Angeles mund të takojë fituesen e duelit mes Sacramentos dhe Golden State.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat