Teuta - Besëlidhja, kryendeshja e javës së parë te meshkujt

Basketboll

Teuta - Besëlidhja, kryendeshja e javës së parë te meshkujt

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 18:50
Pamhe nga një ndeshje

Me përfundimin e Kupës së FSHB-së, basketbolli shqiptar tashmë është gati për startin e kampionateve kombëtare, të cilat do të nisin këtë fundjavë. Ndërkohë, dje në ambientet e Parkut Olimpik në Tiranë, me prani të përfaqësuesve të shoqatave, është hedhur edhe shorti i kampionateve 2023-2024.

Në radhët e meshkujve, siç dihet, ky sezon do t’i gjejë të gjitha ekipet të grupuara në një kategori të vetme, ndërsa kampionati do të përbëhet nga 11 ekipe: Tirana, Besëlidhja, Teuta, Kamza, Flamurtari, Apolonia, Partizani, Vllaznia, Elbasani, Skënderbeu dhe Fieri , skuadër e formuar këtë sezon. Formula e kampionatit do të jetë me dy faza për sezonin e rregullt, teksa në përfundim vendi i parë dhe i dytë kalojnë në “play off”, ndërsa vendet 3,4,5 dhe 6 do të luajnë në para “play off”. Java e parë ka dhuruar menjëherë përballje interesante, teksa Tirana, kampionia në fuqi, do të nisë mbrojtjen e titullit në transfertë kundër Apolonisë.

Por kryendeshja e kësaj jave do të jetë sfida ndërmjet Teutës dhe Besëlidhjes në Durrës. Në takimet e tjera, Kamza pret Flamurtarin në Bathore, Partizani sfidon në shtëpi Elbasanin, ndërsa Vllaznia e nis në Shkodër kundër Skënderbeut. Fieri në javën e parë do të jetë pushim për shkak të numrit të ekipeve që janë regjistruar në kampionat.

FEMRAT – Për sa i përket kategorisë së parë për femra, janë 8 ekipet pjesëmarrëse në kampionat: Flamurtari, Partizani, Tirana, Studenti, Vllaznia, Elbasani, Barleti dhe KB Teuta, ekip i ndërtuar këtë verë, që rikthen qytetin e Durrësit të përfaqësohet me vajzat pas shumë vitesh. Formula e kampionatit të femrave nuk ndryshon nga vitet e fundit, teksa do të jetë me tri faza. Katër ekipet e para pas sezonit të rregullt do të kualifikohen për në “play off”.

Në javën e parë spikat sfida ndërmjet Flamurtarit dhe Tiranës, me vlonjatet që do ta nisin mbrojtën e titullit në shtëpi ndaj vajzave bardheblu.

Ndërsa përballjet e tjera do të jenë: Partizani-Studenti, Teuta-Vllaznia dhe Elbasani-Studenti. Ndeshjet e javës së parë, si te meshkujt, gjithashtu edhe te femrat, do të fillojnë që këtë të premte, ndërsa pritet zyrtarizimi i datave dhe orareve nga FSHB-ja.

Kalendari- JAVA E PARË

FEMRA

FLAMURTARI – TIRANA

PARTIZANI – STUDENTI

KB TEUTA – VLLAZNIA

ELBASANI – BARLETI

MESHKUJ

APOLONIA – TIRANA

TEUTA – BESËLIDHJA

KAMZA – FLAMURTARI

PARTIZANI – ELBASANI

VLLAZNIA – SKËNDERBEU

(FIERI PUSHIM)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat