Pesë ngjarje ndërkombëtare të basketbollit në Kosovë, Dushku: Po bëhemi gati

Basketboll

Pesë ngjarje ndërkombëtare të basketbollit në Kosovë, Dushku: Po bëhemi gati

Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 09:19
Elvira Dushku

Prej 25 deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm në Prishtinë, do të organizohet për herë të parë Kampionati Evropian për Shtete të Vogla – Femrat.

Kjo ngjarje i është besuar Federatës së Basketbollit të Kosovës nga mbledhja e bordit të FIBA-së, gjë për të cilën, sekretarja e FBK-së, Elvira Dushku thotë se tashmë kanë nisur përgatitjet për ndërtimin e skuadrës kombëtare, duke përfshirë edhe emërimin e një trajneri të ri.

“Organizimi i FIBA Kampionatit Evropian për shtete të vogla te femrat, do të jetë për herë të parë në Kosovë, është prej 25 deri më 30 qershor, marrin pjesë tetë shtete. Ne kemi filluar të mendojmë për ndërtimin e përfaqësuese A të Kosovës. E kemi një brezë të lojtareve që janë më në moshë, mos të t’iu themi veterane, por e kemi edhe një brezë të ri që është duke ardhur dhe do ta bëjmë një përzierje të këtyre dy gjeneratave, por njëkohësisht jemi duke synuar për ta angazhuar një trajner të huaj, i cili më pas do ta krijojë shtabin teknik dhe kështu pas të arrijmë t’i realizojmë të gjitha këto deri në mesin e muajit dhjetor, atëherë do të ulemi dhe të vendosim për synimet tona, a do të jetë vendi i tretë, i dyti apo ta fitojmë tërë Kampionatin Evropian për shtete të vogla”, tha Dushku.

Sekretarja e FBK-së, zbulon për KosovaPress, se kjo federatë ka fituar edhe të drejtën e organizimit të FIBA Kampionatit Evropian U18.

“Krahas kësaj, ne kemi aplikuar edhe për organizimin e FIBA Kampionatit Evropian U18, të Divizionin C për femra. Edhe këtu marrin pjesë tetë shtete. Ne kemi një përzierje të gjeneratave 16 dhe 18 vjeçare. Vajzat i kemi shumë të mira kështu që kemi vendosur ta organizojmë një kampionat për t’ua dhënë rastin vajzave tona të luajnë para publikut por njëkohësisht edhe për të treguar se Federata e Basketbollit është shumë e përkushtuar për ta zhvilluar basketbollin e femrave si në nivel vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.”, tha Dushku.

Për ta fituar organizimin e ngjarjeve të tilla, Dushku thotë se Kosova ka mposhtur konkurrencën e shumë shteteve të tjera, duke iu falënderuar besimit të madha nga bordi i FIBA-së.

“Normalisht se ka pasur konkurrencë, por bordi i FIBA Evropës në mbledhjen që e ka pasur të premten ka vendosur që Kosova, edhe fal organizimeve të mëparshme, pesë të tilla i kemi pasur deri më tani, ata e kanë besuar dhe kanë vlerësuar që ne duhet të vazhdojmë me organizimin e këtyre eventeve, kështu që për ne ka qenë një e arritur shumë e madhe sepse çdo vit kemi organizuar nga një, kurse tani jemi duke i fituar dy FIBA kampionate evropiane ne konkurrencën e femrave.”, theksoi më tutje Dushku.

Spektakli i basketbollit ndërkombëtar në Kosovë vitin e ardhshëm do të vazhdojë edhe në basketbollin 3x3. Dushku zbulon se do të organizohen tri ngjarje të tilla në Prishtinë.

“Sa i përket tri eventeve të basketbollit 3x3, ne kemi aplikuar si Federatë e Basketbollit për kualifikimet për FIBA Europe Cup. Një event i tillë është organizuar dy herë viteve të kaluara në Qipro, ndërsa këtë herë ne në fakt nuk kemi aplikuar, ata na janë ofruar vet neve duke pasur parasysh që organizojmë ngjarje të mira dhe jo vetëm të mira por edhe në nivel profesional, ata na janë ofruar vetë dhe na kanë thënë a jeni të interesuar, më pas ne kemi diskutuar edhe kemi kandiduar dhe fituar që për dy vitet e radhës ta organizojmë këtë garë më 8 dhe 9 qershor në Prishtinë. Në të njëjtën kohë, përveç kësaj në bashkërendim me MKRS-në dhe klubin 3x3 Prishtina kemi biseduar dhe jemi dakorduar që të vazhdojmë ta organizojmë FIBA 3X3 women’s series në Prishtinë që është në datat 18 dhe 19 korrik dhe më pas është FIBA 3X3 challenger Prishtina që organizohet menjëherë pas përfundimit të këtij eventi.”, deklaroi Dushku.

Organizimi i të gjitha këtyre ndeshjeve të basketbollit gjatë vitit të ardhshëm, do të bëhet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, si dhe në Sallën “1 tetori”, në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat