​Lufta për titull në basketboll, Ferati parashikon finalen Ylli-Trepça

Basketboll

​Lufta për titull në basketboll, Ferati parashikon finalen Ylli-Trepça

Më: 14 prill 2024 Në ora: 13:25
Ismet Ferati

Edicioni i Superligës në basketboll tashmë ka hyrë në fazën më të nxehtë, atë të play off-it, ku skuadrat elitare synojnë të kurorëzohen me titullin kampion.

Është skuadra e Yllit ajo që tashmë ka prekur gjysmëfinalen, ndërsa gjysmëfinalisti tjetër do të del nga sfida Prishtina-Vëllaznimi, i cili sipas analistit dhe trajnerit të basketbollit Ismet Ferati është i paparashikueshëm pasi që seria prej dy ndeshjeve të para është e barabartë dhe se dueli i tretë do të jetë përcaktues.

Ferati: Prishtina favorite përball Vëllaznimit

Mendoj që nuk kemi parë befasi edhe pse Prishtina llogaritet favorit kundër Vëllaznimit, mirëpo nuk kanë edhe aq shumë dallim pasi që Prishtina ka qenë në vendin e katërt, Vëllaznimi në vendin e pestë kështu që nuk ka shumë dallim aty. Përndryshe Prishtinën e shoh si favorit mirë, jo edhe Vëllaznimin pa gjasa, sepse e kemi parë në dy ndeshjet e fundit, sidomos në Gjakovë, dy herë e ka fituar Vëllaznimi. Edhe këtu ndeshja ka përfunduar me shumë pak diferencë, pesë apo gjashtë pikë për Prishtinën. Kështu që ndoshta pak e shoh Prishtinën favorite, por jo ashtu bindshëm, sepse Vëllaznimi kohëve të fundit e ka një kompaktësi shumë të mirë”, tha Ferati.

Luftë të ashpër Ferati pret në fazën gjysmëfinale, ku do të ballafaqohen gjigantët e basketbollit kosovar.

Ferati: Ylli e Trepça në finalen e madhe

“Mendoj që Ylli është favorit kundër Pejës për shkak të formës edhe për shkak të seriozitetit që është duke mbretëruar në klubin e tyre pasi që aq stabilitet ka sjellë dhe ka krijuar trajneri Mijoviq sa që ne që e përcjellim basketbollin e dimë një ekip kur është serioz dhe kur nuk është serioz. Në çiftin tjetër, Trepça me Prishtinën, mendoj që vetë rezultatet tregojnë që Trepça është për vetë faktin që shtatë apo tetë herë e ka fituar vetëm këtë sezon Prishtinën dhe nuk ka pësuar asnjëherë. Trajneri Adis Beqiragiq është duke bërë një punë të mrekullueshme bashkë me menaxhmentin e Trepçës. Janë ekipi më serioz në ligë”, tha Ferati.

Ferati parashikon finalen e madhe mes Yllit dhe Trepçës, ku sipas tij, favorit do të jetë skuadra nga Mitrovica.

Ferati: Trepça favorite në finale

“E shoh Trepçën, edhe Ylli në finale. Gjasat për finale mendoj që janë 60-40 në dobi të Trepçës për shkak edhe të terrenit vendas si përparësi. Dihet do të thotë atje, çfarë shikueshmërie është, dhe kur vjen finalja, çfarë sjellë “Torcida”, mirëpo edhe për shkak të ekipit që e kanë, lirisht mund të them se i kanë dy pesëshe të barabarta, do të thotë trajneri Beqiragiq e ka një luks që t’i shfrytëzojë dhjetë lojtarë pa pikë problemi,” tha ai.

Përtej garës momentale, Ferati vlerëson se fenomen shqetësues në basketbollin kosovar mbetet mungesa e lojtarëve vendorë dhe mungesa e faktorizimit të tyre në ekipe.

Ferati: Mungesa e lojtarëve vendorë – shqetësuese

“Mendoj që pak hijeshinë që e ka ndreq pak ligën është Vëllaznimi, sepse e kemi parë gjatë sezonit çfarë shikueshmërie ka pasur, mirëpo edhe ekipin e kanë pasur të mirë. Mirëpo nuk shoh diçka shumë që ka përparuar kualiteti i ligës së Kosovës për faktin që pak lojtarë vendas janë duke luajtur, pak lojtarë vendas janë faktorë në ekipet e tyre. Kryesisht barrën e marrin lojtarët e huaj. Kemi shumë pak lojtarë të rinj që janë duke ardhur, fatkeqësisht është një pikëpyetje shumë e madhe e basketbollit të Kosovës, se kah po shkon basketbolli i Kosovës në të ardhmen”, tha Ferati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat