Ndeshja e ndërprerë Teuta - Vllaznia, Disiplina merr vendimin për gjysmëfinalen e play-off

Basketboll

Ndeshja e ndërprerë Teuta - Vllaznia, Disiplina merr vendimin për gjysmëfinalen e play-off

Më: 3 maj 2024 Në ora: 18:33
Pamje

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Basketbollit ka marrë sot vendimin për ndeshjen e ndërprerë ndërmjet Teutës dhe Vllaznisë, takimi i tretë gjysmëfinal i “play off”-it në kampionatin kombëtar në radhët e meshkujve, i zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në Durrës.

Disiplina ka vendosur që ndeshja të rifillojë aty ku u ndërpre në shifrat 47-40 për Teutën, ndërsa do të luhen 20 minutat e pjesës së dytë. Paraprakisht është caktuar data 6 maj, me startin në orën 19:00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala”. Në rast të mungesës së hapësirës së sallës, për datën dhe orën, duhet gjendur hapësira më e afërt e mundshme. Komisioni i Disiplinës gjithashtu u ka tërhequr vërejtje të dyja klubeve për këtë rast.

Teutës i është tërhequr vërejtje për sigurimin e të gjitha masave organizative konform rregullores së aktiviteteve kombëtare të basketbollit, në veçanti riparimin e sinjalizuesit për përfundimin e kohës së periodës. Në rast se për arsye teknike nuk do të jetë e mundur riparimi në kohë i pajisjes në fjalë, atëherë do të përcaktohet një zyrtar shtesë nga FSHB për të vendosur sinjalizuesin në mënyrë manuale. Mos përmbushja e kushteve organizative optimale për zhvillimin e ndeshjes, sipas përcaktimit nga gjyqtari i parë i ndeshjes apo dhe vëzhguesi, do të detyrojë FSHB-në drejt zbatimit të nenit: “10.2 Mungesa ose mosfunksionimi siç duhet i pajisjeve apo ndriçimi i pamjaftueshëm, që çon në zhvillim jo normal të ndeshjes, gjobitet me 5’000 lekë. Në rast se kjo shkakton mos-zhvillimin e ndeshjes, ekipi e humbet ndeshjen aforfe dhe gjobitet me 100’000 lekë”.

Ndërkohë për sa i përket Vllaznisë, ajo ka marrë vërejtje për mosrespektimin e vendimit të gjyqtarëve, specifikisht gjyqtarit të parë si zyrtar me të drejtën e vendimmarrjes për fillimin, vazhdimin dhe përfundimin e ndeshjes. Tërheqja e ekipit në mënyrë të njëanshme nga drejtues të skuadrës do të detyrojë FSHB-në drejt zbatimit të nenit: “12.5 – Në rast se një ekip nuk pranon të luajë apo largohet nga fusha e lojës në mënyrë demonstrative, e humbet ndeshjen aforfe dhe gjobitet me 500’000 lekë”.

Në vendimin e dhënë, FSHB shpreson për reflektim nga të dyja ekipet skuadrat frymës sportive për përcaktimin e ekipit që do të kualifikohet në finalet e kampionatit kombëtar meshkuj bazuar në rezultatet e garës të dala nga parketi i lojës.

ÇFARË NDODHI – Në fundin e periodës së dytë, kur takimi ishte në shifrat 44-40 për Teutën, Elian Memçaj ka realizuar për 3 pikë, duke i çuar shifrat në 47-40, teksa për arbitrat gjithçka ishte e rregullt. Por më vonë, Vllaznia e ka kontestuar këtë kosh, me pretendimin se është realizuar me kohë të përfunduar, ndërsa në sallë nuk ka funksionuar sirena automatike për matjen e kohës së lojës. Për shumë minuta në parket mbizotëroi një situatë kaotike. Për gjyqtarët ndeshja duhej të vazhdonte, ndërsa ata i dhanë 20 minuta kohë skuadrës shkodrane për të vendosur, por pavarësisht diskutimeve mes dy ekipeve, ndeshja nuk rifilloi.

Kujtojmë që seria e gjysmëfinaleve është në barazim 1-1, me Teutën që ka fituar ndeshjen e parë, ndërsa Vllaznia triumfoi në të dytë. Në finale mbërrin skuadra që arrin numrin e tri fitoreve dhe përballë që të gjejë Besëlidhjen. Lezhjanët i kanë mbyllur llogaritë duke fituar 3-0 ndaj Tiranës në gjysmëfinale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat