Adrola Dushi: Ka vetëm një 'Kapo' në jetën time

Bota e Yjeve

Adrola Dushi: Ka vetëm një 'Kapo' në jetën time

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 06:30
Adrola Dushi

Aty ku dielli, deti dhe qielli janë unikë dhe në harmoni të plotë, një sirenë plotëson atë që quhet mrekulli e natyrës. Brenda saj, Adrola Dushi në një rrëfim të pazakontë…

Për t’i prishur harmoninë trinisë, por për t’i dhënë ngjyra të tjera botës.

Në njërën prej verave më të nxehta të dekadave të fundit, kush më shumë se një personazh si Adrola Dushi mund të ishte ideal për t’i mbajtur në ekuilibër temperaturat e larta? Prisni pak, nuk është fjala për fotot e nxehta në Instagram me rroba banje dhe linja perfekte (ato po e po), por më shumë për të mbajtur në ekuilibër të gjitha të thënat e të pathënat e kohëve të fundit.

Vazhdon të jetojë e të punojë në Shtetet e Bashkuara bashkë me familjen dhe është shumë e lumtur që e ka bërë këtë zgjedhje prej vitesh tashmë. Për të gjitha mundësitë që jeta profesionale i ka ofruar atje, por sidomos për të birin, Troin, i cili Amerikën e ka vërtet Tokën e ëndërruar: “Troi ndihet i lirë dhe shumë i lumtur në Amerikë. I gëzohet jetës, kushërinjve që ka, shokëve në shkollë. Këtë vit shkon në klasën e dytë dhe mezi po pret të ikim…”

Edhe në rastet kur vetë Adrolës i shkon nëpër mend kthimi përgjithmonë në Shqipëri, menjëherë druhet kur e mendon për herë të dytë, sepse i duket sikur do bëjë mëkat me të birin dhe do t’i prishë atij gjithë lumturinë dhe paqen që gjen në Amerikë.

Ama Amerika nuk t’i dhuron dot të gjitha. Dhe ky nuk është vetëm justifikimi i shqiptarëve që jetojnë këtu e që, dashje pa dashje, e kanë të pashmangshme një “notë” patriotizmi, por edhe ata që jetojnë jashtë e kthehen në vendlindje për pushime. Si Adrola, që e shijoi verën e këtij viti ndoshta më shumë se të gjitha të tjerat. Jo vetëm për shkak të kushteve e rrethanave të kufizuara nga pandemia që ishin të detyruar të kalonim përgjatë këtyre dy viteve, por ka qenë e lumtur edhe pranë familjarëve që, ashtu si ajo, gjetën kohën dhe mundësinë për të qenë më afër vendlindjes dhe të afërmve.

Image

Në fakt, vera e gjeti Adrolën pas mbylljes së disa projekteve shumë të rëndësishme; kontrata të mbyllura me kompani kozmetike, një program në ekran në fushën e saj, videoklipe, udhëtime, bashkëpunime, si edhe shumë projekte të reja që e presin.

Në këtë kopertinë ekskluzive, Adrola rikthehet në Class për të rrëfyer më shumë për rrugëtimin e saj me dy destinacione: Amerikë dhe Shqipëri. Nganjëherë, zemra tërheq më shumë njërën, nganjëherë tjetrën. Ajo e di që, cilado qoftë zgjedhja e saj përfundimtare, nëse do i duhet ta bëjë një ditë, i pari që do ta ketë të gjithë të drejtën për ta zbatuar këtë vendim do të jetë Kapo i saj, i vetmi dhe i pazëvendësueshmi. Troi është komandanti që prin jetën e Adrolës në këtë moment: “Ai është i vetmi që më çon në qiell dhe më ul në tokë në të qindtat e sekondës. Ai i bën dhe ai i prish planet e mia… E gjithë jeta ime rrotullohet rreth tij. Është bota për mua.”

Një rrëfim në stinën që e rikthen gjithmonë në vendlindje, për të ndarë me ne të thëna e të pathëna, për të zbuluar disa projekte që pritet t’i realizojë shumë shpejt, Adrola Dushi pranon ftesën për të qenë e hapur, siç di vetëm ajo të jetë, në një intervistë që nuk duhet humbur.

Image

Vazhdon të bësh jetën mes Shqipërisë, Amerikës dhe…. Kur do ta ndash mendjen përfundimisht ku do vazhdosh të jetosh?

Fakti që lëviz shumë nuk do të thotë që nuk jetoj. Duke qenë se karriera ime momentalisht ka pikë kyçe udhëtimet, nuk e kam të përcaktuar se kur do zhvendosem përfundimisht diku. Ama dihet që më së shumti jetoj në Amerikë, ku kam familjen dhe një pjesë të punës atje.

Troi ndikon në vendimin Shqipëri - Amerikë, ku do ai të jetojë më shumë?

Troi është një fëmijë i mbarë dhe që në moshë fare të vogël e ka kuptuar që unë lëviz për arsye pune. Ama atij i pëlqen Amerika, shkolla ku është, kushërinjtë dhe shoqëria e tij. Sigurisht që vjen edhe me pushime në Shqipëri për të takuar pjesën tjetër të familjes. Po ndihet i lirë, i lumtur në Amerikë dhe mua më duket sikur bëj mëkat me Troin sa herë që mendoj se një ditë mund të kthehem përfundimisht në Shqipëri.

Edhe kur vjen nga Amerika, je prapë në lëvizje, mes Shqipërisë dhe Kosovës, ke ndonjë projekt që po të mban të lidhur mes dy vendeve tona?

Sa u përket lëvizjeve Kosovë – Shqipëri, sigurisht që kam projekte vazhdimisht dhe e kam të detyrueshme të lëviz. Gjatë kohës që jam këtu, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, përpiqem të marr më të mirën dhe të kaloj edhe kohë të bukur me të afërmit, miqtë dhe bashkëpunëtorët.

Image

Si ishte eksperienca në "On Top", ke plane për sezonin e ri në ekran?

Ishte një eksperiencë e bukur. Unë doja të provoja veten edhe në një program të tillë që kishte lidhje edhe me fushën time. E kam ndier veten shumë mirë kur më merrnin si shembull, ndaj jam munduar të bëj më të mirën time. Pastaj, edhe vajzat ndryshuan që nga fillimi deri në fund të spektaklit, i ndoqën këshillat tona dhe u përmirësuan shumë nga java në javë. Më vjen shumë mirë që isha një shembull i mirë për to.

Kam marrë disa oferta edhe për sezonin e ri, por ende nuk kam vendosur gjë. E vërteta është që dua të tërhiqem, edhe pse nuk e di me siguri se kur do vijë ajo ditë. E mendoj shpesh që në ekran nuk është e thjeshtë të jesh, por as të mbijetosh. Nuk është se e shijoj shumë këtë pjesën e televizionit, sepse nganjëherë më duket “e gënjeshtërt” ajo që ndodh aty. Ka shumë figura dhe personazhe që punojnë shumë për të qenë pjesë e televizionit (unë kam shumë respekt për punën dhe origjinalitetin e tyre), por ka edhe shumë të tjerë që nuk duhet të jenë, sipas meje. Ndaj më vjen keq që puna e madhe dhe sakrifica që një pjesë prej nesh bëjmë për të qenë aty, mund të “baraspeshohet” me një “buzëqeshje Instagrami”.

Gjithsesi, mbase kjo fasadë në dukje për mua, për publikun mund të jetë ndryshe, kështu që le ta vendosë ai më mirë :).

Pjesëmarrja në videoklipe ka qenë surprizë për fansat, si janë pritur këngët ku ti ke qenë ‘aktore’?

Këngët në të cilat unë kam marrë pjesë në videoklipe, besoj janë mirëpritur nga publiku duke qenë se edhe artistët me të cilët kam bashkëpunuar janë ndër më të talentuarit në trojet shqiptare. Por kjo, mendoj se është një pyetje më specifike për artistët në fjalë dhe ata mund të bëjnë një krahasim me realist me projektet e tjera që kanë nxjerrë.

Image

E ke menduar ndonjëherë veten aktore në film, cili do të ishte roli që do ta pranoje pa u menduar dy herë?

Kur je në një botë që rrethohesh nga artistë dhe merr edhe ftesa në videoklipe, do apo s’do të bën të mendosh edhe për aktrimin. Nëse do merresha me aktrim, mendoj që do pranoja një rol të një vajze të thjeshtë, në ndjekje të ëndrrave të saj duke mos ndryshuar asgjë nga vetja, por të pranohet për atë që është.

Cilën nga eksperiencat e tua do të veçoje më shumë, cilën bën me shumë pasion dhe e shikon veten edhe pas shumë vitesh?

Aktualisht, po bëj gjërat që dua dhe i bëj me shumë pasion. Çdo eksperiencë do ta vëçoja si të veçantë, të bukur dhe që më ka mësuar, stërvitur për të vazhduar përpara. Mbase nuk di të them se ku do jem pas 20 apo 30 vitesh, por ajo që di me siguri është që, nëse do të më jepët mundësia, një rol si ai që ju përmenda më lart, do ta pranoja pa hezitim. Nuk e kam menduar, por nëse një ditë do të më vinte kjo mundësi, pse jo?

Ke ambicie për të pasur një biznes me emrin tënd, si shumë prej vajzave të njohura, jashtë dhe brenda Shqipërisë?

Në fakt, po. Kam disa kohë që po punoj për një projekt në Amerikë që ka të bëjë me modelingun. Kak kohë që e kam menduar, por tani erdhi momenti ta vë në zbatim. E kam me shumë pasion, sepse është pjesë e fushës sime, por për detajet, do flas në një moment të dytë kur gjithçka të jetë afërt Start-it. Për momentin, kaq mund të them. Përveç të tjerave, jam e prirur për biznes, kështu që uroj të më shkojë mbarë.

Nëse do e ktheje kohën pas, ka diçka për të cilën je penduar dhe do të doje ta kishe bërë ndryshe?

Arritjet dhe gabimet na bëjnë këta që jemi. Sigurisht që ka gjëra të cilat mund t’i kisha menduar më gjatë dhe mund të kisha bërë zgjedhje të tjera, por që jetën duhet ta marrim sikur të na vijë dhe të shijojmë copëzat e lumturisë. Si lumturia, ashtu edhe trishtimi, nuk zgjasin përgjithmonë, kështu që mendoj se me rëndësi është të marrësh më të mirën nga momenti dhe në fund të ditës të kemi rrudha nga e qeshura rreth syve dhe jo rrudha mërzie në ballë.

Image

Cila është pyetja më e vështirë (e sikletshme) që të ka bërë Troi dhe e ke pasur të vështirë t’i japësh një përgjigje?

Realisht, Troi shpesh më lë pa fjalë, edhe me pyetje të sikletshme, ndonjëherë edhe “të tmerrshme”. Tani që ka moshën të jetë edhe më kureshtar, ndonjëherë me habit me fantazinë e tij. Lumturia e tij më e madhe është kur na shohin njerëzit që nuk na njohin dhe na konsiderojnë si motër e vëlla, e shijon shumë këtë moment dhe më pyet: “O ma, po këta na shikojnë bashkë dhe mendojmë që jemi vëlla e motër?” Të mos flasim pastaj për pyetje të tipit “Pse vishesh me kaq të shkurtra?”, “Nuk ke pantallona të gjata, që i lë këmbët jashtë?” Domethënë është në moshën që më sheh si një “fanatik i vogël”.

Ka një Kapo për momentin që ta ka marrë vëmendjen më shumë gjatë kësaj kohe apo ‘të ka prishur planet’?

Troi është ‘Kapo’ i vetëm i jetës sime, pasi është i vetmi njeri që më çon në qiell dhe më zbret në tokë brenda një sekonde. Ai është i vetmi që i komandon dhe i prish planet e mia. E kam thënë edhe herë të tjera që pa të, jeta ime nuk do kishte kuptim. Është “problemi” më i bukur i jetës sime, por me asgjë tjetër në botë nuk do ta ndryshoja. i them shpesh “Po të mos ishe ti, nuk do isha as unë” dhe ai më përgjigjet: “E di, o maa”. Unë e di që ai nuk e kupton dot çfarë do të thotë kjo tani, por duke e dëgjuar shpesh, do ta mbajë mend dhe, me siguri, do ta vlerësojë kur të jetë më i rritur.

Cila ka qenë oferta më joshëse që ke marrë gjatë këtyre viteve në modeling?

Kam marrë pafund oferta nga kompanitë kozmetike, shqiptare dhe të huaja, por kur flasim për oferta joshëse, jemi tek të huajat, të kuptohemi. Disa i kam arritur, disa të tjera shpresoj në të ardhmen. Ajo që do më gëzonte më shumë do ishte të isha imazhi i ndonjë kompanie të madhe kozmetike.

Po oferta për të qenë në një kopertinë ndërkombëtare, do ishte po kaq joshëse?

Nëse do arrija të isha imazh i një kompanie kozmetike, sigurisht që do të vinin edhe kopertinat pastaj. Pa dyshim që do të doja shumë të isha imazh dhe personazh i një kopertine ndërkombëtare. Pse jo?

Pyetja klishe që mbase ta bëjnë të gjithë: si ia bën që e ruan veten gjithmonë të bukur dhe të freskët, ke një rutinë tënden të bukurisë?

Realisht kam qenë me fat dhe besoj se gjenetika ka qenë faktori kryesor i lëkurës së pastër, por që me kalimin e kohës jam përpjekur të jem më e rregullt në pastrimin e fytyrës dhe trajtimin me produkte të ndryshme si të rastit, ashtu edhe të sugjeruara. Nuk shikoj çmimin në një produkt, por shikoj si më reagon lëkura dhe secili nga ne e gjen veten herët a vonë në gjërat që i përshtaten.

Adrola që nuk njohim ….

-Kritika më e shpeshtë?

Nga ata që s’më njohin personalisht: “e bukur je, por mos e hap gojën”, ndërsa nga ata që më njohin, çuditërisht jap këshilla që gjithmonë m’i kanë vlerësuar dhe pranuar dhe mërziten kur nuk jam në humor për të folur. Gjithsesi, unë njihem si kritikja më e madhe e vetes dhe besoj se rrethi i kritikave ndaj meje fillon pikërisht nga unë.

-Frika më e madhe?

Frika më e madhe që kam është të humbas apo të jem larg njerëzve që dua. Mendoj se kam duruar shumë si person dhe pandemia e karantina e vërtetuan më së miri që mund të duroj shumë, shumë si njeri, por nuk e di si mund të përballoja nëse do humbja një nga njerëzit e mi të dashur.

-Arritja më e madhe?

Troi, pa diskutim.

-Ofertat më qesharake?

Nga politika. Por nuk kam lidhje fare. Kam marrë oferta nga çdo lloj partie e mundshme, por nuk dua të përfshihem dhe absolutisht nuk kam asnjë synim në këtë drejtim.

-Fjala më e shpeshtë që thua?

“Hajde, flit”, me idenë që ‘thuaj ç’ke për të thënë, po të dëgjoj’. E kam vënë re që e them pa pushim, edhe pse ndonjëherë mund të duket si pa kuptim.

- Si e përkufizon veten me një fjalë?’

Alegri.

-Dhurata më e çmuar (në vlerë)?

Nuk kam parë kurrë vlerën, përveç asaj sentimentale. Dhe zakonisht dhurata më e çmuar që e vlerësoj shumë është koha që më japin persona të caktuar që dua t’i kem gjithmonë pranë vetes.

-Vendi më romantik për pushime?

Vendi me romantik është aty ku është njeriu i zemrës dhe, më falni nëse po ngjaj më e thjeshtë nga ç’mendojnë njerëzit zakonisht, por ata që më njohin, e dinë që thjesht kjo jam unë. Ama mund të të them vendet ku ndihem si në shtëpi, haha.

-Personi që telefonon më shpesh gjatë ditës?

Troi është ai që e telefonoj më shpesh kur nuk jemi pranë njëri-tjetrit.

-Kujt i ke thënë së fundi “Të dua”?

‘Të dua’ është një fjalë aq e bukur dhe të gjithë duhet ta përdorim më shpesh. Unë jam nga ata personat që në momentin që e ndjej, e them dhe nuk ka rëndësi nëse është shoqe/shok, familjar apo i dashur, thjesht e them. Kështu që ka shumë persona që e kanë dëgjuar “të dua” nga unë së fundmi.

Sërish në udhëtim për në Shtetet e Bashkuara, bashkë me Troin. Në atë destinacion që ata të dy e duan më shumë se çdo vend tjetër në botë. Troi, në vendin ku është lindur dhe ku ka gjetur gjithçka, Adrola në vendin e ëndrrave që i premton se më e bukura akoma nuk ka ardhur.

Përtej jetës torturuese gjithmonë në vrap, ndërtesave gjigante të frikshme, trafikut të çmendur apo dritave verbuese 24-orëshe, ka edhe një shpirt luftarak që ka nisur hapa të sigurt drejt ëndrrës së madhe. Sepse në atë vend, ku pavarësia është e paprekshme, edhe puna të shpërblehet. Ashtu siç shpërblehen edhe vlerat dhe bukuria shpirtërore, mbi të gjitha.

Për t’i prishur harmoninë trinisë, por për t’i dhënë ngjyra të tjera botës… Për kopertina të tjera të mëdha dhe për projekte të tjera premtuese, Adrola vijon rrugëtimin. Drejt dëshirës më të madhe dhe ëndrrës që po pret t’i realizohet.

Udhërrëfyes është Kapo i saj. Troi vendos ku do të jetë destinacioni i radhës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat