Turqia do të blejë sistemin rus pavarësisht kundërshtimit nga SHBA-ja - Bota Sot
Turqia do të blejë sistemin rus pavarësisht kundërshtimit nga SHBA-ja

Bota

Turqia do të blejë sistemin rus pavarësisht kundërshtimit nga SHBA-ja

Më: 29 mars 2019 Në ora: 14:08
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij turk, Mevlut Cavusoglu

Turqia do të respektojë marrëveshjen për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes ajrore, pavarësisht kundërshtimeve nga Uashingtoni, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, pas bisedimeve me homologun e tij rus Sergei Lavrov.

“Kjo marrëveshje është çështje e kryer”, tha Cavusoglu.

Tashmë, sipas ministrit turk, po diskutohet vetëm koha se kur do të bëhet dërgesa e sistemit mbrojtës.

Ai tha se Ankaraja nuk planifikon të iu shesë palëve tjera sistemin S-400.

Planet për blerjen e armatimit rus nga ana e Turqisë kanë ngjallur reagimin e Shteteve të Bashkuara të cilat po shqyrtojnë mundësinë të pezullojnë bashkëpunimin ushtarak me Turqinë.

Katër senatorë amerikanë, më 28 mars, prezantuan një projekt-ligj dypartiak, për të ndaluar transferimin e aeroplanëve F-35 në Turqi derisa qeveria e SHBA të vërtetojë se Ankaraja nuk do të marrë dorëzimin e sistemit rus S-400.

Cavusoglu tha se Turqia ka marrë deklarata kontradiktore nga Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se Ankaraja ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj lidhur me blerjen e aeroplanëve F-35.

Ministri turk gjithashtu tha se Ankaraja e kundërshton vendimin e SHBA-së për të njohur sovranitetin e Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha me 25 mars se SHBA-të njohin sovranitetin e Izraelit në këtë rajon.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan reagoi duke thënë se ky veprim e vendosë Lindjen e Mesme buzë një krize të re.

Rusia, Irani dhe një numër i vendeve arabe, përfshirë aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik gjithashtu kundërshtuan vendimin e presidentit Trump.

Mirëpo, presidenti Trump ka thënë se vendimi është i një rëndësie strategjike dhe të sigurisë për Izraelin dhe stabilitetin rajonal”.

Në anën tjetër kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka thënë se vendimi vjen në një kohë kur “Irani kërkon të përdorë Sirinë si një platformë për të shkatërruar Izraelin”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...