SHBA-ja i vë sanksione ministrit të jashtëm të Venezuelës

Bota

SHBA-ja i vë sanksione ministrit të jashtëm të Venezuelës

Më: 27 prill 2019 Në ora: 10:47
Juan Guaido

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë sanksione ministrit të jashtëm të Venezuelës, Jorge Arreaza, duke thënë se të njëjtën gjë do ta bëjë edhe ndaj qeverisë së presidentit Nicolas Maduro për shkak të korrupsionit.

Departamenti i Thesarit njoftoi se përpos ministrit të jashtëm, pjesë e sanksioneve amerikane është edhe një gjykatës i Gjykatës së Apelit në Karakas, i quajtur Carol Padilla.

Uashingtoni e fajëson Maduron për kolapsin ekonomik të Venezuelës dhe për rrezikim të demokracisë. Administrata e Trumpit e ka njohur liderin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të këtij vendi dhe ka kërkuar nga Maduro që të largohet nga pushteti.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të rrinë dhe të shikojnë se si regjimi i Maduros po ia merr popullit pasurinë, njerëzinë dhe të drejtën për demokraci”, tha sekretari i thesarit, Steven Mnuchin, përmes një deklarate.

“Departamenti i Thesarit do të vazhdojë t’i ketë cak njerëzit e korruptuar të Maduros, përfshirë ata që janë të caktuar për të shërbyer në diplomaci dhe drejtësi në emër të një regjimi jolegjitim”, thuhet në deklaratë.

Ministria e jashtme e Venezuelës reagoi ndaj këtij vendimi dhe i kundërshtoi këto sanksione, duke thënë se ato janë të njëanshme dhe ilegale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat