SHBA-ja e quan “sulm kundër njerëzimit” incidentin në Kabul - Bota Sot
SHBA-ja e quan “sulm kundër njerëzimit” incidentin në Kabul

Bota

SHBA-ja e quan “sulm kundër njerëzimit” incidentin në Kabul

Më: 19 gusht 2019 Në ora: 09:45
Sulmi në një ceremoni martese në Kabul la të vdekur 63 njerëz - 18 gusht 2019

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në mesazhin e tij të urimit, për 100 vjetorin e pavarësisë së Afganistanit, dënoi sulmin e 17 gushtit me bombë në një ceremoni martese në Kabul.

"Mjerisht, historia 100-vjeçare e Afganistanit është shoqëruar gjithashtu nga konflikti. Sulmi terrorist gjatë një ceremonie martese në Kabul, këtë fundjavë, është një sulm kundër njerëzimit", tha mesazhi i Pompeos në prag të ditës së pavarësisë së Afganistanit.

Pompeo tha se afganët kanë shumë arsye "të jenë krenarë në kohën kur festojnë një ripërtrirje shekullore dhe diversitet kulturor".

Ai përmendi përmirësimet që vendi ka parë gjatë njëzet viteve të fundit në "arsim, shëndetësi, infrastrukturë, të drejtat e grave, mundësi ekonomike dhe liri të mediave".

Pompeo premtoi të "dyfishojë angazhimin e SHBA-së" drejt një "të ardhmeje paqësore të Afganistanit".

Gjashtëdhjetë e tre njerëz u vranë, dhe 182 të tjerë u plagosën, në sulmin vetëvrasës për të cilin grupi ekstremist militant Shteti Islamik (IS) mori përgjegjësinë.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, e quajti sulmin "barbar".

"Unë e dënoj me forcë sulmin çnjerëzor në sallën e dasmave në Kabul", tha presidenti afgan Ghani.

Presidenti afgan është zotuar të "eliminojë" të gjitha strehat e sigurta të Shtetit Islamik.

"Ne do të hakmerremi për çdo pikë gjaku të civilëve" tha Ghani.

"Lufta jonë do të vazhdojë kundër Shtetit Islamik, do të hakmerremi dhe do t'i çrrënjosim ata", shtoi presidenti afgan.

Ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që t'i bashkohej këtyre përpjekjeve.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në Kabul këtë vit dhe ndodhi në kohën kur po paralajmërohet se Uashingtoni dhe talibanët janë afër një marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës gati 18-vjeçare në Afganistan.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Zalmay Khalilzad dënoi sulmin duke e quajtur “të neveritshëm”.

Shtetet e Bashkuara janë duke zhvilluar bisedime me talibanët në përpjekje për të arritur një marrëveshje e cila do të mundësonte tërheqjen e forcave të huaja nga Afganistani.

SHBA-ja po kërkon që talibanët të japin garanci, se vendi nuk do të shëndrrohet në fole të grupeve terroriste, pas tërheqjes së trupave të huaja.

SHBA-ja synon që fillimisht të arrihet kjo marrëveshje, dhe më pas të fillojë dialogu i brendshëm afgan, i cili do të siguronte paqen afatgjate për vendin. Tash për tash, talibanët, që kontrollojnë një pjesë të madhe të Afganistanit, nuk po pranojnë të bisedojnë me qeverinë afgane, pasi e cilësojnë atë si “kukull të perëndimit”./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...