Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se presin testime të reja të raketave balistike nga Koreja Veriore gjatë Krishtlindjeve. Megjithatë, presidenti Trump po pret dhuratë nga vendi komunist.
“Ndoshta është një dhuratë e bukur”, tha presidenti Trump, kur u pyet se si do të reagonte ndaj Pjongyangut, nëse Koreja Veriore do të testonte raketa balistike gjatë festave.
“Ndoshta lideri i Koresë Veriore do të ma dërgojë një vazo me lule të bukura, e jo test të raketave. Mund ta marr një vazo. Mund ta marrë një dhuratë të mirë prej tij. Nuk dihet, kurrë nuk dihet”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Deklarata e tij ishte reagim optimist dhe paksa qesharak ndaj kërcënimit të Koresë Veriore se do t’ia japë Shteteve të Bashkuara një dhuratë për Krishtlindje, nëse nuk shënohet përparim për largimin e sanksioneve amerikane ndaj programit bërthamor të vendit aziatik.
Koreja Veriore ka deklaruar më parë se i ka kryer disa teste të raketave në një qendër për lëshimin e satelitëve gjatë këtij viti. Komandanti i Forcave Ajrore të Paqësorit tha se është e mundur që Koreja Veriore të lëshojë raketë me rreze të gjatë veprimi gjatë festave të fundvitit.
Ky shtet i ka dhënë afat Shteteve të Bashkuara që deri në fund të vitit të paraqesë propozim të ri për lehtësimin ose tërheqjen e sanksioneve para se të marrë masa të reja për programin e vet bërthamor, shkruan “CNN”.