FBI-ja do t'i bashkohet hetimeve për shpërthimin në Bejrut - Bota Sot
FBI-ja do t'i bashkohet hetimeve për shpërthimin në Bejrut

Bota

FBI-ja do t'i bashkohet hetimeve për shpërthimin në Bejrut

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 06:22
David Hale

Një diplomat i lartë amerikan tha të enjten se FBI-ja do t'i bashkohet hetimeve rreth shpërthimit të madh në Bejrut javën e kaluar, për "të garantuar se diçka e tillë nuk do të ndodhë më".

Gjatë vizitës në një lagje të rrënuar të Bejrutit, Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, David Hale, tha se Libani ka nevojë për "reforma ekonomike dhe fiskale si dhe që t’i jepet fund qeverisjes jofunksionale e premtimeve boshe".

Shpërthimi i 4 gushtit në depot e portit të Bejrutit shkaktoi 6.000 të plagosur, la 300,000 njerëz pa shtëpi të banueshme dhe shkatërroi pjesë të tëra të qytetit, tashmë i zhytur thellë në krizë financiare. Rreth 30 deri 40 persona rezultojnë të zhdukur.

Autoritetet thonë se shpërthimi ndodhi në një depozitë të madhe me nitrat amoni, që ruhej prej vitesh në port pa masa sigurie.

"FBI-ja së shpejti do t’u bashkohet hetuesve libanezë dhe ndërkombëtarë me ftesën e zyrtarëve libanezë për t’u dhënë përgjigje pyetjeve në lidhje me rrethanat që çuan në këtë shpërthim", tha zoti Hale.

Presidenti libanez Michel Aoun ka thënë se hetimet do të shqyrtojnë nëse shkaku ishte pakujdesia, një aksident apo ndoshta "ndërhyrje e jashtme".

Zoti Aoun i ka kërkuar Francës imazhe satelitore për hetimin.

Një ekspert sizmologjik izraelit tha të enjten se shpërthimit të madh i paraprinë një seri shpërthimesh më të vogla, e fundit nga të cilat ishte djegia e një sasie fishekzjarresh.

Autoritetet i kanë vlerësuar humbjet nga shpërthimi në 15 miliardë dollarë, një faturë që Libani nuk është në gjendje ta paguajë për shkak të borxhit të madh të jashtëm.

Zoti Hale, diplomati numër 3 i Uashingtonit, tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin çdo qeveri të re që "pasqyron vullnetin e popullit” dhe miraton reformat. Zemërimi publik i shkaktuar nga shpërthimi e detyroi kabinetin të jepte dorëheqjen këtë javë.

Por marrëveshja për një qeveri të re mund të jetë tepër e vështirë në këtë vend me ndarje të thella sektare./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat