‘Përplasja’ mes anijeve luftarake/ Greqia kërkon ndihmën e SHBA-BE, Erdogan e paralajmëron

Bota

‘Përplasja’ mes anijeve luftarake/ Greqia kërkon ndihmën e SHBA-BE, Erdogan e paralajmëron

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 20:30

Ministri i jashtëm grek Nikos Dendias zhvillon këtë të premte takime intensive me partnerët amerikanë dhe europianë, teksa tensionet me Turqinë për zonat ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor kanë arritur kulmin.

E përditshmja greke Kathimerini njoftoi për një përplasje të ndodhur mbrëmjen e të mërkurës mes fregatës Limnos dhe anijes luftarake Qemal Reis, që shoqërojnë sondën Oruç Reis, që kryen shpime të nëntokës detare në atë zonë. Shenjat e përplasjes duken qartë në pjesën e parme të fregatës greke Limnos.

Kryediplomati grek Nikos Dendias tha se do t’i paraqesë si fakte fotot e përplasjes, në takimet me Mike Pompeon dhe homologët europianë në mbledhjen e jashtëzakonshme online të Këshillit të Punëve të Jashtme.

Megjithatë, qëndrimi i përbashkët që do të mbajnë partnerët europianë ndaj Turqisë do të përcaktohet në Samitin e Ministrave të Jashtëm parashikuar për më 27–28 Gusht.

Fregata greke merrte pjesë në stërvitjet e përbashkëta me forcat detare franceze, të zhvilluara në zonën ku Turqia kryen kërkime, pas ndihmës që i ofroi Greqisë presidenti Macron.

Në kundërpërgjigje, kreu i shtetit turk Recep Tayip Erdogan paralajmëroi se kushdo që tenton të fundosë Oruç Reisin do t’a paguajë shtrenjtë. Megjithatë, Erdogan tha se nuk ka për qëllim konfliktin e armatosur me Greqinë dhe se kërkon vetëm zgjidhje me dialog.

Për uljen e tensioneve po përpiqet të ndërmjetësojë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat