Stoltenberg: NATO e angazhuar për uljen e tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë

Bota

Stoltenberg: NATO e angazhuar për uljen e tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 17:12
Jens Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Aleanca është e angazhuar për të forcuar më tej mekanizmin e uljes së tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë në Mesdheun Lindor.

“Jam i angazhuar për forcimin e mëtejshëm të këtij mekanizmi për të ndërtuar masa më gjithëpërfshirëse të ndërtimit të besimit”, theksoi Stoltenberg  duke shtuar se aleanca e përbërë nga 30 vende anëtare ndihmoi në krijimin e një lidhjeje direkte midis dy vendeve.

Ai theksoi se NATO është e gatshme për të lehtësuar tensionin dhe shtoi se ata mbështesin iniciativat e drejtuara nga gjermanët për të zgjidhur krizën.

Marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje, anëtare të NATO-s, kanë qenë të tensionuara pasi Athina ka kundërshtuar që Ankaraja të dërgojë anijet e saj të shpimit në Mesdheun Lindor.

Stoltenberg foli në një konferencë për media në Bruksel pas ditës së parë të takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, ku u diskutuan disa çështje, përfshirë projektin NATO 2030, shtimin ushtarak të Rusisë, ngritjen e Kinës dhe misionin e NATO-s në Afganistan.

“Ministrat e bënë të qartë se të gjithë aleatët mbeten të përkushtuar ndaj misionit dhe mbështetjes së forcave afgane të sigurisë në luftën kundër terrorizmit”, shtoi Stoltenberg duke folur mbi procesin e paqes në Afganistan dhe vendimin e SHBA-së për të tërhequr trupat.

Ai tha se NATO po përballet me një dilemë nëse do të qëndrojë ose do të largohet nga Afganistani.

“Nëse qëndorjmë, ne rrezikojmë të vazhdojmë të luftojmë me një angazhim edhe më afatgjatë. Nëse largohemi, ne rrezikojmë Afganistanin, përsëri, duke u bërë një strehë e sigurt për terroristët ndërkombëtarë. Ka një çmim për të qëndruar më gjatë, por po ashtu ka një çmim për t’u larguar shpejt”, tha Stoltenberg.

Shefi i NATO-s tha se në muajin shkurt pret një vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje.

NATO aktualisht ka më pak se 12 mijë trupa nga kombe të ndryshme në Afganistan, prej të cilëve rreth 4 500 janë ushtarë amerikanë./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat