Të moshuarit vuajnë pasojat e izolimit nga COVID-19

Bota

Të moshuarit vuajnë pasojat e izolimit nga COVID-19

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 09:16
Mario Piano mbushi 80 vjeç katër muaj më parë.

Të moshuarit jo vetëm që po paguajnë çmimin më të shtrenjtë për COVID-19, por po vuajnë edhe nga një epidemi tjetër: izolimi shoqëror dhe vetmia. Në qytetin italian të Xhenovas, një numër në rritje të moshuarish tani po i drejtohet organizatave bamirëse për ndihmë.

Mario Piano mbushi 80 vjeç katër muaj më parë.

Ai ka bërë një larmi punësh gjatë jetës së tij, por thotë se ndihma për të tjerët ka qenë gjithmonë veprimtaria më domethënëse.

Ditën e fundit ai shkoi të vizitonte një banor të moshuar në Xhenova.

Pothuajse një e treta e banorëve të këtij qyteti port italian janë mbi 65 vjeç, prandaj nuk është për t'u habitur që të moshuarit këtu nuk janë vetëm ata që kanë nevojë për ndihmë, por edhe ata që e japin atë.

Piano bën punë vullnetare për Komunitetin e Sant'Egidios, një shoqatë katolike.

Organizata ndihmon thuajse 2,000 të moshuar në të gjithë qytetin.

Piano ka ardhur për të parë Agostino Di Girolamo, një marinar në pension 84-vjeçar.

"Shumë shqetësim dhe trishtim, veçanërisht kur jeton vetëm, të jetosh vetëm nuk është e lehtë," thotë Di Girolamo.

Ai ka jetuar vetëm në banesën e tij që nga vdekja e së shoqes.

Takimet me Pianon e ndihmojnë të shmangë vetminë e ditëve të gjata.

Por për shkak të moshës së Pianos, organizata e kishte ndaluar të kryente këto vizita personalisht për muaj të tërë, për të mbrojtur shëndetin e tij.

Tani që masat janë zbutur në rajonin e Ligurias, Piano është i lumtur të shkojë të vizitojë ata që duan shoqëri.

"Kisha pyetur për ty," thotë Di Girolamo.

"E di, por meqë edhe unë jam në moshë (nuk mund të vija për një fare kohë)", thotë Piano.

Di Girolamo thotë se vizitorët vullnetarë janë "njerëz të mirë, të veçantë" që i japin "ngrohtësi dhe ndihmë".

Piano preket kur kujton njerëzit që ka njohur ndërsa bënte punë vullnetare. Ai thotë se shpesh të moshuarit që viziton thjesht duan dikë me të cilin të flasin.

"Kanë nevojë të flasin, të ndjejnë, të ndihen gjallë dhe shumë prej tyre thjesht nuk munden. Nuk është e lehtë, kur nuk del dot jashtë," thotë ai.

"Shumë prej atyre me të cilët kam folur në telefon së fundmi, shpërthejnë në lot pasi nuk mund të dalin nga shtëpia, shumë prej tyre dikur kishin të paktën mundësinë për të biseduar me një shitës, tani janë plotësisht vetëm."

Manuela Dogliotti është koordinatore e programit "Jetë të gjatë të moshuarve” të Sant'Egidios, që synon krijimin e rrjeteve për të mbrojtur të moshuarit e Xhenovas nga izolimi social, dhe tani edhe nga virusi.

"Këto rrjete shërbejnë si një mbrojtje për ta," thotë ajo.

Vullnetarët, fqinjët, mjekët e familjes, tregtarët dhe pronarët e restoranteve kanë bashkuar të gjithë forcat për të marrë pjesë në program.

Mjekja e familjes Lia Balduzzi thotë se ky rrjet është një ndihmë e çmuar për të, për shembull, në monitorimin e pacientëve dhe dërgimin e e ilaçeve.

"Organizata ka për qëllim mbajtjen e të moshuarve në shtëpi, jo vetëm për të parandaluar dërgimin e tyre në azile, por edhe për të parandaluar shtrimet në spital, të cilat shpesh janë thellësisht traumatike për ta," thotë Dr. Balduzzi.

Programi i Sant'Egidios për të moshuarit kishte filluar që para COVID-19-ës, por ka marrë një rëndësi tjetër në vitin 2020 pasi një numër i madh njerëzish, kanë filluar t’i përdorin shërbimet e tij për herë të parë, pasi shpesh nuk takonin dot fëmijët e tyre dhe të afërmit e tjerë.

"Pandemia nxorri në pah realitetin e izolimit shoqëror. Jetët e këtyre moshuarve tregojnë që qytetet tona po bëhen jopersonale dhe vetmia përhapet dhe krijon nevoja të padukshme në sipërfaqe", thotë Dogliotti.

Organizata thotë se ka marrë masa maksimale sigurie gjatë pandemisë, me shumë më pak raste infektimi tek të moshuarit që vizitojnë, në kontrast të thellë me azilet, disa prej të cilave u bënë pika të nxehta të COVID-it.

94-vjeçarja Nina Bardelle ka luftuar në lëvizjen e Rezistencës Italiane kundër fashizmit dhe Gjermanisë Naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ajo është një nga partizanët e paktë italianë ende gjallë dhe para pandemisë kishte një jetë të pasur shoqërore, shpesh e ftuar nga shkollat dhe institucionet e tjera për të ndarë përvojat e saj dhe për të mbajtur gjallë kujtimin e luftës për çlirim.

Por tani, thotë ajo, do të preferonte të fliste me njerëzit për "pleqërinë, për t'i bërë të tjerët të kuptojnë se sa e vështirë është të jesh i moshuar, dhe të jesh e vetëdijshme për një gjë të tillë".

Gjatë rezistencës, Bardelle mjekonte të plagosurit, ndihmonte partizanët e tjerë për të fshehur armët e marra nga gjermanët dhe për të sabotuar aktivitetet e armikut.

Tani vullnetarët vijnë në shtëpinë e saj për ta ndihmuar.

Nga pragu i derës, Bardelle tregon me krenari kartën e saj të Komitetit të Çlirimit Kombëtar dhe një libër me kujtime që ka filluar të shkruajë gjatë izolimit. Por kjo grua, e cila gati i shpëtoi vdekjes për hir të lirisë dhe demokracisë, sheh një mungesë vlerësimi për njerëzit e moshës së saj.

"Më bën të ndihem sikur pleqëria ime është një difekt," thotë ajo./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat