Shpërndarja e vaksinave me programin COVAX

Bota

Shpërndarja e vaksinave me programin COVAX

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 17:35
Shpërndarja e vaksinave

Shpërndarja e vaksinave COVID-19 deri më sot nuk ka qenë e barabartë. Shumica dërrmuese e dozave kanë shkuar tek vendet me të ardhura të larta, por një program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që synon ta ndryshojë këtë prirje, furnizoi Ganën me dozat e para të vaksinës të mërkurën.

Të paketuara në Indi të martën në mbrëmje: 600,000 doza të vaksinës AstraZeneca për COVID-19-n.

COVAX, programi ndërkombëtar që garanton barazi në shpërndarjen e vaksinës, dërgoi vaksinat e para në Ganë të mërkurën në mëngjes. Ato janë të parat në angazhimin e programit për të shpërndarë 2 miliardë doza në të gjithë botën këtë vit pavarësisht nivelit të të ardhurave të vendeve.

Është një "moment historik", tha Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it Henrietta Fore, duke shtuar se po mbahet premtimi që "njerëzit nga vendet që nuk janë të pasura nuk do të lihen pas".

Por programi është më tepër se kaq, thotë Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus.

"Nuk është çështje bamirësie. Është një çështje e epidemiologjisë. Nëse nuk i japim fund pandemisë kudo, nuk do të përfundojë për askënd".

Variante të reja të rrezikshme të virusit mund të lindin kudo ku përhapet sëmundja.

Një variant i ri i gjetur në Afrikën e Jugut e ka dobësuar tashmë efektin e vaksinave.

Grupi i vendeve me të ardhura të larta të G7-ës ka premtuar 4.3 miliardë dollarë për vaksina, teste dhe trajtime të COVID-it.

Presidenti Joe Biden u bashkua me programin, duke ndryshuar politikën e paraardhësit të tij.

"Shtetet e Bashkuara do të japin dy miliardë dollarë për COVAX-in, me premtimin për një shtesë prej dy miliardë dollarësh për të nxitur të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë", tha presidenti.

Por programi ka ende nevojë për 23 miliardë dollarë të tjera.

COVAX-i është duke konkurruar me vendet e tjera për vaksinat e pakta në numër, thotë shefi i njësisë shëndetësore në Komisionin Ndërkombëtar të Shpëtimit, Mesfin Tessema.

"Qëllimi është i mirë, por është një radhë e gjatë pritjeje, dhe programi COVAX është në fund të radhës. Edhe pse janë bërë premtime për para tani, deri në kohën që do t’i marrin ato para do të jetë, shumë, shumë më vonë".

Disa vende të pasura po bëjnë marrëveshje me prodhuesit e vaksinave duke minuar përpjekjet e COVAX-it, thotë zoti Tedros me OBSH-në.

"Edhe nëse i kemi fondet, ne mund të shpërndajmë vaksina për vendet më të varfra vetëm nëse vendet me të ardhura të larta bashkëpunojnë për të respektuar marrëveshjet e bëra nga COVAX-i, dhe marrëveshjet e reja që po bëjmë."

Dozat e para kanë arritur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, por ekspertët thonë se do të duhen muaj para se ato të arrijnë nivelet e vaksinimit që kanë vendet e pasura./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat