Pandemia rrit varfërinë, 3500 persona kokëulur presin radhë për të marrë ushqime

Bota

Pandemia rrit varfërinë, 3500 persona kokëulur presin radhë për të marrë ushqime

Më: 9 mars 2021 Në ora: 13:26
Foto ilustrim

Rreth 3,500 qytetarë të Milanos qëndrojnë përditë kokulur në radhë për të marrë ushqime nga shoqata bamirëse lokale, “Pane Quotidiano”.

Ata jetojnë në kryeqendrën industriale të Italisë dhe në një prej qyteteve më të pasura të Europës.

Por pandemia e kovidit-19 u ka mbyllur vendet e punës dhe i ka bërë më të varfër.

“Kjo nuk është jetë, për mua, jo. Nuk jam mësuar të vij këtu, të lutem. Kam dinjitetin tim dhe dua të punoj për pensionin, të zgjohem në mëngjes me kokën lart”– thotë oficeri i klubit të natës.

“Kursimet që kisha fatkeqësisht më mbaruan. Nuk ia dilet pa punë prej më shumë se një viti.”

Përpara pandemisë, të varfrit në rrugë ishin një fenomen i rrallë për Milanon, ndërsa pas një viti mbi 720 mijë persona ndodhen nën nivelin e varfërisë.

“Janë shtuar nga pak të gjitha grupmoshat që na kërkojnë ndihmë. Fatkeqësisht janë shtuar edhe të rinjtë, moshat e mesme, sidomos ata që kujdesen për të tjerët kanë mbetur tani pa punë.”– tregon një vullnetar.

“Te këta persona dallohet një lloj dorëzimi. U duket sikur janë brenda një tuneli dhe s’kanë për të dalë dot kurrë. Kjo është gjë serioze sepse ndikon te gjendja e tyre mendore dhe psikike.”– thotë Luigi Rossi

E gjithë Italia numëron numrin më të lartë të të varfërve në 15 vite, mbi 5 milionë e gjysmë njerëz.

Përqindja e të varfërve është më e lartë në jug, si zakonisht, por hendeku me veriun po ngushtohet.

Lombardia, ku bën pjesë Milanoja, u godit më fort nga pandemia vitin e shkuar, ndërsa bilanci kombëtar i viktimave arriti të hënën mbi 100 mijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat